Hyrje – “Studime rreth mitit të Sigurimit të Shtetit”

Në gusht të vitit 1996 ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara George H.W. Bush, së bashku me ish-Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Collin Powell, do të zhvillonin (familjarisht) një vizitë jo zyrtare në Shqipëri. Të ardhur në vendin tonë si mysafirë të (asokohe) Presidentit Sali Berisha, ata u pritën në Vlorë ku dhe ishin ankoruar me jahtin e ish-presidentit amerikan. Gjatë diskutimeve, shoqërimit dhe kohës që ata kaluan me familjen Berisha, (natyrisht në një moment të vështirë politik, ku Shqipëria po kalonte një krizë të thellë politike dhe situata reflektonte ndjeshëm dhe në ekonomi, ku firmat rentiere po hasnin problemet e para të likuiditetit),  bashkëshortet e dy shtetarëve amerikan, patën mundësi të shoqëroheshin me (asokohe) Zonjën e Parë, Liri Berishën. Duke qenë se Barbara Bush dhe Alma Powell, vizitonin për herë të parë një vend ish-komunist thuhet se i kërkuan Zonjës Berisha, t’u shuante kureshtjet e tyre duke treguar për Shqipërinë e periudhës së komunizmit. Rreth 9 vite pas këtij takimi, Barbara Bush do të botonte librin e saj me kujtime, ku mes të tjerash do të përfshinte edhe kujtimet e vizitës së saj në Vlorë. Për vendin tonë ajo do të shkruante (siç thotë Mero Baze)[1] e terrorizuar nga tregimi i Lirisë, sipas së cilës, “kur tre miq bëheshin bashkë, njëri ishte spiun”; “kur tre familje bëheshin bashkë, njëra ishte spiune”.

Ky përshkrim i kryer nga Zonja Berisha, fatkeqësisht nuk është një trillim i saj. I kthyer në mit, ky përshkrim i gjendjes së Shqipërisë së periudhës komuniste gjeti shpesh vend në diskutimet që bëheshin për atë periudhë. Diskutime, të cilat bazoheshin në përvoja individuale dhe kolektive, diskutime të cilat me kalimin e kohës ndikuan në imagjinatën sociale duke sjellë si rezultat krijimin e idesë se i ashtuquajturi Sigurimi i Shtetit kishte shtrirë diktatin e tij duke rekrutuar 1/3-tën e shqiptarëve në shërbimet operative “të vjeljes” së informacionit. Pra që një në tre shqiptar ishte “i Sigurimit”. Gjithçka erdhi si rrjellojë e paranojës së të ashtuquajturës vigjilencë të Sigurimit, vigjilencë që nënkuptonte spiunim dhe spiunim që nënkuptonte ndëshkim. Spartak Ngjela në librin e tij “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare” thotë se numri i agjentëve mund të shkonte deri në 200 mijë[2], por që asnjëherë nuk u mor vesh saktësisht. Ky fakt pra i “mos-dijes”, funksiononte në avantazh të qëllimeve që kishte ky organ i shërbimit sekret. Mos-dijenia bëri që qytetarët të ishin të dënuar për të qenë veçse spektator. Të dënuar për të parë të njëjtën “shfaqje”, si spektator, shqisat e tyre, komandoheshin nga ky organ, i cili në të gjitha “shfaqjet” kishte të njëjtin mesazh: “sjelljet devijante janë të ndëshkueshme, ato duhet të luftohen dhe për këtë është e nevojshme edhe ndihma e popullit, i cili duhet të jetë vigjilent, në të kundërt edhe ai është armik; ndaj armikut nuk ka mëshirë, përballë tij drejtësia popullore triumfon gjithmonë”.

Në të tillë raport, Sigurimi i Shtetit krijoi edhe mitin e tij. Frojdi i përshkruan mitet si “mbeturina të shpërfytyruara të imagjinatave, ëndrra shekullore të njerëzimit”,[3] kështu “mbeturinat e shpërfytyruara të imagjinatave” të këtij “makthi” i hasim edhe sot, ku të shumtë janë ata që besojnë se Shërbimi Informativ (post-Sigurimi për sot) është kudo, edhe tek komshinjtë, e madje ka nga ata që dyshojnë edhe për të afërmit. Mitin e ndesh edhe në telefonata, ku has shpesh në shprehjen “po më përgjojnë telefonin”. Pra ende e mbartim dhe e përjetojmë Sigurimin e Shtetit si mit, ende besojmë se Shteti ynë na përgjon dhe se një vesh tjetër është përtej receptorëve tanë të telefonit. Kjo është tema që do të trajtohet më gjerësisht në këtë kategori studimesh rreth komunizmit.

[1]Mero Baze – Viti ’97 Prapaskenat e krizës që rrënuan Shtetin fq. 64-65

[2]Spartak Ngjela – Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare fq. 197

[3]Adem Jakllari – Leksione për Antropologjinë kulturore fq. 161

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s