“Në QSUT, me goditje në tru paraqiten 3-4 raste në ditë”

Sokrat Xhaxho, neurologÇdo ditë në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” paraqiten 3 deri në 4 raste, për shkak të aksidenteve cerebrovaskulare. Këto aksidente shpeshherë rezultojnë fatale, ose lënë pasoja serioze për jetën e njerëzve. Ndodh që të dëmtuarit të ngelen me një dorë, apo një këmbë që nuk e lëvizin dot më, por edhe të kenë vështirësi në të folur, apo vështirësi në të kujtuarin e gjërave. 

Doktor Sokrat Xhaxho, neurolog, në një intervistë për gazetën “Shekulli” thotë se:“Përmasat e aksidenteve cerebrovaskulare janë shumë të mëdha, aq sa në mbarë botën çdo 2 apo 3 sekonda humb jetën një njeri”. Sipas tij, pasojat e kësaj sëmundje janë të rënda për shoqërinë pasi të prekurit përgjithësisht mbesin invalidë. Trajtimi i aksidenteve cerebrovaskulare është në varësi të kohës se, kur ato konstatohen dhe paraqiten në urgjencë, sa më herët t’i drejtohen pacientët, aq më i lehtë është trajtimi dhe aq më të mëdha janë shanset për të shmangur invaliditetin. Dr. Xhaxho thotë se: “80-85 për qind e rasteve të aksidenteve cerebrovaskulare janë aksidente iskemike”. Mënyra më e mirë për t’i shmangur ato është parandalimi. Ky parandalim bëhet duke trajtuar problemet e tensionit, diabetit, apo sëmundjet e zemrës, që konsiderohen ndër shkaktarët kryesorë. Por edhe duke ndryshuar jetën sedentare, duke lënë duhanin dhe konsumin e alkoolit, faktorë këta që rrisin rrezikun e goditjeve.

Doktor Xhaxho, çfarë janë aksidentet cerebrovaskulare?

Aksidentet cerebrovaskulare, iskemike dhe hemorragjike janë sëmundje që kanë të bëjnë me qarkullimin dhe enët e gjakut në tru. Këto sëmundje janë të rralla, janë sëmundje që përgjithësisht kapin mosha relativisht të rritura, por mund të kapin pothuajse çdo moshë. Kjo sëmundje zë vendin e tretë në botë pas sëmundjeve tumorale dhe sëmundjeve të zemrës, edhe vendin e parë përsa i përket invaliditetit. Domethënë kjo sëmundje lë pasojën e një dore apo të një këmbe që nuk lëviz dhe ky invaliditet mund të zgjasë deri 3 muaj, apo edhe me vite. Kjo gjë i kushton goxha shoqërisë. Tjetër aspekt i kësaj sëmundje është edhe vdekshmëria, aksidentet cerebrovaskulare renditen të pestat në botë, si shkaqet e vdekshmërisë. Përgjithësisht iskemiket zënë rreth 80-85 për qind të aksidenteve vaskulare kurse 15-20 për qind zënë problemet hemorragjike.

Kush është shkaku kryesor i këtyre sëmundjeve?

Ndër shkaqet kryesore është sëmundja e arterosklerozës. Arteroskleroza sjell ato pllakëzat që veshin nga brenda enët e gjakut. Për ta bërë më të thjeshtë për njerëzit e thjeshtë, arteroskleroza i bën enët e gjakut, si ato tubat e sobës që kanë vite e vite që nuk janë pastruar. Kështu gjaku qarkullon me vështirësi dhe sjell një rast aksidenti cerebrovaskular. Tjetër shkak janë sëmundjet e zemrës. Çrregullimet e ritmit të zemrës, infarkti i miokardit, sëmundjet e valvulave. Kur ne operohemi nga valvulat e zemrës këtu predispozohet që të formohen koagula gjaku, të cilat kur nuk trajtohen mirë, i merr rryma e gjakut, ku më pas gjatë qarkullimit sjell një bllokim në enët e trurit. Kjo ndodh sepse enët e gjakut, të parat që dalin nga zemra janë ato që shkojnë në tru. Dhe në këtë rast, pra në rastin kur shkaktare e aksidenteve cerebrovaskulare iskemike është zemra, koaguli i gjakut shkëputet nga zemra dhe gjatë qarkullimit, hapësirën e parë që gjen është një enë gjaku që shkon në tru dhe këtu ndodh edhe bllokimi. Ky bllokim sjell atë mos-lëvizje të një këmbe apo të një dore, pra aksidentin cerebrovaskular-iskemik.

