“Shqipëria me prevalencën më të lartë për hepatite”

Tritan Kalo, infeksionistShqipëria ka prevalencën më të lartë në rajon përsa i përket rrezikut për t’u infektuar me hepatite, ndërkohë që dy muajt e fundit raportohen shtime të rasteve me hepatit A nga zona e Shkozës. Për gjithçka rreth tyre flet Dr. Tritan Kalo, infeksionist në Spitalin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), i cili gjatë një interviste për “Shekulli”-n, shpjegoi secilën formë të hepatiteve, simptomat e tyre që përgjithësisht ngatërrohen me sëmundje të tjera dhe situatën që është paraqitur së fundmi në spital.

Çfarë është hepatiti?
Hepatiti është një inflamacion i mëlçisë që shkaktohet nga infeksionet virale, infeksione që i shkaktojnë dëme mëlçisë, aq sa mund të kalohet deri në cirrozë apo në disa raste edhe kancer. Aktualisht njihen rreth 5 viruse që e shkaktojnë hepatitin, A, B, C, D dhe E, por sot është përcaktuar mjaft mirë edhe virusi G, që hyn në grupin e madh të hepatiteve dhe shkakton forma të ndryshme të infeksioneve.

Hepatiti A
Hepatiti-A është virusi me përhapjen më të madhe në botë, një virus që zakonisht merret nëpërmjet rrugëve fekalo-orale, pra nëpërmjet ushqimit, përmes produkteve të kontaminuara, të cilat mund të shkaktojnë epidemi të mëdha. “Pjesa më e madhe e njerëzve infektohen nga ky virus, që kur janë fëmijë, për vendin tonë mund të thuhet se rreth 80-90 për qind e popullatës mbi 10 vjeç e kanë kaluar këtë hepatit. Pra është një virus që zakonisht jep forma të lehta të sëmundjes”, thotë Dr. Tritan Kalo, i cili më pas sjell si problematikë shtimin këto dy muajt e fundit, të rasteve me hepatit A. “Problem që është te ne këto dy muajt e fundit, është shtimi i rasteve me këtë lloj hepatiti, sidomos për një zonë të veçantë siç është Shkoza. Pra në këtë zonë mund të kemi problemin e kontaminimit, ose përmes ujit të pijshëm, ose përmes ushqimit. Në këtë drejtim janë vënë në dijeni organet përkatëse të higjienës, organet epidemiologjike, Instituti i Shëndetit Publik, si edhe Ministria e Shëndetësisë. Përgjithësisht nuk është një problematikë e panjohur dhe në këtë drejtim mund të them se ka pasur lëvizje”.

Hepatiti-B
Hepatiti B është një formë më specifike, sepse zakonisht ka një mënyrë më të veçantë infektimi. Hepatiti B transmetohet nëpërmjet gjakut, përmes kalimit nga nëna te fëmija, përmes përdorimit të shiringave të kontaminuara, përgjithësisht ndër përdoruesit e drogës, por edhe përmes kontakteve seksuale. “Duhet thënë se, së fundmi meqenëse gjaku edhe nënat shtatzëna janë të kontrollueshme, rruga e vetme, në masë, e infektimit ka mbetur rruga seksuale, edhe për këtë duhet thënë se hepatiti viral B është në krye të listës së sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, madje 100 deri 1000 herë më infektuese, sesa virusi i HIV-it”, shprehet doktor Kalo. Hepatiti B mund të kalojë në rast të rëndë që quhet fulminant dhe këtu kjo sëmundje mund të shkaktojë edhe vdekjen, pasi me rëndimin e saj nxjerr jashtë funksioni mëlçinë.

Hepatiti-C
Hepatiti-C është një virus që përgjithësisht merret vetëm me anë të gjakut dhe ndër më të rrezikuarit janë ata që transfuzojnë gjak, të sëmurët me dializë, të sëmurët me talasemi e të tjerë. Kjo ndodh kur një flakon gjaku mundet të ketë ngarkesë të pakët virale dhe të mos diagnostikohet me hepatit C, pasi testet kanë pragje të përcaktuara analizuese. Hepatiti C në të shumtat e rasteve shkakton hepatit kronik dhe në disa raste edhe kancer.

Hepatiti-D
“Hepatiti-D është një virus që ne mjekët i themi defektuoz”, thotë mjeku i infektivit, Tritan Kalo. “Është një virus që nuk shkakton më vete sëmundje të mëlçisë po qe se nuk i mbivendoset virusit të hepatitit B”. Ky hepatit përhapet në të njëjtat rrugë sikurse hepatitet B dhe C. Mbivendosja e hepatitit D me hepatitin B shkakton infeksion kronik madje edhe cirrozë të mëlçisë.

Hepatiti E
Hepatiti-E është pak a shumë si Hepatiti A dhe merret nëpërmjet rrugëve orale. Ky virus mund të shkaktojë epidemi të mëdha, fatmirësisht jo në vendin tonë. Këto epidemi ndodhin përgjithësisht në Indi, Afrikë të Jugut, Pakistan, vende që kanë probleme me ofrimin e ujit të pijshëm, kontrollin, klorifikimin e tij. E-ja është e rrezikshme sepse mund të japë forma të rënda te gratë shtatzëna.

Hepatiti G
“Hepatiti G është i njëjtë, sikurse Hepatiti A dhe E për nga infektimi, por është një formë më e rrallë”, thotë doktor Kalo.

