Analizë: Retorika e diskursit të Jim Garrison në gjyqin për vrasjen e Presidentit Kennedy

Jim GarrisonProkurori Jim Garrison (Xhim Garison) në muajin janar të vitit 1969-të (rreth 6 vite pas atentatit),arriti të ngrinte të vetmen çështje gjyqësore të mbajtur deri më sot për vrasjen e Presidentit John F. Kennedy (Xhon F. Kenedit) madje duke akuzuar dhe persona konkret, biznesmenin Clay Shaw (Klej Sho’) për komplot ndaj Kreut të Shteteve të Bashkuara. Deri më atëherë pas një Komisioni Hetimor (i ashtuquajturi Warren Commision, që zhvilloi hetimet në periudhën nëntor ’63 – shtator ’64) të ngritur nga Presidenti Lyndon Johnson (Lindon Xhonson), kishte thënë se vrasja e Presidentit ishte kryer nga Lee Harvey Oswald (Li Harvi Osvald), i cili sipas komisionit veproi vetëm, njëjtë sikurse Jack Ruby (Xhek Rubi) i cili po duke vepruar vetëm vrau Oswald-in dy ditë pas vrasjes së Kennedy-it. Në këtë studim do të analizohet pikërisht diskursi i Garrison-it, mbajtur në sallën e gjyqit pak para shpalljes së vendimit nga ana e Jurisë. Diskursi bazohet në filmin e Oliver Stone, JFK (realizuar në vitin 1991), ku roli i Garrison interpretohet nga aktori Kevin Costner (Kevin Kostner).

Për të analizuar diskursin retorik të një prokurori amerikan në sallën e gjyqit, duhet që si fillim të themi se sallat e gjyqeve ashtu sikurse dhe vetë mënyra e konceptimit të gjyqeve si procese, në Shtetet e Bashkuara janë tërësisht të ndryshme nga ato evropiane (aq më shumë ato shqiptare). Nëse në përgjithësi në kontinentin e vjetër, një sallë gjyqi përbëhet nga dy banka (në njërën ulet i pandehuri dhe në tjetrën kallëzuesi) përballë një tavoline të ngritur, ku qëndron toga e gjykatësve, (që në disa raste përfaqësohet edhe nga 3 ose dhe vetëm një gjykatës, në varësi të çështjes), në Shtetet e Bashkuara në mes këtyre pozicioneve qëndron një “shesh”. Ky shesh shërben si skenë për të shfaqur dhe interpretuar “skenarin” e mbrojtjes apo akuzës nga të dy përfaqësuesit e palëve të përfshira në proces. Pra gjyqet amerikane janë pak a shumë si një shfaqje, janë si një teatër ku “luhet/aktrohet”. Vetëm në gjyqet amerikane mund të dëgjosh përfaqësuesit teksa i drejtohen Gjykatësit duke bërtitur: “Kundërshtoj i nderuar…”. Kjo ndodh ngaqë në Shtetet e Bashkuara vendimi i fajësisë apo pa-fajësisë merret nga një grup personash që gjenden në anë të sallës, ky grup personash (që nuk ka lidhje me sistemin juridik, aq më tepër nuk ka formim juridik) quhet Juria dhe përbëhet nga 12 persona (numër që varion në varësi të llojit të çështjes, penale apo civile), ata vendosin për fajësinë ndërsa Gjykatësi vendos për dënimin. Pra duhet thënë se ky grup është “targeti” i përfaqësuesve të palëve të përfshira në proces, (janë ata të cilët synohen të binden), ndaj dhe secila anë shpesh ndërhyn duke kundërshtuar mënyrën e ligjërimit të palës tjetër pasi e gjykojnë se në disa raste, me disa aspekte të ligjërimit po e joshin (ose intimidojnë) Jurinë. Eshtë për këtë arsye që proceset gjyqësore amerikane janë më emotive sesa proceset evropiane (apo shqiptare) të cilat “fiksohen” më shumë në aspektet ligjore dhe në interpretimet e ligjeve sesa në “elocution” dhe “disposition”, në vetë mesazhin, mënyrën e përcjelljes së këtij mesazhi, pasi ndryshe nga proceset evropiane përfaqësuesve amerikan u duhet të bindin (për të drejtën dhe të padrejtën) persona që nuk kanë formim juridik, por që kanë “në dorë” vendimin. Kështu pra prokurori Garrisson duhet të bindë Jurinë se hetimi që ai ka kryer, argumentet dhe provat (dëshmitë) që ka mbledhur vërtetojnë se Clay Shaw është një nga organizatorët e komplotit ndaj Presidentit Kennedy, por sikurse do ta shohim ai nuk do t’ia arrijë ta bindë se ka të drejtë për këtë pikë, por gjithsesi ai nuk humbet, ai arrin ta bindë Jurinë dhe shumicën e “publikut” në sallë dhe jashtë sallës, që për vrasjen e Kennedy-it vërtetë ka pasur një komplot.

Diskursi dhe analiza.

Mjeku ushtarak, Komandanti James Humes (Dr.Xhejms Hjiums) sikurse ka pohuar vetë, vullnetarisht i djeg të dhënat e autopsisë së Presidentit Kennedy. Nga ana tjetër Presidenti Johnson (Presidenti Lindon Xhonson) urdhëron që limuzina e mbuluar me gjak dhe e bërë shosh nga plumbat, të pastrohet dhe restaurohet. Ai madje dërgon në pastrim kimik rrobat e gjakosura të Zotit John Connally[1](Xhon Konelij). Departamenti i Drejtësisë e pengon qasjen e këtij grupi hetimor me fotot e autopsisë. Kur më në fund nga Gjykata e Lartë na jepet mundësia për të ekzaminuar trurin e Kennedy-it, me shpresë se kështu do të mund të kuptojmë drejtimin nga i cili erdhi plumbi fatal që i mori atij jetën, na thuhet nga Shteti juaj (i drejtohet Jurisë) se truri i Presidentit na qenka zhdukur. Bashkë me të unë them se është zhdukur edhe koncepti i drejtësisë.