Por kush janë faktorët e rrezikut, ata që ndikojnë më tepër?

Këtu duhet ndalur dhe theksuar mirë, është tensioni i lartë. Rastet e tensionit të lartë mund të vërehen edhe te moshat 25-27 vjeç, apo edhe te më të rinjtë akoma, të cilët vuajnë nga tensioni i lartë. Tensioni i lartë quhet kur tensioni i matur disa herë e kalon 14-të me 9-ën, ose thënë ndryshe 140 me 90 milimetrat e shtyllës së zhivës. Kur i kalon këto shifra, 1 herë, 2 herë, apo edhe 3 herë në të matur, atëherë pacienti duhet me të shpejtë t’i drejtohet mjekut, të kryejë analiza dhe të gjejë shkakun e mundshëm. Ka shpesh raste në të cilat nuk gjendet shkaku i tensionit të lartë, por po të gjendet, shkaku kurohet. Kurohet edhe tensioni bashkë me kurimin e shkakut dhe kështu parandalohet edhe mundësia e një ataku cerebrovaskular. Diabeti është gjithashtu faktor rreziku. Të sëmurët me diabet janë të predispozuar që të vuajnë nga këto vështirësi të qarkullimit të gjakut dhe të jenë në rrezik të një aksidenti cerebrovaskluar iskemik. Faktor tjetër tejet i rrezikshëm është cigarja. Cigarja është kambanë alarmi, sidomos për të të sëmurur. Nëse një njeri ka babanë, apo ka një kushëri të parë me një goditje në kokë nga aksidentet iskemike cerebrale, ose ka një person me një infarkt në zemër në familje, pra kushdo që ka një rast të tillë në familjen e tij, nëse pi edhe cigare atëherë ka shumë më tepër mundësi, që të manifestojë një aksident cerebrovaskular. Ka shumë më tepër mundësi, që një ditë prej ditësh të gdhihet me dorën apo këmbën që nuk i lëviz. Tjetër faktor është alkooli. Abuzimi në konsumin e alkoolit është vërtetë shumë i dëmshëm. Ndërkohë faktor tjetër tejet me ndikim është jeta sedentare. Jemi mësuar që të pimë kafe, apo që për të vajtur 10 metra më tutje të marrim makinën, lëvizjet janë gjëja më e mirë për të parandaluar shfaqjen e kësaj sëmundjeje. Këtu më pas vijmë te kequshqyerja, ushqimi pa kriter dhe obeziteti që favorizojnë këtë sëmundje.

“Infarkti në tru, duhet mobilizuar shumë me mjekime”

Neurologu Sokrat Xhaxho gjatë intervistës shpjegon edhe mënyrën se si mund që të shmangen këto sëmundje. Ai tregon se, aksidentin cerebrovaskular mund ta kuptojmë në momentin që vëren që këmba ose dora nuk lëviz, has vështirësi në të folur, ke mungesë ekuilibri, marrje mendsh të forta, të rrotullohen objektet dhe të manifestohen të vjella. Sipas doktorit, mos-lëvizja e disa gjymtyrëve dhe vështirësia në të folur janë shenja madhore, shenja të cilat edhe po qe se pas një veprimtarie të përditshme zhduken.

Doktor po ata që vuajnë nga migrena, janë të predispozuar për t’u goditur nga një aksident cerebrovaskular?

Migrena thuhet që ka një faktor risku, por jo se është shkaktar për aksidentet cerebrovaskulare. Pra ka një predispozim për të qenë i prekur, por rastet përgjithësisht janë kur ajo shoqërohet edhe nga faktorë të tjerë që përmendëm.

