“Spitali i Traumave ka mangësi aparaturash dhe stafit të kualifikuar”

Agron Dogjani, kirurg traumatologDy vjet pas kalimit në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, ish-Spitali Ushtarak tashmë Spitali Universitar i Traumës, vazhdon të ketë problematikat e tij. Ndër më kryesoret mbeten mungesa e aparaturave, por dhe e kualifikimeve të personelit mjekësor. Në një bisedë për “Shekulli”-n vjen doktor Agron Dogjani, mjek-kirurg në Spitalin Universitar të Traumës. Dogjani e cilësoi si tejet problematike mungesën e kualifikimit të duhur të një pjese të stafit, ndërsa përmendi edhe disa nga mangësitë në aparatura, që hasin mjekët në punën e tyre. Nga ana tjetër ai vlerësoi investimet e fundit që janë kryer, por tha se ato nuk mjaftojnë edhe nuk duhet që të ndalen këtu. 

Shumë raste, reanimacioni qëndron plot
“Rastet janë të shumta, rreth 70 në ditë. Imagjino nga 7 ditë që ka java, në gjashtë ditë reanimacioni qëndron “full” (plot)”, thotë doktor Dogjani. “40-42 për qind e rasteve që paraqiten në ‘Spitalin Universitar të Traumës’ (SUT) janë neuro-trauma, nga të cilat rreth gjysma e tyre kërkojnë shërbimin nga reparti i terapisë intensive. Traumat lokomotore (të gjymtyrëve) janë shumë më të shpeshta, ndërkohë që aksidentet me makina, si shkaktarë zënë rreth 47 deri 60 për qind të rasteve. Plagët me armë të ftohta apo zjarri janë gjithashtu goxha problematike, edhe goxha në masë, ndërsa aksidentet e rënieve nga lartësitë shkojnë deri në 25 për qind, ndërkohë që në vendet e tjera këto aksidente janë më pak se 10 për qind. Në këtë drejtim duhet të merren masa, sidomos në punë, që këto aksidente të mos ndodhin. Përgjithësisht të sëmurët që vijnë këtu (SUT) janë të politraumatizuar, që do të thotë se lëndimet e marra nuk kanë shtrirje lokale, por kanë prekur edhe në vende të tjera. Radhë herë ndodh që lëndimet të jenë unike, për këto mund të themi se janë lëndimet që zakonisht pësohen nga zënkat, grindjet, sherret me grushte, apo mjetet e forta, prerjet me thika që kanë vetëm një trajektore. Lëndimet e këtyre rasteve zakonisht lokalizohen në abdomen (në bark) apo thorax (gjoks). Ndërsa për lëndimet me armë zjarri mund të themi që përgjithësisht janë me 2-3 plumba, edhe plagët kanë shtrirje të ndryshme. Ndaj në këto rrethana trajtimi është më i ndërlikuar dhe kërkon më shumë kohë, sepse prioritet merr plagë që janë më vdekjeprurëse”.