  • Në këtë pjesë Garrison nis të sjellë argumentet dhe faktet bazë që do të sigurojnë më pas silogjizmin e tij. Duke treguar (në mënyrë të pakundërshtueshme) faktin se disa prova kryesore mungojnë dhe kjo jo për faj të pa-aftësisë së grupit të tij hetimor, prova që kushtëzojnë pikëpamjet për të vërtetën, ai nis të riprodhojë ngjarjen. Narrativa e tij kryhet duke përdorur folje në kohën e tashme, folje (si djeg; urdhëron; dërgon; pengon) të cilat e bëjnë veprimin ende jo tërësisht të kryer duke e “futur” Jurinë më shumë në tregim, e duke krijuar së bashku me idenë e përjetimit edhe idenë e suspansës. Ndër të tjera vërejmë që Garrison duke iu drejtuar Jurisë “…nga Shteti juaj…” tregon qartë një aspekt distancimi dhe identifikimi të vetë thelbit të tezës që ai po fillon të tregojë: “Shteti është indirekt autor i vrasjes”. Si dhe kërkon ta përfshijë më shumë “publikun” duke i vënë në pah indiferencën e tij përballë kësaj situate.

Por, çfarë ndodhi atë ditë? Çfarë ndodhi në të vërtetë? Le të spekulojmë për një moment, a mundemi? (i drejtohet publikut) Në turmë kemi një rast krize epileptike që tërheq vëmendjen e  policisë, mungesë vëmendje e cila i lejon ata që kanë qëlluar të vendosen nëpër vendet e tyre. Kriza epileptike më vonë “zhduket” dhe si një hiç gjë, ky rast nuk do të regjistrohet kurrë në spital. Ekipi A shkon në katin e gjashtë të TSBD-së[2]. Ky institucion që asokohe ishte duke kryer punime, lejon punëtorët e panjohur të hynë e të dalin pa problem nga godina. Disa minuta para të shtënave ata lëvizin shpejt në pozicionet e tyre. Një vrojtues, nga larg, duke folur në radio me ekipet e tjera, sheh gjithçka shumë mirë. Pra ai është në një pozicion perfekt. Ka gjithçka nën kontroll. Ekipi B, me një vëzhgues dhe një qitës me pushkë, që të dy me të drejtë hyrjeje në ndërtesë, kalojnë deri në katin e ulët të godinës “Dal-Tex”[3]. Ekipi i tretë, pra Ekipi-C, lëviz nga pas gardhit të parkingut atje ku qitësi dhe vrojtuesi më pas do të shiheshin nga Lee Bowers (Li Bauers, dëshmitar). Ata marrin pozicionet më të mira. Kennedy në këto momente po afrohet. Pjesë e këtij ekipi me shumë gjasa duhet të ketë qenë dhe një koordinator i cili u komunikonte atyre kredencialet e njerëzve të policisë në turmë, duke u përpjekur që në rast nevoje t’u paraprinte forcave të rendit për t’i nxjerrë nga situata. Ky duhet të ketë qenë vrojtuesi me radio. Me siguri për këtë rol duhet ta kenë ndihmuar 2-3 persona të cilët gjendeshin në turmë. Pra kemi 10-12 veta. Tre ekipe, tre qitës, që formojnë atë trekëndësh që Clay Shaw[4] (Klej Sho’), dhe David Ferrie[5] (Dejvid Feu’ri), patën diskutuar dy muaj më parë. Ata bllokojnë Sheshin. E njohin pëllëmbë për pëllëmbë. Kanë kalibruar fushëpamjen. Të praktikuar me shënjestër në lëvizje, ata janë gati. Autokolona e Kenedit merr kthesën nga rruga kryesore për të vijuar përgjatë rrugës Houston[6]. Pritet të jetë një poligon qitje.

  • Garrison vazhdon tregimin e tij duke rindërtuar ngjarjen njëjtë sikur po ndodh “tani” në sytë e gjithë të pranishmëve në sallë. Duke përdorur sërish foljet në kohën e tashme ai e jep qartë idenë dhe dinamikën e ndodhisë. Ashtu sikurse parashtroi në fillim, dhe siç do të shohim do ta ri-shtrojë sërish, mungesa e provave kryesore (autopsia, provat balistike nga gjurmët e plumbave në makinë etj) e detyron atë të përqendrohet vetëm tek dëshmitarët dhe në bazë të dëshmive të tyre të ri-krijojë në mënyrë spekulative tërë ngjarjen. Pikërisht mbi këto dëshmi ai hedh dhe idenë se gjithçka, (organizimi dhe vendosja e qitësve në shesh), është kryer nga Clay Shaw. Garrison me fjali të shkurtra jep idenë e volumit të madh të lëvizjeve, idenë e një ngjarjeje të ndodhur në fraksion sekondash nga një mori lëvizjesh të vetë autorëve të ngjarjes lëre më forcave të rendit.

 Nuk e vrasin në rrugën Houston edhe pse nga pozicioni, do të ishte një gjuajtje fare e lehtë për qitësin në magazinën e librit shkollor. Por, ata presin derisa makina të mbërrijë në zonën e vdekjes, në mes të tre drejtimeve të zjarrit. Kennedy bën kthesën nga Houston në drejtim të rrugës Elm[7]. Ngadalëson duke ecur me rreth 6-7 kilometra në orë. Qitësit përreth Dealey Plaza-së, përqendrohen tek objektivi i tyre. Ata janë në pritje të radios për të dëgjuar urdhrat: “Ecni! Ecni!” ose, “Ndalni! Ndalni!”. E shtëna e parë del huq. Duke u dëgjuar si një krisëm marmite, plumbi as që i afrohet makinës.

  • Mënyra sesi Garrison përshkruan situatën është e frikshme. Spekulimi i tij shkon deri aty sa të thotë se qëllimi i vrasësve ishte pikërisht vrasja makabre e Presidentit duke u qëlluar nga 3 drejtime dhe jo thjesht vrasja, pasi vrasja mund të kryhej lehtë (sipas spekulimit të Garrison), që kur autokolona i afrohet kthesës së rrugës Elm. Detajet që jep Garrison (si për shembull shpejtësia e makinës, lëvizjet e autorëve të vrasjes apo vetë komunikimi në radio), miksuar me stilin e tij të fjalive të shkurtra e përshkruajnë në mënyrë rrëqethëse stimuluar dhe tashmë “shtënë në dorë” emocionet e Jurisë.