Por si manifestohen aksidentet cerebrovaskulare?  

Për ta shpjeguar më thjeshtë për njerëzit që nuk i kuptojnë termat mjekësor ndodh kështu: Një ditë prej ditësh kur çohesh nga gjumi vëren që këmba ose dora nuk lëviz, has vështirësi në të folur, ke mungesë ekuilibri, marrje mendsh të forta, të rrotullohen objektet dhe të manifestohen të vjella. Këto pra, sidomos mos-lëvizja e disa gjymtyrëve dhe vështirësia në të folur janë shenja madhore, shenja të cilat edhe po qe se pas një veprimtarie të përditshme zhduken, (ose duke biseduar ose duke lëvizur). Është një kambanë alarmi, të cilën askush nuk duhet ta neglizhojë, aq më tepër nëse nga pas kemi probleme me tensionin, duhan-pirjen, konsum e alkoolit, obezitetin, apo akoma më shumë kemi një të afërm që është goditur nga një aksident iskemik cerebrovaskular. Në këtë rast duhet që t’i drejtohemi doktorit sa më shpejt të jetë e mundur. Këtu (në spital) më pas bëhet skaneri, kuptohen shkaqet dhe fillohet mjekimi, por nuk është se ka një mjekim specifik, një mjekim të mrekullueshëm për këto sëmundje. Nëse të ndodhin manifestimet e para, apo nëse ndodh infarkti në tru, duhet mobilizuar shumë me mjekime. Qoftë duke punuar me riaftësimin fizik, me fizioterapinë në mënyrë që të riaftësohet këmba apo dora. Kemi të sëmurë që edhe pse kanë kaluar vite të tëra, nuk e lëvizin fare dorën, humbin ndjeshmëri nevojtare, disave u ndodh që t’i kryejnë nevojat në krevat. Në këto raste ka nevojë për ndihmë të veçantë, qoftë të familjarëve, po ashtu edhe të personalit mjekësor. Por e gjithë puna është që të mos arrihet këtu.

Si mund të shmanget kjo doktor?

Këtu, pra në këtë gjendje nuk arrihet vetëm nëse aplikohet si duhet parandalimi. Kudo nëpër botë i vihet theks i veçantë parandalimit, që në këtë rast është trajtimi si duhet i tensionit, trajtimi i mirë i diabetit, trajtimi i mirë i jetës sedentare, heqja dorë përfundimisht nga konsumimi i duhanit apo alkoolit. Lëvizja, vrapi, fizkultura, ecjet e gjata, pra këto janë plotësisht të këshillueshme për të parandaluar aksidentet cerebrovaskulare iskemike.

Po hemorragjia cerebrale si ndodh? Cilat janë simptomat? Thuhet shpesh që, ato neglizhohen dhe si pasojë e kësaj neglizhence pacientëve u ka kushtuar në shumë raste edhe jetën…

Përgjithësisht hemorragjia cerebrale vihet re në mosha pak më të reja, sesa në rastet e tjera të aksidenteve cerebrovaskulare. Shkak mund të jetë tensioni, por mund të jetë edhe një anomali e enëve të gjakut të trurit, siç mund të jetë një malformacion arteriovenoz, apo një aneurizëm i enëve të gjakut. Aneurizmat janë disa flluska që bën ena e gjakut në rrethana të caktuara, muri i saj është shumë i hollë dhe është i predispozuar që të çahet dhe kjo është hemorragjia cerebrale. Kështu manifestohet një dhimbje koke, që përgjithësisht neglizhohet. Thuhet: “Hë mor se është thjeshtë një dhimbje koke!”. Por kur kjo dhimbje koke nuk e duron dot zhurmën, nuk e duron dot dritën, shoqërohet edhe me pak të vjella, me pak mpirje të buzës, ose ndonjë pjesë të dorës, apo këmbës. Është një kambanë alarmi për të cilën duhet menjëherë t’i drejtohemi spitalit. Në këtë pikë sa më shpejtë që diagnostikohet, aq më e shpejtë është ndihma dhe aq më e lartë mundësia që pacienti të mund të trajtohet dhe të mund t’ia dalë me sa më pak pasoja.

