Shqiptarët ishin pa bukë, kur “Gjethi” blinte pajisje 100 mijë dollarëshe

gjethi (9)Dymbëdhjetë vite pas lënies në harresë të plotë nga institucionet që e kishin në varësi, e ashtuquajtura “Shtëpia me Gjethe” ose institucionalisht objekti “Gjethi”, tashmë hap dyert për qytetarët, pasi do të shndërrohet në një muze publik. Dy nga autorët e këtij projekti, njëherazi shkrimtarë të njohur, Agron Tufa dhe Bashkim Shehu, tregojnë për “Shekulli”-n, opinionet e tyre rreth objektit “Gjethi”. Teksa pranon se jemi vonë në zbulimin e objekteve të komunizmit, shkrimtari Agron Tufa thotë se: “Ky projekt është shpresëdhënës për ruajtjen e kujtesës publike”. Ndërkohë, Shehu,“uron që të folurit për të kaluarën të mos përdoret politikisht”. “Ne autorët e projektit, po punojmë që të ndërtojmë një muze, i cili do të jetë një lloj i veçantë, i pari në Shqipëri. Do të jetë analog me atë të muzeut të Stasi-t, shërbimit sekret të ish-Republikës Demokratike Gjermane, ku qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi të shohin se çfarë bëhej në këtë objekt survejimi, në shtëpinë e përndjekjes dhe përgjimit të zyrtarëve, do ketë sende edhe materiale…”, tregon për “Shekulli”-n, shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Agron Tufa, i cili është edhe Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Më tej teksa i themi se për këtë objekt nuk dihej shumë rreth ekzistencës së tij, Tufa thotë se askush nuk e dinte, madje edhe në kohën e komunizmit. “Absolutisht, as unë… kam kaluar asokohe disa herë këtej dhe kurrë nuk më shkonte ndërmend se çfarë bëhej në këtë objekt. Madje një herë, mbaj mend, për këtë vilë pata menduar sesa e mirë që ishte, dhe normalisht duke menduar me atë mendimin po të kishe pasur lekë… ta blija, sepse dukej shumë e qetë për të banuar me familjen”, tregon Tufa, ndërkohë që në mes ndërhyri shkrimtari tjetër, Bashkim Shehu, gjithashtu autor i projektit muzeor.

gjethi (13)
“Në atë kohë në Tiranë, domethënë më herët sesa të vinte Agroni, flitej që… domethë- në dihej, që godina ishte e Sigurimit, por se për çfarë jo. Madje kishte legjenda që këtu bëheshin tortura… ‘gjëra’. Në fakt hetuesi ka qenë vetëm vitet e para pas luftës, ndërsa më vonë ka qenë qendra e përgjimeve për mbledhje të dhënash, përgjime telefonatash, kontrolle korrespondencash. Njëkohësish në këtë objekt prodhoheshin aparaturat e vogla të përgjimit, të ashtuquajturat çimka. Kjo paraqitet skematikisht në panelet e prologut, që kemi ekspozuar sot, si hyrjen e muzeut (disa të dhëna që ishin vënë në panele si tip mini-ekspozite në oborrin e godinës). Natyrisht prezantimi i sotëm do të përfshihet në muze, por do të jetë me shumë, më shumë materiale nga ç’janë sot”, tregon Bashkim Shehu, djali i ish- Kryeministrit Mehmet Shehu, i cili më pas ia la vendin sërish Tufës. “Unë pata dëgjuar një histori, përmes një shoku të ngushtë, i cili punonte në Postën Shqiptare. Ai tregonte se një shok i tij, student, sa herë që i vinte nga rrethet për ta takuar, domethënë vinte takoheshin dhe kur ndaheshin, ndaheshin diku atje te Posta matanë (tregon me gisht për nga rruga me drejtim veriun e godinës “Gjethi”), dhe ai i binte rrugicave këtej nga prapa. Shumë më vonë doli se ai ishte spiun, imagjino, tani nga ndryshimet e kohës kemi kuptuar se ku shkonte ai njeri, në një kohë që, mes shoqërisë justifikohej se shkonte për t’u takuar me një të dashur të tijën (qesh)”, tregon më tej, Agron Tufa. “Këtu siç thonë, mblidheshin edhe përgjimet nga shumë burgje…, ajo që është vërtetë për sensacion është se pajisjet dhe pajimet e ‘Shtëpisë me Gjethe’ kanë qenë avangarde për kohën, pajisje tepër të shtrenjta. Imagjino, kur Shqipëria gjendej në kohën e radhës së gjatë nëpër dyqane, mungesës së bukës, urisë masive, këtu (“Shtëpia me Gjethe”) një pajisje e vogël blihej me çmime deri në 100 mijë dollarë të asaj kohe. Absolutisht këtë gjë na e kanë thënë ish-punonjës të dikurshëm. I gjithë ky shpenzim për një teknologji avangarde në këtë drejtim, krijonte shumë habi mes evropianëve, për shembull danezët, belgët, apo dhe francezët thoshin se ‘si ka mundësi, ju duhet të jeni shtet i pasur’, pra imagjino që një perceptim për Shqipërinë krijohej vetëm përmes pajisjeve të këtij objekti. Ndaj ndërtesa ka një histori të qartë. Punët më të zeza që mund të jenë kryer këtu janë të paimagjinueshme”.