Imazhi 161[8], Kennedy ndalon së përshëndeturi pasi dëgjon diçka. Vërejmë që dhe Connally kthehet pak në të djathtë, a thua për të parë se ç’ ngjau. Imazhi 193, gjuajtja e dytë e godet Kennedy-in në fyt. Imazhi 225, Kennedy shihet pas sinjalistikës rrugore[9]. Ai tashmë është goditur, pasi shihet teksa ngre duart dhe i vë mbi fyt. E shtëna e tretë, imazhi 232, godet Kenedy-in në shpinë, duke e përkulur atë para-për poshtë. Connally, ju (Juria) e shihni, nuk tregon shenja se është qëlluar. Ai po mban kapelën e tij, gjë që do ishte e pamundur nëse dora e tij do ishte kapur nga plumbi. Shikojmë! Connally tani kthehet. Imazhi 238. E Shtëna  katërt. Del huq dhe godet Connally-in në shpinë. Kjo është e shtëna që provon se ka pasur më shumë se një qitës. Connally mërmërit, “O Zot! Ata do të na vrasin të gjithëve!”. Gjatë këtij momenti një tjetër gjuajtje del huq duke goditur James Tague[10]-un (Xhejms Tejgun) i cili gjendej në anën tjetër të rrugës. Makina frenon. E gjashta dhe fatalja. Imazhi 313, plumbi e kap Kennedy-in në kokë nga përpara. Kjo e shtënë është dhe çelësi i dinamikës së atentatit. Presidenti shkon për drejtim, pas nga e majta e tij, natyrshëm i goditur nga një gjuajtje e marrë drejtim ballor nga e djathta. Tërësisht pa lidhje me gjuajtjen që më parë i erdhi nga magazina. Edhe njëherë (u tregon sërish pamjet Jurisë). Shkon mbrapa dhe majtas. Mbrapa, majtas. Mbrapa, majtas.

  • Garrison duke treguar tashmë dhe pamjet filmike “i ka bërë për vete” anëtarët e Jurisë. Si disa spektatorë që shohin një film premierë, ata përveçse ndihen “të privilegjuar” tashmë nuk e kursejnë më vëmendjen. Pikërisht këtë vëmendje Garrison nuk e shpërdoron kot. Ai interpreton çdo pamje të videos duke e rikthyer dhe ripërsëritur disa herë interpretimin e tij (mënyrë kjo për t’ua fiksuar më shumë idenë që Garrison ka), derisa ri-kthehet tek teza e tij, që “nuk ka pasur vetëm një qitës dhe se plumbi fatal nuk ka ardhur nga Oswald” i cili në momentin e qitjes ishte i pozicionuar lart-pas autokolonës, dhe nga mënyra e lëvizjes së trupit të Kennedy-it, (si dhe nga ripërsëritja e disa hershme), Garrison vë në dukje se plumbi duhet të ketë ardhur nga para. Këtu ai vë në dukje rëndësinë e kërkesës së grupit hetimor për të analizuar trurin e Kennedy-it (kërkesë e refuzuar në mënyrë absurde me përgjigjien se truri ishte zhdukur), si dhe emocionon më shumë Jurinë teksa “lexon buzët” e Guvernatorit Connally duke e bërë më dramatike situatën.

Dhe çfarë ndodh më pas? Kaos. “Hajde ikim! E kapëm!” – qitësit çmontojnë armët e tyre, përveçse armën e Oswald-it[11]. Polici i patrullës, Joe Marshall Smith (Xho Marshall Zmith) vrapon drejt e pas gardhit të parkingut ngjitur me magazinën. Ai nuhat erën e barutit. Sheh dikë. E ndalon. Ky i tregon një letërnjoftim të Shërbimit Sekret duke i krijuar përshtypje se gjithçka është në rregull. E pyet nëse kishte njeri tjetër sipër në magazinë, e më pas kur ky i thotë se nuk kishte, Joe e lë të ikë. “Gjë për të cilën do të bëhesha pishman”- do të thoshte më vonë Smith. Ai dukej si mekanik. Ishte i veshur me sportive, dhe i kishte thonjtë e pista. Pas këtij përshkrimi nuk dukej dhe aq i vërtetë të ishte i shërimit. Në këto momente koha po krijon trysninë e saj. Nga të gjithë agjentët e Shërbimit Sekret të Dallasit, asnjë nuk është në krye të detyrës në Dealey Plaza, kështu do të jetë si para ashtu dhe pas të shtënave, derisa në 12:55 atje mbërrin vetë Shefi Shërbimit Sekret. Policia e Dallasit merr për verifikim të paktën 12 persona. Për arrestimin e tyre nuk do të ketë asnjë të dhënë. Burra që sillen si endacakë, shihen teksa arrestohen në sheshin Dealey Plaza, kjo do të dokumentohej me fotografi. Edhe për ta nuk do të ketë asnjë të dhënë për arrestimin e tyre. Tipa që do të identifikohen si agjentë të Shërbimit Sekret do të dalin kudo. Por kush ua tërheqë vëmendjen? Ku është Osvaldi?

  • Garrison vazhdon rindërtimin e ngjarjes në bazë të dëshmive duke vazhduar me të njëjtin stil (fjalitë e shkurtra, foljet në të tashmen). Ai tashmë jep detaje (ora, personat e arrestuar) duke kërkuar të rrisë vërtetësinë por edhe dyshimin anëtarëve të Jurisë për sjelljen e organeve të rendit duke i çuar ata gjithmonë e më shumë drejt tezës së tij se “Shteti ka qenë indirekt pjesëmarrës në vrasjen e Kennedy-it”.

Rreth orës 12:15, duke dalë nga magazina për të parë autokolonën e Presidentit, Carolyn Arnold (Karolin’ Arnold dëshmitare) sheh Oswald-in në katin e dytë, në rosticeri, ku më vonë ai vetë i pohon policisë se kishte vajtur për të marrë një Coca-Cola. Ai është në krah të djathtë të dhomës, sikurse do të pohonte dhe vetë, duke drekuar. Carolyn-a nuk i flet, por sikurse do të pohojë vetë ajo për policinë, e dallon qartë që është ai. Në të njëjtën kohë, Bonnie Ray Williams (Boni Rei Uiljams, dëshmitar) është duke ngrënë drekë në katin e gjashtë. Ai qëndron atje deri në 12:15, po themi deri në 12:20. Ai nuk sheh askënd. Arnold Rowland (Anold Roland, dëshmitar), nga rruga, sheh lart dhe dallon dy persona në dritaren e katit të gjashtë, me shumë gjasa ai i sheh këto dy persona pasi Williams ka mbaruar së ngrëni dhe është larguar. Edhe John Powell, (Xhon Pauell, dëshmitar) një i dënuar, i sheh këta dy persona, që nga kati i gjashtë i Gjykatës Penale[12]. Pra shumë prej nesh i shohin personat e asaj dritare. Më pas, pasi ndodh gjëma, të gjithë fillojnë të bërtasin dhe të çirren. Pasi në fillim ata mendojnë se këta persona ishin efektivë të sigurisë.