“Për t’i shmangur këto goditje, kryesorja është parandalimi”
Teknika që trajton aksidentet cerebrovaskulare është një teknikë e re, që ende nuk është implementuar në vendin tonë. Por nëse shtrimi bëhet brenda 3 orëve të para, nga momenti që të sëmurët janë goditur me trompozë në tru, teknika është që të injektohet një lëndë që quhet tëpazë, që arrin ta shkrijë trombën që është krijuar dhe të rivendosë qarkullimin e gjakut edhe në pjesën ku ishte bllokuar.

Po si trajtohen aksidentet cerebrovaskulare?

Këtu dua të flas për aksidentet iskemike. Në të gjithë botën këto aksidente trajtohen me një teknikë të re, teknikë që duam ta implementojmë edhe këtu në vendin tonë. Nëse të sëmurët që janë goditur nga një trombozë në tru, domethënë nga një aksident cerebrovaskular ishemik dhe paraqiten në spital brenda 3 orëve të para, kohë në të cilën përgjithësisht ne (doktorët) mundohemi që të bëjmë ekzaminimet, teknika është që të injektohet një lëndë që quhet tëpazë, një lëndë që arrin ta shkrijë trombën që është krijuar dhe të rivendosë qarkullimin e gjakut edhe në pjesën ku ishte bllokuar. E para shpëtohet jeta, e dyta qarkullimi rivendoset në tru, shmangen dëmtimet serioze dhe rëndimi i dorës dhe këmbës është goxha minimal, rëndime që më pas falë këtij lloj trajtimi rikuperohen shumë shpejt. Në Shqipëri nuk e kemi implementuar ende, por po përpiqemi që ta sjellim edhe këtu, por hallkat po kalohen, mënyra e organizimit, apo edhe ana financiare. Kjo lëndë kushton pak, por më shumë do të thosha që i kushton shoqërisë ai trajtim për t’i rikuperuar këta njerëz nga goditja, sepse do të harxhohet shumë me ilaçe, shumë me riaftësim, shumë më shumë për t’i ndihmuar ata që të bëhen të aftë për punë.

Sa janë rastet me aksidente cerebrovaskulare? Kush janë më të prekurit, meshkujt apo femrat?

Mund të them se rastet janë të shumta. Janë rreth 3 apo 4 raste në ditë, që paraqiten vetëm nga zona e Tiranës dhe rrethinat e saj, zonë që kap gati 1 milion banorë. Rastet që paraqiten janë me shtrirje të madhe të moshave, nga moshat e reja, 26 vjeç dhe deri te të moshuarit 80-85 vjeç. Në urgjencë kemi të paktën 3-4 raste në ditë, çka na bën që ne të mobilizohemi dhe të lëvizim, por kur gjendja që paraqitet pacienti është tejet e rënduar atëherë ajo nuk varet më nga ne (doktorët). Sa për gjininë, nuk është se ka një dallim, ndodh në të dyja gjinitë pak a shumë me të njëjtën shpeshtësi.

Cili do të ishte mesazhi juaj për këto sëmundje?

Mesazhi është që duhet t’i parandalojmë. Parandalimin e kanë në dorë vetë njerëzit duke kontrolluar dhe mjekuar mirë tensionin, diabetin. Duke hequr dorë nga duhani, alkooli. Duke rritur aktivitetin fizik si: vrapi dhe fizkultura, sa më tepër lëvizje. Aksidentet cerebrovaskulare janë më të lehta për t’u parandaluar sesa për t’u trajtuar. Nëse simptomat që ne thamë manifestohen, duhet në mënyrë urgjente t’i drejtohen një mjeku. Duhet thënë se, kudo në botë, çdo dy-tre sekonda një person humb jetën nga aksidentet cerebrovaskulare, në një kohë kur çdo sekondë ndodh një rast me goditje. Pra këto janë përmasat e kësaj sëmundje, ndaj mesazhi është që ta parandalojmë sa më shumë.

Publikuar te “Shekulli” më 5/12/2014

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s