Trajtimi i traumave, problematike mungesa e kualifikimit
Traumat trajtohen në 4 shtylla kryesore: parandalimi, shërbimi në vendngjarje dhe transporti, spitali dhe shërbimi në shtëpi. Doktor Agron Dogjani shpjegon se si fillim është i nevojshëm parandalimi që “ne pothuajse se bëjmë fare”, dhe më pas vazhdon me shtyllat e tjera. “Në këtë drejtim duhen më shumë fushata sensibilizuese për t’i shmangur aksidentet dhe sidomos për t’i edukuar njerëzit, sesi duhen ndihmuar të aksidentuarit. Edhe kur këto fushata bëhen, nuk bëhen në lidhje me Spitalin e Traumës, por me elemente të tjerë si: ‘Kryqi i Kuq’ apo fushata ‘Dhuro gjak!’ etj. Ndërsa në shkolla nuk ka programe mësimore apostafat për këtë problematikë. Shërbimi në vendngjarje është elementi thelbësor në trajtimin e traumave. Ne nuk bëjmë asgjë. Në rastin më të mirë në rrugët kombëtare një të aksidentuar mundet që ta sjellë një automjet policie, ndërsa në rastin më të keq me atë solidaritetin e paedukuar, o burra fute në makinë dhe me vrap në spital, pa e ditur që ky lloj trajtimi ka rrezik invaliditeti ose edhe vdekjeje. Pa e ditur që në automjet duhet të mbahet një qafore, pasi një qafore e vënë në kohën e duhur është zgjidhja optimale për këto raste. Përsa i përket shërbimit në vendngjarje, më në fund te ne është arritur që të përdoret sistemi anglo-sakson i traumës, që presupozon shërbim të kualifikuar mjekësor me paramedik (paramjekësor). Ndryshe nga sistemi franko-gjerman që e çon ekipin mjekësor të kualifikuar (mjek) te vendngjarja, sistemi anglo-sakson çon një paramedik me gjithë ekipin e tij, edhe ky ekip jep ndihmën e parë të kualifikuar mjekësore, duke e përgatitur të lënduarin për t’u nisur për spital. Ky sistem e kthen paramedikun në profesion, ne akoma kujtojmë se paramediku është thjesht për të mbajtur barelën. Në sistemin franko-gjerman parashikohet që të bëhet shumë në vendngjarje, edhe pak në spital. Ndërsa në sistemin anglo-sakson e kundërta, pak në vendngjarje, edhe shumë në spital. Por a jemi ne të përgatitur për këtë sistem? Shenjat janë të mira, por kur do të implementohet konkretisht? Ndërkohë aksidentet shtohen çdo ditë. Sa për spitalin, mund të them se nuk ka infrastrukturën e nevojshme për të pritur rastet e urgjencave. Pavarësisht se është Qendra Kombëtare e Traumës, ajo ka elementë të shërbimit të kualifikuar mjekësor, por jo të gjithë shërbimin. Infermierët që i ke në shërbimin e traumës nuk është se kanë mbaruar ndonjë shkollë për traumën, jo se nuk duan ata, por nuk i janë nënshtruar ndonjë arsimimi përkatës posaçërisht për traumat. Kemi 20 vjet, nuk ka asnjë certifikatë për traumat. Kualifikimet për traumat këtu numërohen me gishtat e dorës. Kjo situatë kalon edhe tek shërbimi i kirurgjisë. Kemi mjekë që kanë dhënë një kontribut të madh ndër vite, por Shqipëria ende nuk ka një kirurg traumatolog me licencë, siç e kanë Shtetet e Bashkuara për shembull, 5 vite shkollim për kirurgji traumatologjike. Këtë anë e kemi marrë ose me përvojë, ose me trajnime dhe specializime, jo me një shkollim konkret për këtë fushë. Te ne ngatërrohet ortopedi-traumatologjia, që është një pjesë e traumës, ka dhe ajo rëndësinë e saj pasi mbulon traumat e ekstremiteteve, por, po traumën e toraksit, abdomit, po traumën e kokës si do t’i mbulojmë? Pra jemi përballë një emergjence të tillë. Hallka tjetër e trajtimit më pas është gjithashtu problematike. Shërbimi në shtëpi, te ne mbetet zero, nuk ekziston. Del pacienti nga spitali nuk dihet kush do t’i bëjë shërbim në shtëpi. Deri diku ekziston baza vullnetare që dalin janë disa shoqata dhe e mbulojnë, por ato, për arsyet e tyre, nuk janë të përhershme. Duhet një spital rehabilitimi, ne kemi vetëm një pavijon, doktorët tanë punojnë si heronj, por s’mund t’ia dalin dot me kaq e kaq raste”.

Rreth 80 për qind e të trajtuarve pa sëmundje shoqëruese
“Nuk e di sesi mund të merret, si fat i mirë apo i keq, por unë e shoh nga ana mjekësore”, thotë doktor Dogjani, i cili më pas vazhdon të tregojë konstatimin e tij. “Më shumë se 75-80 për qind e rasteve që trajtojmë ne, janë në mosha të reja, ky është disi fat i keq, por e mira është se këto raste nuk kanë sëmundje shoqëruese. Pavarësisht se këta pacientë janë në traumë, ne punojmë në pjesën më të madhe të rasteve me pacientë të shëndoshë. Kjo e bën rikuperimin e tyre më të mundshëm edhe më të shpejtë. Tjetër gjë do të ishte nëse do të kishim pacientë në moshë, pacientë me sëmundje për shembull diabetikë, me sëmundje të gjakut, apo akoma më keq të sëmurë që kanë patologji malinje, sëmundje që kërkojnë trajtim krejt specifik dhe ndryshojnë të gjithë parametrat organikë. Pacientët e rinj kanë rezerva fiziologjike më të mira dhe i përgjigjen më mirë trajtimit, sesa pacientët me sëmundje kronike apo ata në moshë”.