  • Nëpërmjet dëshmitarëve të ndryshëm, Garrison përshkruan pa u zgjatur vendndodhjen e Oswald-it. Ai madje jep edhe kohën duke “lëshuar pe” edhe për të dhënat e tij (po themi deri në 12:20…). Nëpërmjet dëshmive ai vë në dukje se Oswald nuk kishte qenë në katin e 6-të para të shtënave (por në katin e dytë duke drekuar). Duke sjellë dhe dy dëshmi të ndryshme ai nxjerr në dukje se realisht personat që shihen më vonë në dritare janë dy, pra në këtë mënyrë ai i jep logjikë tezës së tij të parashtruar në fillim se “(tre) ekipet ishin me të paktën nga një vëzhgues dhe një qitës”, pra dëshmitarët në kohën kur Oswaldi kishte qenë duke drekuar kanë parë tjetër person (vëzhguesin) në dritare, ndërsa më vonë ata do t’i shihnin të dy dhe pas të shtënave do të tregonin që nga pozicionet e tyre se nga erdhën (disa prej) të shtënat(ve). Vëmë re se Garrison e ndjen kaq shumë këtë dëshmi saqë përfshihet edhe vetë në të duke theksuar “shumë prej nesh i shohin”.

Nëse Oswaldi ka qenë vërtetë i vetmi vrasës, atëherë duhet thënë se ai ka qenë mospërfillës ndaj pozicioneve të caktuara në atentat. Më vonë, ai thotë policisë se ishte në katin e dytë në rosticeri. Ndoshta ka qenë në pritje të manovrimeve, në pritje të një telefonate. Telefonatë që nuk vjen kurrë. Maksimumi 90 sekonda pasi Kennedy qëllohet oficeri i patrullës Marrion Baker (Marjon Bejkër, dëshmitar) e sheh Oswaldin në rosticeri, në kat të dytë. Ai mendon: A është ky person një punonjës? Dhe pas një pyetje del në përfundimin se: Po! Ndërkohë Presidenti është qëlluar. Komisioni hetimor (e ka fjalën për Komisionin Warren) kërkon të na bëjë të besojmë se pasi kryen rrufeshëm 3 qitje për 5,6 sekonda, Oswaldi më pas i fikson mjeshtërisht gëzhojat në folenë e armës, fshin gjurmët e gishtërinjve, e fsheh pushkën në anën tjetër të papafingos, fluturon 5 palë shkallë duke kaluar Viktoria Adamsin (Victoria Adams, dëshmitare) dhe Sandra Stajlsin (Sandra Styles, dëshmitare) pa e parë, dhe i qetë në katin e dytë paraqitet përballë oficerit Baker. E gjitha kjo në një hark kohor prej 90 sekondash nga momenti i të shtënave. A po i merrej fryma? Sipas Bejërit: “Absolutisht Jo!”.

  • Në këtë pikë vjen dhe argumenti i parë i Garrisonit në lidhje me Oswald-in. Ai nëpërmjet disa fakteve të parashtruara nga dëshmitarët, bën një arsyetim logjik të vetë kohës që i duhej Oswaldit për të lëvizur nga një pozicion në tjetrin në mënyrë që të kishte një alibi dhe lë të mendohet (përfundimi), se diçka nuk shkon ose me vetë dëshmitë ose me vetë idenë se Oswald-i ishte i vetëm në katin e 6-të dhe veproi në të gjitha hapat po vetë (kështu sipas Komisionit Warren). Duke përmendur detajet (90 sekonda pas të shtënave ishte në katin e dytë, ndërkohë kryen 3 qitje për 5,6 sekonda, fsheh gjurmët dhe fluturon për në vendin ku oficeri Baker e sheh pa ju marrë fryma, por ndërkohë dhe pa e parë 2 punonjëset e tjera që ai po zbriste), Garrison e thotë qartë që nuk i beson kësaj ideje, kjo duket dhe në tezën që ai jep për arsyet se përse Oswald-i duhet të kishte qenë në katin e dytë të godinës (pra për të marrë me anë të telefonit, udhëzimet e tjera). Në këtë mënyrë Garrison “i fut” më shumë në dyshime anëtarët e Jurisë, të cilët tashmë përfundimin e Komisionit Warren kanë filluar ta ri-mendojnë.