rama kumbaro shehu te gjethi
Pas 25 vitesh, vonesa për t’i zbuluar për publikun këto ingranazhe të terrorit të sistemit komunist që përjetoi Shqipëria është e pamohueshme, por Tufa thotë se ky projekt jep shpresën se kontributi për të ruajtur kujtesën do të vazhdojë. “Shumë vonë jemi, por gjithsesi ky është një sinjal shumë shpresëdhënës për tentativat e të tjerëve. Gjithkush tanimë, po të dojë, po të ketë këmbënguljen… ta marrë seriozisht… mund të lërë disa shenja për kujtesën publike të post-diktaturës. Shenja që nëse më pas bashkëpunojnë edhe me instancat shtetërore të mund të kontribuojnë edhe në përfytyrimin që do të kenë brezat e ardhshëm, në edukimin e shkollave, një kontribut në njohjen e së kaluarës. E njëjta gjë, që faktikisht është bërë në të gjitha shtetet ish-komuniste apo diktatoriale. Është vonë, por gjithsesi mbetet shpresëdhënëse. Idetë, projektet, janë, po zhvillohen, por vetëm se duhet një mirëkuptim i madh për dhënien e fondeve sidomos nga Qeveritë shqiptare, që këto projekte të vazhdohen”, thotë shkrimtari Agron Tufa. Ndërkohë Shehu në fjalën që mbajti më pas, edhe për mediet e tjera tha se: “Të flasësh për të kaluarën është e domosdoshme për një shoqëri si e jona, kjo për vetë të kaluarën që kemi. Por unë uroj që kjo gjë të mos përdoret politikisht”.

“Gjethi” dikur shtëpia klinikë e Dr. Jani Bashos
“Shtëpia me Gjethe” ka qenë e mjekut të shquar Jani Basho. Në vitin 1931 ai e ktheu shtëpinë e tij në një klinikë private, e cila kishte 30 shtretër dhe ku vetë doktori kryente detyrën e mjekut obstetër-gjinekolog dhe mjekut kirurg. Ideja e tij për një klinikë private përfundoi pas 5 prillit të vitit 1939, kur në klinikën e tij, në jetë erdhi Leka, djali i familjes mbretërore. Ditët që erdhën më pas shënuan pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Më pas klinika e Dr. Bashos u shtetëzua. Ndërkohë pushtimi gjerman e përdori ish-klinikën e tij si një qendër të Gestapo-s, ndërsa pushteti komunist, shpresën se klinika do i rikthehej, ia vrau. Ndërtesa në fillim u bë zyrë hetuesie për Sigurimin, më pas seli e Degës Tekniko-Shkencore, përgjegjëse për përgjimet.

Rama: Projekti i zbulimit do të vazhdojë me tunelet
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë nistore të projektit, në fjalën e tij e cilësoi krijimin e “Muzeut të Gjetheve”, si një lëvizje modestisht të njëjtë me përballjen që Gjermania pati me të shkuarën, pas bashkimit. “Sot ne po bëjmë modestisht me çfarë kemi trashëguar në këtë pjesë të errët të trashëgimisë sonë, atë që Gjermania e ka bërë në krye të herës pas shembjes së Murit, proces ballafaqimi i hapur pa frikë me të shkuarën e vet, edhe pse ishte një e shkuar që i përkiste në mish dhe në shpirt gjysmës së Gjermanisë, por që për gjysmën tjetër, për pjesën që u bë zemra e bashkimit, Gjermaninë Perëndimore kishte rëndësi të veçantë, për arsyen që në platformën shpirtërore të bashkimit të mos lihej asnjë e krisur dhe asnjë vragë, që mund të bëhej shkak i infeksionit të organizmit të shoqërisë së re”, u shpreh kryeministri Rama, i cili më pas tha se projekti i radhës do të ishte zbulimi i tuneleve. “Ky muze është i dyti në zinxhirin e një projekti që do të vazhdojë me nën-dheun, pasi kryeqyteti ka infrastrukturë ende të pa zbuluar dhe ne do ta zbulojmë, të tuneleve të nëndheshme që ishin pjesë e infrastrukturës sekrete. Projekti do të finalizohet, si një muze i vrimave të së shkuarës që janë vrimat përmes të cilave mund të penetrohet në infrastrukturën fizike, por edhe psikologjike të vetëdijes sonë, që do të përbëjnë një hartë të mirëfilltë muzeale.”

Kumbaro: Do t’i zbulojmë të fshehtat e komunizmit
Ndërkohë nga ana tjetër ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, duke falënderuar kontribuuesit e dëshmive dhe autorët e projektit, tha se muzeu do të jetë përveçse muze pajisjesh, edhe muze “jetësh njerëzore”. Ajo u shpreh se godina e braktisur është gjetur në gjendje të mjeruar dhe se së shpejti do të fillojë rindërtimi fizik i saj. “Faleminderit shumë dëshmitarëve që kanë rrëfyer historitë e tyre, ndoshta në hije, do të mirëpresim çdo dëshmi e dokument, nëse mendoni se e pasuroni këtë histori. Do jetë muze i përgjimit, jo thjesht muze pajisjes, por muze jetësh njerëzore. Në çdo vend spiunët i paguajnë, në Shqipëri i gjen pa para. Sot kemi vullnetin t’i hapim dosjet e gurta edhe ato prej letre, misteret e kyçura në tunele e bunkerë, nuk kemi gjë për të fshehur, do t’i hapim. Duhet të edukojmë dhe duhet të na shohin me historinë tonë jo të zakonshme”, tha Kumbaro.

Publikuar te “Shekulli” më 25/01/2015

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s