Problemet që shkaktojnë pesimizëm te mjekët
“Duhet që të vendosen disa piketa ku nesër të ngrihet hap pas hapi shërbimi i duhur për traumat. Çfarë ka ndodhur deri më sot ka ndodhur, por tani e tutje duhet të vendoset rregull. Mos të punësohet askush që s’ka kualifikimin e duhur. Nuk është se nuk bëhet punë këtu, nuk është se nuk ka njerëz që punojnë. Për kushtet që kemi mjekët e një spitali perëndimor nuk do bënin dot gjë, jo se nuk janë të zotë ata, por nuk janë mësuar. Te reanimacioni që qëndron gjithnjë plot, të vjen një pacient s’ke ku e fut. E para fare, të vjen i sëmuri nga rrethet, e të plaset këtu pa epikrizë (letër shoqëruese ku shkruhet trajtimi i kryer nga mjekët e parë që e kanë marrë përsipër pacientin). Kështu ne duhet të pyesim pacientin ose familjarët se çfarë u ka bërë mjeku i mëparshëm, dhe kjo mungesë informacioni i bën dëm pacientit. Aparaturat. Aparaturat që vijnë, s’është se nuk vijnë, nuk shoqërohen me aparatura të tjera. Ja për shembull, po vihet një skaner i ri. Mrekulli! Por një skaner nuk duhet të jetë i vetëm, duhet të shoqërohet nga një infrastrukturë tjetër, nga një eko e mirë, një zinxhir televiziv i mirë dhe kështu me radhë. Pastaj është pjesa e kualidimit, kur kalon njëfarë kohe këto pajisje kërkojnë rikualidim. Mungon kjo hallkë. Jemi krejtësisht prapa me atë që quhet radiologjia-intervencioniste, që mundëson që shumë trauma të mos operohen, si për shembull trauma e mëlçisë, shpretkës dhe me radhë. Ne jo vetëm që se kemi si shërbim, por as që ka projekte për të ardhur në këtë pikë. Kjo na bën pesimist si mjekë. Sallat e operacioneve s’kanë temperaturë konstante. Tre pika janë kryesore nga të cilat nëse nuk janë marrë masat për to mund të çojnë në vdekjen e një pacienti nga traumat. Është hipotermia (temperaturë), acidoza metabolike dhe koagolopatia. Njerëzit nuk e dinë, por ne nuk i mbulojmë dot këto pika. Temperaturën s’e kemi në dorë ne (mjekët) e ka Shteti në dorë me investimet. Që të masësh koagolopatinë është i nevojshëm një sistem matës që ne nuk e kemi. Që të matet acidoza metabolike është i nevojshëm astrupi, një mjet që ne nuk e kemi. Imagjino ne hymë në luftë pa asnjë nga këto elemente. Ja për shembull, që të kemi profilin e koagulimit të një pacienti në rregull, duhet që minimalisht çdo i sëmurë që vjen me traumë të ketë minimalisht 10 njësi gjak. 70 trauma që vijnë në ditë këtu, mundet që të kemi ne 700 njësi gjak? E pamundur!”.

Shumë raste, reanimacioni qëndron plot
Në fillim të muajit dhjetor u organizua një konferencë shkencore pikërisht për traumat dhe shërbimin e urgjencës, nga ku u diskutuan mundësitë e zgjidhjes së problemeve që hasen sot në këtë fushë. Në këtë aspekt u cilësua si goxha ndihmues fakti se, vitin e ardhshëm parashikohet që të fillojë funksionimi i “Qendrës Kombëtare të Urgjencave Mjekësore” (ose ndryshe ETC – Emergency Trauma Center). Doktor Agron Dogjani, edhe pse me shpresë të madhe te ky projekt, thotë se duhet të hidhen piketat e para dhe të mos ndalet vetëm te krijimi institucional i ETC-ës. “Projekti është në fazë embrionale, por shpresoj që të bëhet diçka konkrete dhe të mos mjaftohet thjesht me krijimin e institucionit, sepse ka ardhur koha që shërbimi i ambulancave të bëhet me distrikte, siç e ka e gjithë bota. Ndërkohë që ne kemi mangësi të mëdha në këtë drejtim. Ambulancave të Tiranës për shembull u takon që të mbulojnë një shtrirje goxha të madhe qoftë gjeografike, qoftë dhe popullate, edhe nuk i përballojnë dot rastet e shumta të urgjencave”. Ndërkohë për t’u theksuar është fakti se në këtë drejtim, në nëntor, nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj janë premtuar të paktën 20 ambulanca të reja.

Pacientët konfuzë nga simptomat e traumave
Pas koordinimit me zyrën e marrëdhënies me publikun të SUT-ës, vizituam një nga dhomat ditore të urgjencës së traumave. Njerëzit që gjendeshin në dhomë, përgjithësisht ishin konfuzë për atë çka u kishte ndodhur, ndërkohë që bluzat e bardha kishin kryer diagnostikimet përkatëse. Një mesoburrë që ankohej për dhimbje të forta barku na tregoi se nuk e mbante mirë mend mënyrën sesi u lëndua, por vetëm se të afërmit e tij e kishin sjellë me urgjencë në spital. Nga ana tjetër në një tjetër shtrat qëndronte një i moshuar, të cilin kur e pyetëm se çfarë e shqetësonte na u përgjigj në mënyrë konfuze se i kishte kryer të gjitha analizat. Tjetër pacient ishte një burrë i të pesëdhjetave, i cili na tha se kishte kaluar një para-infarkt dhe më pas i ishin ënjtur tmerrësisht shumë këmbët. Ajo çka konstatuam u konfirmua edhe nga doktorët. Përgjithësisht pacientët që janë goditur nga një traumë përjetojnë çaste konfuzioni dhe në të shumtën e rasteve nuk manifestojnë simptomat e sakta, ndaj dhe atyre u kryhen analiza të imtësishme, në mënyrë që të dilet në diagnostikimin e duhur.

Publikuar te “Shekulli” më 26/12/2014

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s