Duke supozuar se ai është i vetmi vrasës, vazhdojmë: Oswaldi është i lirë që të largohet nga godina. Sa më shumë që ai të vonohet, aq më shumë shanse do të ketë që të rrethohet nga policia. A i drejtohet shkallëve më të afërta? Jo! Ai blen një koka-kola dhe duke ecur ngadalë, vërehet nga Zonja Reid (Ri’id, dëshmitare) në katin e dytë, duke zgjedhur distancën më të largët nga dalja, në të cilën policët tashmë janë grumbulluar. Çuditërisht, edhe pse tre të shtëna u dëgjuan të qëlloheshin që andej, askush nuk e bllokon tërësisht objektin për të paktën 10 minuta të tjera. Oswaldi del jashtë, njëjtë sikurse dhe disa punonjës të tjerë. Kur kupton se Kenedi është vrarë, ai kupton edhe që tashmë i ka punët pisk. Ndoshta ka kuptuar edhe se do ishte personi që do ja ngarkonin gjithçka. Një intuitë e tija, mbase! Përtej parashikimeve që mund të ketë pasur, Presidenti tashmë është vrarë. Telefonata që priti, nuk erdhi kurrë. Në këto momente mbase Oswaldi, për herë të parë ndjen frikë. Rreth orës 13:00,  një orë e gjysmë pas vdekjes së Kennedy-it, Oswaldi kthehet në shtëpinë e tij. Dikush qëlloi Presidentin, dhe ai çfarë bën: vesh xhaketën, merr revolverin e tij 38-ësh dhe del nga shtëpia në orën 13:04. Earlene Roberts, (Erlin Roberts, dëshmitare) mirëmbajtësja e shtëpisë, dëgjon dy tinguj të lëshuara nga një bori makine. Sikurse të ishte një sinjal. Dy policë me uniformë shfaqen në momentin kur Oswald gjendet ende në shtëpi. Ndërkohë oficeri J.D.Tippit,(Tipit, efektivi i vrarë, për të cilën u akuzua Osvaldi) qëllohet rreth orës 13:10 – 13:15, afërsisht një kilometër larg shtëpisë. Dhe, edhe pse askush nuk e pa duke ecur, Shteti thotë se Osvaldi e ka kryer këtë distancë. Duke i dhënë autoriteteve arsyen e dyshimit, Osvaldi na paska përshkuar këtë distancë për rreth gjashtë ose njëmbëdhjetë minuta dhe më pas na paska kryer krimin, na qenka kthyer në drejtim të kundërt na paska ecur rreth treçerek kilometri duke mbërritur në Teatrin e Teksasit, duke mbërritur aty rreth orës 13:30. Ja një përfundim me dobi: Në fund të fundit, pse Oswaldi duhej ta vriste oficerin Tippit?! Domingo Benavides (dëshmitar) që ishte një ndër dëshmitarët që u gjendën më pranë të shtënave, nuk pranoi ta identifikonte Oswaldin si vrasës. Acquilla Clemons (Akuila Klemons, dëshmitare) pa vrasësin dhe një person tjetër të shkonin në drejtime të kundërta, por ajo nuk u mor as për të identifikuar Oswaldin dhe as në pyetje nga Komisioni Warren (Uoren). Në vendin e ngjarjes, oficeri J. M. Poe, (Pou’) shënon inicialet e tij mbi gëzhojat për t’i regjistruar ato në bazën e provave. Më vonë këto iniciale nuk do të figurojnë në gëzhojat që Komisioni Warren do t’i ri-tregonte atij kur oficerit i merret dëshmia. Para orës 13:44, vetëm 14 minuta pas vrasjes policia nxjerr një përshkrim që përputhet me pamjen e Oswaldit. Oswaldi më parë shihet në Jefferson Aveneue, (Xheferson Avenju) nga Johnny Brewer (Xhoni Bruër, dëshmitar). Oswaldi në ato momente duket i frikësuar. Ai fillon ta kuptojë implikimin e tij në tërë këtë ngjarje. Ai shkon në Teatrin e Teksasit, mbase një pikë-takimi i para-caktuar. Edhe pse në xhep atij më vonë ju gjetën 14 $, pra edhe pse kishte para, ai refuzon të blejë biletë, që kushtonte diçka tek $ 0,75. Për biletarinë, Brewer njofton në këto momente policinë. Në përgjigje të kësaj thirrjeje të paktën 30 efektivë në makinat e patrullimit i drejtohen Teatrit. Ky është shembulli më i shquar i intuitës policore që nga “Zjarri Reichstag”-ut. Unë s’e ha këtë! Ata e dinin. Dikush e dinte që Oswaldi do të ishte atje. Brewer i prin efektivët brenda në teatër duke u treguar se ku është Oswaldi. “Ja ku është!”. Tashmë, ata e kapin njeriun e tyre. Që tani është paravendosur në Uashington. Kur ai nxirret jashtë teatrit një turmë e madhe e pret atë jashtë plot me britma. Lee Oswald duhet të jetë ndjerë si Jozef K. në librin e Kafkës: Procesi. Ai kurrë nuk kuptoi arsyet e arrestimit të tij. Ai nuk i pa as prapaskenat që luheshin kundër tij. Në Drejtorinë e Policisë, atij ju krijua dosja për vrasjen e oficerit Tipit. Për dosjen e tij nuk u mor asnjë jurist. Nuk pati asnjë të dhënë nëse ai u mor në pyetje apo jo. Kur dielli i ditës tjetër lindi, atij i shtua edhe vrasja e Presidentit. I gjithë vendi, i nxitur dhe nga media, e shpalli atë fajtor.

  • Në këtë pjesë të gjatë, Garrison nxjerr qartë idetë e tij mbi komplet operacionin që çoi në vrasjen e Presidentit. Duke nisur që nga mënyra sesi ai (Oswald-i) largohet nga magazina, për të kaluar tek arsyet logjike se pse ai duhej të shkonte në shtëpi për të marrë një armë, pse ai duhej që pasi të vriste një oficer policie t’i drejtohej Teatrit të Teksasit (me idenë se do ishte një vend-takim), duke u futur pa paguar biletën (duke rënë kështu në sy), e duke kaluar në faktet e mbetura pa shpjegim se pse godina nuk u bllokua nga policia edhe pse u kuptua direkt që nga atje erdhën disa nga të shtënat, pse dy dëshmitarë që kishin mendime të ndryshme nga sa thoshte Komisioni Warren nuk u morën në shqyrtim, pse inicialet e oficerit Poe nuk u gjetën më në gëzhojat e plumbave që vranë oficerin Tippit, si dhe më “e forta”, pse pas një raportimi për “mos pagesë bilete” duhej të shkonin 30 efektivë policie… të gjitha këto “pyetje” e çojnë Garrisonin në përfundimin se gjithçka ishte e përcaktuar. Dikush nga brenda duhet ta ketë “shitur” Oswald-in, ndaj prokurori merr përsipër ta imagjinojë se një gjë të tillë mund ta ketë menduar edhe vetë Oswald. Retorika e tij vishet me një krahasim tejet të goditur me të cilin Garrison thotë gjithçka. Ai e krahason mënyrën e kapjes së Oswaldit me Zjarrin e Reichtag-ut, që në vitin 1933 u përdor nga Hitleri për “të hequr qafe” Partinë Komuniste dhe për të konsoliduar më shumë pushtetin e tij, pra në të njëjtën mënyrë u përdor dhe vetë kapja e Oswald-it, për të mbyllur tërësisht këtë çështje dhe “hequr qafe” pikëpyetjet që mund të ngelnin. Në ligjëratën e tij Prokurori vazhdon duke e plotësuar entitemën përmes faktit se mediat jo vetëm që “u ushqyen” me informacion (për dëshmitë dhe të dhënat që zotëronin autoritetet), por u shtynë që të përcillnin dhe ndikonin në opinionin e përgjithshëm që Oswald ishte fajtor (i gjithë vendi… e shpalli atë fajtor).

