Politika e Jashtme e Shqipërisë (2013-2014)

Që pas ardhjes në pushtet, Qeveria Rama i ka mëshuar fort një Politike të re të Jashtme. Politika e quajtur nga vetë Kryeministri si politika e “Zero problemeve me fqinjët” dhe rishqyrtimi i strategjive në qasjen e marrëdhënieve ndërkombëtare, bëri që kjo Qeveri ta niste vrullshëm dhe me mjaft optimizëm mandatin e saj, veçanërisht për politikën e jashtme, ku si qëllim ajo i vuri vetes një ri-dimensionim të vendit në raport jo vetëm me fqinjët por dhe me vendet e Bashkimit Evropian, ku objektiv kryesor ishte marrja e statusit që në dhjetor.

Pikërisht me këtë agjendë, Rama nisi disa udhëtime jashtë vendit, në fillim ishin vizitat në Itali, ku Rama u takua jo vetëm me Kryeministrin e atëhershëm Enriko Letan, por dhe me 3 ish-Kryeministrat, Silvio Berluskonin, Masimo D’Aleman dhe Xhuliano Amaton. Ai kërkoi mbështetje për marrjen e statusit kandidat dhe integrimin e Shqipërisë në BE, duke deklaruar se Italia është një vend strategjik për vendin tonë. Pas kësaj vizite në vendin fqinj dhe një gjysmë-garancie të siguruar nga Italia, Rama u ftua në Kosovë në përurimin e terminalit Adem Jashari në Prishtinë, ku prezent ishte edhe Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan. Pikërisht këtu ai mori një zbehje dhe kërcënimin e parë për politikën e tij “Zero probleme me fqinjët”. Nga terminali, Kryeministri turk deklaroi se “Kosova është Turqi” duke sjellë reagime të ashpra nga ana e Shtetit Serb. Rama nuk bëri asnjë manovër për të zbutur zemërimin e serbëve por vazhdoi me vizitat e tij duke vijuar me Greqinë, aty ku zhvilloi një takim me Kryeministrin Antonis Samaras. Gjatë këtij takimi Rama deklaroi se Greqia është vend strategjik për Shqipërinë, dhe njëjtë sikurse dhe nga Italia mori një gjysmë-garancie për marrjen e statusit kandidat. Por ai nuk foli qartë sesi do të zgjidheshin disa nga çështjet më kryesore që mbajnë pezull marrëdhëniet mes dy vendeve: marrëveshja e ujerave, çështja e toponimeve apo akoma më shumë zgjidhja e çështjes Çame.

Rama gjithsesi vazhdoi me vizitat e tij, ai vizitoi Maqedoninë ku me të njëjtën agjendë politike zhvilloi një takim me Kryeministrin Nikolla Gruevski, si dhe liderët e politikës shqiptare atje, Menduh Thaçi dhe Ali Ahmetin. Rama kërkoi thellimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, ndërsa nuk i dha një përgjigjie konkrete kërkesave të politikës shqiptare atje për një lobim të fortë nga Tirana zyrtare për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit. Rama pastaj vizitoi Turqinë, ku dhe atje deklaroi për një vend strategjik për vendin tonë. Pas këtyre vizitave dhe qëndrimeve të Ramës, opozita reagoi fort, sidomos me ish-Ministrin e Jashtëm Aldo Bumçin, duke e quajtur politikën e tij si një politikë të cekët dhe që jo vetëm nuk sillte një zgjidhje konkrete në çështjet më kryesore të Shqipërisë por që hapte dhe probleme me marrëdhëniet mes vendeve të rajonit. Pikërisht me këtë këndvështrim opozita e qortoi politikën e Qeverisë Rama edhe pas mos-marrjes së statusit kandidat në dhjetor.

Por pavarësisht kësaj, Qeveria Rama duket se i ka qëndruar sërish të njëjtës politikë. Rama vizitoi Gjermaninë ku në një takim me Kancelaren Merkel, kësaj radhe prezantoi diçka më ndryshe, përtej politikës së mëparshme, ai prezantoi dhe një plan për të tërhequr investitorët, biznesmenët gjerman në vendin tonë. Gjithmonë me sytë nga statusi i vendit kandidat, tashmë i parashikuar për t’u marrë në qershor, Rama mori nga Merkel një gjysmë-garancie që ajo çka ndodhi në dhjetor nuk do të ndodhte më nëse Qeveria e tij do t’i kapërcente qëndrimet skeptike të gjysmës së vendeve të Evropës Perëndimore.

Aktualisht pas këtyre takimeve, Rama po shikon si mundësi një vizitë në Beograd, vizitë e cila mund t’i kushtojë shumë politikisht, duke parë stereotipet dhe qëndrimet që mban ende opinoni publik në lidhje me ekzistencën e një mundësie të një “marrëdhënie të mirë” me Serbinë. Në këtë pikë, Qeveria Rama duhet të punojë fort me diplomacinë publike. Vizita dhe pjesëmarrja në një spektakël shqiptar e këngëtarit serb Zdravko Çoliç dhe kontestimet e shumta që solli kjo pjesëmarrje e tij, janë sinjalet konkrete se sa “delikat” është opinioni publik për sa i përket një marrëdhënieje me Shtetin Serb, të cilin Qeveria Rama e konsideron si strategjik dhe kryesor për të krijuar një rajon të qëndrueshëm dhe bashkë-të-integrueshëm për në Bashkimin Evropian. Në të njëjtën mënyrë, Qeveria Rama duhet të punojë fort me diplomacinë publike për të bindur dhe sqaruar opinionin publik përballë politikave të Shtetit grek, njëjtë sikurse dhe ato të Shtetit maqedonas, nalazez apo dhe turk. Problemet dhe kërkesat për rishikimin e historisë nga ana e turqve, kërkesat dhe indiferenca përballë problemeve etnike në Maqedoni, rasti i lumit Radika, problemet me të drejtat e njeriut në burgjet greke, rasti i Lumit Vjosa, çështja e toponimeve apo akoma më shumë ajo e Çamëve, janë çështje që opinioni publik shqiptar nuk mund t’i kalojë lehtë, veçse me një diplomaci të fortë publike, dhe akoma më shumë nëse shtojmë dhe politikën e shpallur nga Qeveria Rama të “Zero problemeve me fqinjët”, atëherë kjo diplomaci kthehet në domosdoshmëri.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s