Enver Hoxha si mishërues i totemit ideologji.

Enver Hoxha investoi shumë në Sigurimin e Shtetit. Me qëllimin për të krijuar njeriun e bindur, njeriun që do ta adhuronte atë, ashtu sikurse objektet “e shenjta” të krijuara prej tij (Hoxhës), e në të njëjtën kohë njeriun që do të tmerrohej prej tyre, Hoxha në mos arritjen 100% të këtij modeli (me anë të Sigurimit), arriti të krijonte tabunë dhe nëse e analizojmë duke ju referuar librit të Frojdit “Totem dhe Tabu[1], këtë tabu ai e lidhi gjithmonë me ideologjinë, pra me atë çka në vetvete përbënte totemin e shoqërive komuniste. Ky totem që ishte ideologjia, personifikohej nga vetë figurat ideologjike, pra Marksizëm-Leninizmi personifikohej nga figurat e Marksit dhe Leninit. Marksizëm-Leninizmi ishte boshti qendror i ideologjisë së propaganduar ndër kampin socialist, ndërsa Stalini për ne (shqiptarët) ishte figura më e afërt fizike e jetuar, përqasja konkrete, “mishërimi i totemit”, ishte i tillë pasi ishte ai që e kishte bërë të mundur “ardhjen e totemit në viset tona”, ai kishte arritur të identifikohej me të dhe kishte bërë të mundur “mbrojtjen” dhe “mbijetesën e shoqërisë sonë” në shumë raste, ku ndër rastet më të vështira dalloi ajo e “prishjes së marrëdhënieve dhe kanosjeve për përvetësim të Jugosllavisë së Titos”.

Hoxha e adhuronte figurën e Stalinit (me shumë gjasa më shumë sesa figurën i adhuronte pozitën që mbante), ai i qëndroi besnik parimeve dhe metodave të tij, madje edhe e imitoi atë. Kështu në këtë kontekst, pas vdekjes së Stalinit, (për ne shqiptarët) Hoxha zuri postin e tij dhe në rrethanat që diktoi koha (me ardhjen e Nikita Hrushovit në krye të Moskës, dhe goditjes që i bëri ai kultit të individit, pra totemit), (më shumë për të mbijetuar politikisht) ai (Hoxha) arriti ta shkëpusë totemin nga Moska dhe ta sjellë në Shqipëri, duke proklamuar mbrojtjen e tij, (pra mbrojtjen e idealeve njëjtë sikurse bëri dhe Stalini). Me zënien e vendit që Stalini kishte në mbrojtjen e totemit, Hoxha fitoi një status të ri, ai filloi të shihej ndryshe nga shoqëria, pasi tashmë kishte në dorë “mekanizmin” e përcaktueshmërisë se kush ishte e drejtë dhe kush e gabuar, kishte në dorë totemin pasi ai për sytë e shoqërisë sonë u bë “mishëruesi” i tij. Kështu me këtë status të ri, jo vetëm që Hoxha fuqizoi pozitat, por i dha të drejtë vetes që “të bënte kurban” anëtarët e totemit të cilët përbënin rrezik për vazhdimësinë e dinastisë së tij duke përhapur më shumë tabunë. Në këto rrethana arma besnike e Hoxhës padiskutim ishte Sigurimi i Shtetit (e ashtuquajtur arma efikase e diktaturës së proletariatit, ajo që varroste armikun e klasës, apo e ashtuquajtura vigjilencë revolucionare).

Me shfaqjen si “mishërues i totemit”, Hoxha filloi “të modelonte” në kuptimin e vërtetë të fjalës njeriun (filloi “të modelonte” shqiptarin). Duke i privuar dhe kushtëzuar sjelljet (gjithmonë nëpërmjet veprimtarisë së Sigurimit) Hoxha kishte në mendje dhe si qëllim (siç thashë në fillim) “krijimin e njeriut të bindur”. Padyshim që në këtë aspekt ndikoi tabuja e krijuar prej totemizmit të tij. E ashtuquajtura “lufta e klasave” ishte manifestimi më i drejtpërdrejtë i kësaj tabuje. Shkelësi i tabusë, kthehej vetë në një tabu pasi ai zotëronte cilësinë e rrezikshme që të tundonte dhe të tjerë për të ndjekur shembullin e tij, ai i infektonte të tjerët me dëshirën e imitimit, ndaj duhej shmangur, atij i duhej dhënë vetëm punë e rëndomtë, kurrësesi punë me rëndësi, ai duhej izoluar, duhej treguar me gisht, i duhej treguar vendi, i duhej treguar klasa ku ai i përkiste: atij nuk i flitej, me atë nuk krijohej shoqëri, ai duhej të rrinte dhe të shoqërohej vetëm e vetëm me klasën e tij. Në këtë mënyrë Hoxha arriti institucionalizimin e frikës, përhapjen e paranojës dhe dëlirit se ndëshkimi është gjithmonë rrotull. Në këtë mënyrë ai arrit të ruajë totemin por më shumë sesa totemin, ai arriti ta ruajë pozitën e tij deri në vdekje.

[1]Sigmund Freud – Totem dhe Tabu; Dituria 2003

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s