Nën maskën e një patrioti, për të kursyer dëshminë e Jacqueline Kennedy[13] (Xhak’linë Kenedi), Jack Ruby[14], (Xhek Rubi), pronar i një lokali nate në Dallas, lihet në garazh nga një i brendshëm i policisë. Oswaldi qohet si “cjapi te kasapi” duke u përcjellë dhe në media si armik i popullit. Kush do ta vajtonte  Lee Harvey Oswald-in të varrosur në një varr “pesë lekësh” ku mbishkruhet emri Oswald? Askush. Deklarata të rreme dhe rrjedhje informacioni rreth Osvaldit bënë gjiron e Botës. Legjenda zyrtare u krijua dhe që aty, punën tjetër e kreu media. Ndriçimi i gënjeshtrave zyrtare dhe madhështia e ceremonisë së varrimit të Presidentit Kenedi, u ngatërroi gjykimin njerëzve. Hitleri ka thënë: “Sa më e madhe gënjeshtra, aq më shumë njerëzit do ta besojnë atë.”

  • Këtu dallohet qartë që prokurori kërkon që  ta udhëheqë emocionalisht publikun. Garrison vazhdon ta përmendë Hitlerin në diskursin e tij. Madje duke i cituar edhe thënie të ideologjisë së propagandës naziste. Më pak se çerek shekulli nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe në mes të Luftës së Ftohtë, përqasja me Hitlerin ka shumë efekt ndër amerikanë. Duke vazhduar të njëjtën linjë të tezës së inskenimit (të njëjtën tezë që ai e krahasoi me ngjarjet e 33-shit në Gjermani), aie shkon deri aty sa edhe vrasjen e Oswaldit e cilëson të parapërgatitur. Nën argumentin se askujt nuk do i vinte keq, Garrison thotë në njëfarë mënyre se kështu “u gjet drejtësia” aq shumë e kërkuar nga kuzhinat e mediave dhe nën citatin e Hitlerit këmbëngul se gjithçka është një gënjeshtër.

Oswald, një i çmendur, një njeri i vetmuar i cili kërkonte vetëm vëmendje dhe atë e mori duke vrarë një President, ishte vetëm i pari në një linjë të gjatë të mbërthyerish. Në vitet më pass burra si: Robert Kennedy[15], Martin Luther King, jr.[16], burra të cilët zotimi për të ndryshuar Amerikën në paqe i bëri ata të rrezikshëm përballë njerëzve të angazhuar pas luftës, gjithashtu do të vriteshin nga të tillë të çmendur të vetmuar. Të çmendur që heqin barrën e fajësisë duke e kthyer vrasjen në një akt të pakuptimtë vetmie. Të gjithë bëhemi Hamlet në vendin tonë, fëmijë të një babai-lider të vrarë nga ata vrasës që ende mbajnë fronin. Fantazma e Xhon Kenedit na përball me një vrasje të mbetur sekret në zemër të Endrrës Amerikane. Ai na detyron një pyetje rënduese: Për çfarë është bërë kushtetuta jonë? Sa vlejnë jetët tona? Ku është e ardhmja e një demokracie ku një President mund të vritet në rrethana të dyshimta dhe sistemi juridik dridhet të japë drejtësi? Edhe sa vrasje politike do na ndodhin të maskuara si aksidente, infarkte, vetëvrasjeve, kancer apo mbidozë të drogës? Sa aksidente me aeroplanë apo makina do të ndodhin para se ato të zbulohen qartë se çfarë janë?

  • Elokuenca në këtë pjesë arrin kulmin. Garrison duke i bërë një “identikit-psikologjik”Oswald-it e rreshton atë në radhët e vrasësve të dy liderëve të tjerë, Robert Kennedy-it dhe Martin Luther King-ut, duke arsyetuar indirekt se në të njëjtën mënyrë Shteti është përgjegjës edhe për këto vrasje. Në veshjen që ai i bën ligjëratës së tij përciptas përdor tezën kryesore se vrasjet kryen nga një grup shtetarësh që janë të angazhuar pas luftës. Pyetjet retorike që ai ngre sidomos lidhur me sistemin e drejtësisë, i drejtohet vetë Jurisë, si për t’i sfiduar që të bëjnë një hap përpara. Më pas pjesën për “vrasjet e maskuara” Garrison e lidh me vdekjet e dy dëshmitarëve kryesor, Jack Ruby-it dhe Davide Ferrie-it, vdekjet e të cilëve ndodhën radhazi (janar-shkurt ’67) dhe krejt pa-pritur. Pyetjet retorike rreth tyre vetëm sa theksojnë më shumë idenë indirekte të prokurorit se diçka mund të ketë ardhur nga vetë sistemi/Shteti.

“Tradhtia s’bën kurrë hajër”, ka shkruar një poet anglez (thënje nga John Harington, poet anglez 1561-1612). “E për ç’ arsye s’bën hajër? – Sepse në qoftë se do mund të shkonte për mbarë, atëherë askush s’do guxonte ta quante më tradhti”.  Publiku amerikan ende nuk e ka parë filmin Zapruder. Pse? Publiku amerikan ende nuk i ka parë fotografitë e vërteta të autopsisë dhe grafitë me rreze X. Pse? Qindra dokumente do mund ta ndihmonin këtë konspiracion. Pse, mbahen peng nga Shteti këto prova dhe lihen duke u djegur? Kur këto pyetje i ngre zyra ime apo i ngrini vetë ju (i drejtohet Jurisë), njerëzit e thjeshtë, kërkohen prova, ndërsa përgjigjia nga lart ka qenë gjithmonë: “Siguri kombëtare!” Çfarë sigurie kombëtare kemi ne kur në mes të një Sheshi na kanë goditur liderin? Çfarë sigurie kombëtare është kjo që i lejon vetes heqjen e një pushteti kaq kryesor nga njerëzit dhe dhënies epërsi të një Shteti të pa-dukshëm në Shtetet e Bashkuara? Kjo lloj sigurie kombëtare, që sillet, duket dhe ndihet si e tillë quhet ashtu sikurse dhe është: Fashizëm! Ja ku po ju them se ajo që ndodhi më 22 nëntor të vitit 1963 ishte një grusht Shteti. Rezultati i tij më i drejtpërdrejtë dhe tragjik ishte pezullimi i vendimit të Kenedit për t’i qëndruar larg Vietnamit. Lufta është biznesi më i madh në Amerikë, biznes që kap xhiron e 80 miliardë dollarëve në vit. Presidenti Kenedi u vra nga një komplot i planifikuar në nivelet më të larta të Shtetit, komplot i menduar nga mendje të ftohta e zbatuar nga luftëtarë fanatikë e të disiplinuar të Pentagonit dhe aparaturës së fshehtë të CIA-së. Midis tyre, edhe Cley Shaw, që sot gjendet këtu para jush.

