Përpjekja e Enver Hoxhës për t’u shfaqur si “Hero”.

Figura e një heroi është parë gjithnjë si figurë mistike, që i qëndron historisë, që kthehet në legjendar, kthehet në mit. Heroi gjithmonë është parë si figurë e adhurueshme pasi në vetëvete heroi përcjell modelin e njeriut ideal, modelin e njeriut që kërkon dhe lufton për shoqërinë ideale, ndaj gjithmonë shoqëritë njerëzore kërkojnë heronj. Pikërisht këto cilësi duhet t’i ketë parë “në letër” Enver Hoxha kur dhe e çoi ndërmend të niste përpjekjet për t’u hequr si hero. Pasi kishte strukturuar regjimin e tij, pasi kishte siguruar pushtetin absolut e sidomos pasi kishte institucionalizuar frikën, Hoxha nisi të kërkonte ndryshimin e historisë. Ai filloi të kërkonte daljen e tij si figura qendrore e Çlirimit, si Revolucionar, si figura e kryesore e ideologjisë (totemit), si udhëheqësi mendje-ndritur që do ta çonte vendin përpara. Për këtë Hoxha kërkoi që të shkruheshin libra, të thureshin këngë, t’i dedikoheshin parrulla që do të shtriheshin kudo. Ai filloi të kërkonte legjendaren tek vetja, të ishte brenda mitit të ishte një idhull, të ishte i adhuruar.

Kjo përpjekje e tija, si fillim nisi nga vetë ai, duke shkruar kujtimet e tij dhe idetë me ri-interpretimet për totemin (ideologjinë) shkrime që në fund të jetës do të rezultonin të ishin 70 vepra me më shumë se 7000  faqe, të  cilat kishin vetëm një personazh kryesor, Enver Hoxhën. Këtë veprimtari të tijën ai “e shartoi” edhe me zhdukjen e dëshmitarëve, duke vrarë dhe dënuar çdokënd që kishte qenë prezent në “luftën e tij për mbrojtjen e totemit” kështu fjala e tij do ishte e vetmja, dhe historia nuk do të kishte se ku të referohej përveçse asaj. Madje Hoxha këtë detyrë të ngurosjes së tij si hero, ia diktoi edhe artit, ku më shumë se çdo lloj zhanri diktoi letërsinë. Këtë e dëshmon edhe vepra e Ismail Kadarsë, si shkrimtari më i talentuar që kishte regjimi. Gjithmonë në këtë këndvështrim të kërkesës së Hoxhës për t’u shfaqur dhe ngurosur si hero, Ndriçm Kulla në biografinë e Ismail Kadaresë “Ylli i shkrimtarit”, përmend faktin se Kadare u diktua t’i bënte atij një portret (natyrisht si hero). Kulla thotë se mes Hoxhës dhe Kadaresë pati një pakt të heshtur, sipas së cilit ai duhej t’i dedikonte një vepër nga gjenialiteti i tij, pasi Hoxha në shumë raste jo vetëm që kishte shuar lumin e kritikave por dhe e kishte kursyer nga ndëshkimi. Duke e metaforizuar këtë marrëdhënie si ajo e Faustit me Mefistofelin[1], Kulla thotë se nga Kadare erdhën vetëm 40 faqe (në librin “Dimri i vetmisë së madhe”) edhe ato me një mungesë totale të dëshirës. Pa i hyrë thellë këtij diskutimi rreth Kadaresë, kjo gjë që përmend Kulla fakton diktatin që ushtronte Hoxha për ndërtimin e imazhit të tij. Imazh që kurrsesi nuk do të pranohej si hero apo idhull. Pasi siç thotë Spartak Ngjela, adhurimi ishte thjesht në dukje pasi ai buronte nga një frikë e përgjithshme. Teksa përmend manifestimet e mëdha si mitingjet, parakalimet, si ato të festës së 1 Majit, Ngjela thotë se “turma që çirrej për Enver Hoxhën, bërtiste nga frika”[2].

Në përgjithësi Heronjt adhurohen sepse njerëzit nuk mjaftohen me ëndrrën, nuk mjaftohen me përjetësimin e mitit, ata kërkojnë të identifikohen, prandaj dhe i kryejnë ritet e ndryshme. Në rastin e Hoxhës, kjo gjë nuk ndodhi (pra shfaqja dhe pranimi si hero), pasi njerëzit nuk identifikonin tek ai botën ideale të tyre, por të detyruar nga makineria vrastare e Sigurimit njëherësh me propagandën e krijuar prej Hoxhës, njerëzit i kryenin ritet thjesht për “ta kënaqur” dhe “zbutur” pushtetin e tij.

[1] Ndriçim Kulla – Ylli i shkrimtarit fq.151

[2] Spartak Ngjela – Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare fq.341

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s