Prevalenca në Shqipëri
Vendi ynë është një vend me prevalencë të lartë infektimi me hepatit. Kjo prevalencë, sikurse thotë doktor Tritan Kalo është kalkuluar të jetë mes 7.9 deri në 19 për qind e popullatës. “Shqipëria ka prevalencën më të lartë të infektimit me hepatitin B në Evropën Juglindore. Në këtë drejtim jemi më të infektuar se, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia e tjerë me radhë. Kjo prevalencë e hepatitit B çon në një prevalencë të lartë, edhe për rastet e bashkëngjitjeve të virusit D dhe kjo është tejet problematike”, shprehet doktori, i cili më pas tregon se prevalenca e hepatitit C është 1.5%.

Simptomat
Hepatitet janë tinëzare dhe shpesh nuk shfaqin shenja të qarta të infektimit, duke treguar simptoma afërsisht të njëjta me gripin apo me ndonjë sëmundje tjetër. “Një hepatit mund të fillojë si një pseudo-grip, mund të fillojë si një çrregullim gastrointestinal, bark të vjella. Mund të fillojë si një dhimbje artikulare, si pseudo-artrit, këtu një i sëmurë që herë pas here ka dhimbje kockash është i këputur kujton se janë fenomene të reumatizmës, por në vetvete është fillimi i një hepatiti. Mund të fillojë edhe në formën klasike me ndryshimin e ngjyrës së urinës, daljen e zverdhjes në sy dhe më vonë në lëkurë, këtu më pas njerëzit e thjeshtë orientohen më lehtë duke e identifikuar sëmundjen. E keqja është se shfaqja e hepatitit me këto simptoma ka një përqindje më të ulët, 60 deri në 70 për qind e të sëmurëve kalojnë pa u zverdhur duke mos e kuptuar që në fakt po kalojnë një hepatit. Këtu pjesa më e madhe e njerëzve rastësisht, ose duke dhuruar gjak, ose duke bërë një bilanc shëndetësor, zbulojnë se kanë kaluar një hepatit”.

Trajtimi
Hepatiti B, 90% e rasteve shërohet që në fillim, ndërsa vetëm 10% e tyre ose mbeten mbartës të virusit, ose mund të zhvillohen në forma kronike. Hepatiti C ka rrezikshmërinë që kroniçizimi i saj mund të jetë 50 me 50-të. “Në distancë 10-15 vjet nga format kronike, rastet mjekohen që të mos zhvillohen në atë çka quhet hepato-karcinoma, dëmtimi degjenerues malinj i mëlçisë (kanceri). Mjekimi bëhet duke marrë preparate antivirale, sipas protokolleve që sot zbatohen edhe në Shqipëri duke kombinuar peginterferonin me ribavirinën, ose tenofovirin (emra preparatesh anti-virale). Me tenofovir kryesisht hepatiti B, ndërsa me peginterferon dhe ribavirinë kryesisht hepatiti C, por është mjeku që përcakton në bazë të genotipit të virusit protokollin e të mjekuarit. Fatmirësisht Ministria e Shëndetësisë i ka aprovuar këto protokolle në Shqipëri dhe të sëmurët i marrin mjekimet falas, por duhen ndjekur nga shërbime të specializuara në QSUT-së”, thotë doktor Kalo.

Parandalimi
Duke filluar nga viti 1993-94 e deri më sot, fëmijët vaksinohen. Vaksinimi është mënyra më e mirë e parandalimit. Fatmirësisht nënat shtatzënë tanimë ndiqen nëse janë ose jo mbartëse të virusit, nëse janë ose jo duke kaluar një hepatit gjatë shtatzënisë në mënyrë që fëmijës së sapolindur t’i aplikohet imunoglobulina kundër hepatiti B dhe fillohet vaksinimi i fëmijës që në maternitet. Kjo gjë eliminon infektimin e fëmijëve gjatë shtatzënisë, fëmijë që më pas në të kundërt do të jenë kontingjenti më i predispozuar për të formuar forma kronike të hepatitit. Parandalim parësor është higjiena e ushqimit dhe ujit. Në këtë mënyrë i shmangemi hepatitit A dhe E. Duhen shmangur kontaktet me objekte të infektuara, këtu duhet pasur kujdes me tatuazhet apo pirset ku aparaturat duhen të jenë të sterilizuara dhe më kryesorja që gjatë marrëdhënieve seksuale të përdoren masa mbrojtëse.

Mesazhi
“Gratë shtatzëna duhet të dinë patjetër gjendjen e tyre nëse e kanë kaluar apo jo hepatitin B. E mira do të ishte që përpara martesës të dihej gjendja personale dhe e partnerit, nëse është apo jo seropozitiv me virus hepatiti, që më pas të merren masa. Këshillë madhore është kryerja e marrëdhënieve të mbrojtura seksuale pasi 80-90% e rasteve, që ne zbulojmë janë transmetuar nëpërmjet rrugëve seksuale. Ndërsa më kryesorja është që ndjekja e hepatitit të mos bëhet në mënyrë amatore, pra jo nëpërmjet këshillave të gjyshes, por nëpërmjet një mjeku që e njeh problematikën e hepatitit dhe ecurinë e sëmundjes”, thotë doktor Kalo.

Publikuar te “Shekulli

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s