  • Kjo është pjesa ku teza kryesore e Garrisonit më në fund shtjellohet. Pas disa pyetjesh retorike radhazi, të cilat sjellin përhumbjen në dyshime të Jurisë, prokurori nxjerr dhe tezën e tij, e cila mbetet e vetmja alternativë, sikurse thotë dhe vetë (nga pyetjet retorike për arsyet se pse faktet nuk publikohen) që shpjegon më drejt vrasjen e Kennedy-it. Prokurori përfshin edhe Jurinë në këtë përfundim (pyetje që ngrini vetë ju…) duke i kërkuar drejtpërdrejtë t’i bashkohet hapur këtij spekulimi si e vetmja vijë e drejtë shpjeguese për ngjarjet e ndodhura.

Ky ishte një ekzekutim publik, i mbuluar nga pjesëtarë të Shërbimit Policor të Dallasit, Shërbimit Sekret, të FBI-së dhe Shtëpinë e Bardhë deri tek vetë Xhon Edgar Huveri (J. Edgar Hoover, drejtori i parë si dhe themeluesi i Byrosë Federale të Hetimit, FBI-së, i vetmi që qëndron 37 vite dhe vdes në detyrë në moshën 77 vjeçare), dhe Lindon Xhonson të cilët në mos organizatorë u kthyen në bashkëpunëtor pasi u vunë në dijeni të fakteve. Vrasja e Presidentit, i jep pas-ardhësit postin e një zyrtari të përkohshëm. Detyra e tij tashmë është që në publik të flasë sa më shpesh të jetë e mundur për vullnetin dhe dëshirën për paqe ndërsa në Kongres të veprojë si një agjent biznesi i ushtrisë dhe kontraktorët e tyre. Disa thonë se “unë jam i çmendur”. “Një karikaturë nga jugu në kërkim të posteve të larta”. Por ka vetëm një mënyrë të thjeshtë për të përcaktuar saktë që unë qenkam paranojak. Kërkojini dy personave që kanë përfituar më së shumti nga vrasja, ish Presidentit Johnson dhe Presidentit tuaj të ri Nixon, që të bëjnë publik dosjen e ashtuquajtur 51 të CIA-së, dosje që ka të bëjë me Lee Harvey Oswaldin dh Jack Ruby-in. Ose ta gjejnë dhe po ashtu ta bëjnë publik fashikullin sekret të CIA-së, mbi aktivitetin e Oswaldit në Rusi, fashikull që u tha se u dëmtua gjatë fotokopjimit. Këto dokumente janë për ju, janë tuajat (u drejtohet sallës). Pra pronë e popullit. Ju paguani për to. Por përderisa Shteti ju sheh si fëmijë, që gjoja është shumë i shqetësuar për përballjet tuaja me këtë realitet pasi mund të përfshiheni dhe përhumbeni në të, ju (sërish i drejtohet sallës) nuk mund t’i shihni këto dokumente për të paktën 75 vite të tjera. Unë jam tek 40-tat e mija pra deri atëherë do kem dalë jashtë kësaj spiraleje vdekshmërie. Por ja ku po i them djalit tim 8-vjeçar (tregon djalin e tij që gjendet në sallë) që ta mbajë veten mirë fizikisht dhe psikologjikisht që në atë Shtator të lavdishëm të vitit 2038-të, ai të mund të shkojë në Arkivin Kombëtar dhe të mësojë se CIA dhe FBI-ja e dinin për vrasjen e Kennedy-it. Ata mund ta përgënjeshtrojnë sërish. Mund të bëhet dhe një çështje gjeneratash. Çështja që kalon nga një prind tek djali. Por një ditë, diku, dikush më në fund do ta nxjerrë këtë dreq të vërtete. Më mirë për ne. Ose në të kundërt na duhet t’i ndërtojmë vetes një tjetër Shtet, ashtu sikurse thotë dhe Deklarata e Pavarësisë, për rastet kur i vjetri nuk bën. Pak më larg se Perëndimi. Një natyralist amerikan do të shkruante: ” Një patriot duhet të jetë gjithmonë i gatshëm që ta mbrojë vendin e tij nga vetë Shteti.” (thënë nga Edward Paul Abbey, shkrimtar amerikan i njohur për avokatinë e tij ndaj çështjeve patriotike). E di që  keni një pozicion të vështirë për të marrë, (u drejtohet Jurisë) dhe do e urreja të isha në këpucët e tuaja. Keni shumë për çka të mendoni. Ju patë dëshmi që publiku i thjeshtë nuk i ka parë më parë. Nëse rikthehemi në kohën kur kemi qenë të vegjël, mendoj se shumica prej nesh në këtë sallë mendonte se drejtësia vinte vetvetiu. Ky virtyt kuptohej si shpërblim për ne. Se e mira triumfon mbi të keqen. Por kur rritemi kuptojmë që kjo s’është e vërtetë. Qeniet njerëzore kanë krijuar konceptin e drejtësisë, dhe kjo s’është diçka e lehtë pasi edhe në bazë të përvojës kemi kuptuar se e vërteta shpesh anon nga pushteti dhe shpesh dikujt në kërkim të së vërtetës i mbetet të luftojë pushtetin me një risk të lartë për qenien e tij. Njerëz si Sam M. Holland, (Sem Holënd dëshmitar), Lee Bowers (Li Bauers, dëshmitar), Jean Hill (Zhon Hill, dëshmitar) Willie O’Keefe (Uili O’kif, dëshmitarë), e kanë marrë në konsideratë rrezikun dhe të gjithë kanë bërë një hap përpara. Këtu, nga këto letra të dërguara nga gjithë vendet e Botës, kam rreth $ 8000 (tregon tufën e letrave). Dollarë, para xhepi, të dërguara nga shtëpiake, nga druvarë, shitës makinash, mësues, apo invalidë. Këta njerëz nuk i përballojnë dërgesat e tyre, por ata sërish dërgojnë. Njerëz që ngasin taksi, infermiere që këputen nëpër spitale apo prindër që i shohin djemtë e tyre të nisen për në Vietnam. Pse (u drejtohet sallës)?  Sepse atyre u intereson. Sepse ata duan të dinë të vërtetën. Sepse ata duan t’u rikthehet sërish si më parë vendi i tyre. Sepse ky vend ende na përket ne, na përket ne për aq kohë sa njerëzit do të kenë guxim për të luftuar për ato çka besojnë. E vërteta është vlera më e rëndësishme që ne kemi, dhe nëse Shteti na e vret atë, nëse nuk respektohen këta njerëz atëherë ky nuk është vendi në të cilin unë u linda, ose dhe vendi në të cilin unë do doja të vdisja. Tenison (Lord Alfred Tennyson, poet britanik i kohës viktoriane) do të shkruante: “Autoriteti e harron një mbret të vdekshëm” kjo shprehje nuk ka qenë ndonjëherë më e vërtetë sesa për John Kennedy-in, vrasja e të cilit ishte ndoshta një nga momentet më të tmerrshme në historinë e vendit tonë. Ne, njerëzit, sistemi i drejtësisë këtu në këtë sallë, edhe ju juria, të mbledhur për të gjykuar Clay Shaw-në, përfaqësojmë shpresën e njerëzimit kundër pushtetit shtetëror. Në kryerjen e detyrës suaj, (i drejtohet Jurisë) për të sjellë të dënuarin e parë  nga kështjella e letrave, për të dënuar Clay Shaw-në “…mos pyesni se ç’mund të bëj për ju vendi juaj, por se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj…”. Mos harroni mbretin tuaj të vdekshëm. Tregojini Botës që ky është ende një Shtet i popullit dhe për popullin. Në jetët tuaja nuk ka për të qenë asgjë më e rëndësishme se kjo.

E keni ju në dorë! Jay Shaw

  • Retorika e pastër që Garrison bën mbi rëndësinë e të vërtetës, përdorimi i djalit të tij për t’u shfaqur si hero i së vërtetës, përmendja e disa nga dëshmitarët, disa nga personat që dërgojnë letra, persona të zakonshëm të cilët kryejnë rolin e tyre në kërkesën për ta arritur të vërtetën, bëhet vetëm për vetëm që Juria “të frymëzohet” nga të tilla akte. Citimi i thënieve të poetëve dhe sidomos thënies së vetë Kennedy-it, përdorur si fund për ligjëratën e Garrisonit është një gjetje brilante për ta përfshirë jo vetëm Jurinë, por dhe publikun në tërësi,  pra në këtë mënyrë targeti i Prokurorit ndryshon, ai ja drejton diskursin e tij gjithë shtetasve amerikan, e ngre diskursin e tij në një diskurs të pa-shtershëm, pasi ashtu sikurse do të ndodhte, edhe më vonë kjo ligjëratë do të frymëzonte shumë qytetarë që të besonin realisht që John Kennedy u vra nga një komplot, jo nga një person i vetëm. Kjo ishte arritja e Garrisonit, që edhe pse nuk e bindi Jurinë që Clay Shaw ishte pjesë e komplotit, arriti ta bindte Jurinë se realisht vrasja e Kennedy-it nuk u krye vetëm nga një person.

Nëse këtë analizë do ta kryenim në aspektin politik duke marrë në konsideratë që Jim Garrison ishte anëtar i Partisë Demokratike, atëherë ky diskurs do të shihej në një këndvështrim tjetër, por që gjithësesi thelbi, mesazhi mbetet i njëjtë.

[1]John Connally (Xhon Konelij): asokohe Guvernator i Teksasit, ai ishte pasagjer në makinën e Presidentit Kenedi, dhe mbeti i plagosur rëndë.

[2]Texas School Book Depository, godina e Magazinës së Librit Shkollor.

[3] Dal-Tex: quhej kështu ndërtesa e Tekstileve të Dallasit, që ishte përkrah magazinës së librit shkollor në anën tjetër të rrugës South Houston Street.

[4] Clay Shaw (Klej Sho’): ish-ushtarak më pas biznesmen i suksesshëm në New Orleans, i vetmi i akuzuar për komplot ndaj Presidentit Kennedy.

[5]David Ferrie (Dejvid Feu’ri): ish-pilot, i cili do të gjendej i vdekur më pak se 1 javë pasi grupi hetimor i Garrisonit do të fillonte hetimet më 22 shkurt të vitit 1967-të. Ferrie që thuhej se ishte dëshmitar kryesor pasi ishte personi që thuhej se kishte pasur kontakte direkte edhe me Oswald-in edhe me Shaw-un.

[6]Kryqëzimi South Houston Street-Main Street, është dhe fillimi i Dealey Plaza, sheshi ku Kennedy qëllohet për vdekje më 22 nëntor të vitit 1963.

[7]Elm Street, përshkon në krah Sheshin Dealey Plaza.

[8]Garrison në këto momente fillon t’i tregojë Jurisë që do të shihte për herë të parë pamjet filmike që kanë kapur tërësisht momentet e vrasjes së Kennedy-it, pamje të xhiruara nga Abraham Zapruder. Më vonë ky filmim do të quhej thjesht si Zapruder Film.

[9]Zapruder duke xhiruar, është pozicionuar në cep të rrugës Elm, ngjitur me fillimin e gardhit të parkingut, pikërisht përballë autokolonës dhe në një moment pamjet pengohen nga një tabelë rrugore.

[10]James Tague, (Xhejms Tejg): dëshmitari i vetëm i cili gjatë atentatit të Kennedy-it u godit nga një plumb. Komisioni Warren nuk e mori në konsideratë duke mos e përfshirë në hetim.

[11]Lee Harvey Oswald, (Li Harvi Osvald): ish-marins, dezertues, i akuzuar si vrasësi “i vetëm” i Presidentit, qëllohet për vdekje nga Jack Ruby, 2 ditë pas vrasjes së Kennedy-it, duke e mbyllur kështu çështjen pasi ai nuk doli kurrë përpara një trupi gjyqësor.

[12] Gjykata Penale e Teksasit, godina e së cilës ndodhej në krah të rrugës Houston, diagonalisht me magazinën e librit shkollor.

[13]Jacqueline Kennedy: Zonja e Parë, bashkëshortja e Presidentit të 35-të, John.F.Kennedy.

[14]Jack Ruby: Vrasës i Oswald-it, dënohet me vdekje, vendim që do ta apelonte në dënim me burg, por gjithsesi do të gjente vdekjen 4 vite më vonë nga kanceri në mushkri.

[15] Robert “Bobby” Kennedy: Senator i New York-ut, vëlla i John Kennedy-it, vrarë më ‘68-ën, pasi u zgjodh kandidat për President nga radhët e Partisë Demokratike.

[16]Martin Luther King Jr.: Lider i lëvizjeve për të drejta të njeriut në vitet 60-të, vrarë më ‘68-ën pasi kishte organizuar shumë protesta civile që kërkonin më shumë të drejta për afro-amerikanët e Shteteve të Bashkuara.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s