Zhgënjimi nga trauma e një spitali

Spitali Universitar i TraumesËshtë qendra më e madhe shëndetësore që trajton traumat në vendin tonë, por fatkeqësisht nuk ka vëmendjen e duhur përsa i përket investimeve dhe gjendja e saj vazhdon të mbetet e mjerueshme. Në Spitalin Universitar të Traumave “fryma nuk ka si të ndryshojë, për aq kohë sa investimet kanë qenë gjithmonë të pjesshme dhe jo të përgjithshme dhe ndërhyrja do të jetë e njëjtë”, kështu mendojnë nën zë edhe vetë pjesëtarë të personelit mjekësor. Pas një vëzhgimi të “Shekulli”-t, në këtë spital, i njëjti stol dërrasash të rraskapitura vazhdon të jetë vendi i pritjes për të afërmit, të cilët i kanë të dashurit e tyre në reanimacion. Shkarravinat e mureve dhe parmakëve vazhdojnë të të shoqërojnë pothuajse kudo. Emra personash, ekipesh futbolli apo dhe vizatime dhe arte figurative vazhdojnë të qëndrojnë në mure e parmakë prej vitesh.

Lagështia ka kapur cepat e mureve. Tek-tuk hartat e krijuara prej saj janë mbuluar me ndonjë dorë bojë, por që dukshëm kanë lënë një hartë tjetër, kjo pasi ngjyra e përdorur ka qenë e ndryshme nga ajo ekzistuesja. Për të mos thënë pastaj për prizat dhe çelësat elektrikë, që sidomos në katin e tretë janë thjesht zgavra boshe në murë. Në disa madje mund t’i gjesh edhe telat jashtë. Pllakat pastaj janë të thërrmuara, shenja të urgjencave të shumta që ka përballuar ky spital. Në disa dhoma janë ndryshe dhe në korridore po ndryshe, shenja që tregojnë se punimet për vendosjen e tyre nuk kanë qenë të gjerësishme, vetëm sa janë zëvendësuar ato sipërfaqe që kishin më shumë nevojë.

Spitali Universitar i Traumave ka dukshëm nevojë për një lyerje, nuk dihet se kur është lyer (nga brenda) për herë të fundit. Shenjat e pisllëkut në mure tregojnë se kjo gjë ka kohë. Spitali i Traumave ka dukshëm nevojë për një rikonstruksion total të ambienteve të saj. Ka nevojë për një sallë të vërtetë pritjeje për të afërmit, në mënyrë që t’i jepet fund njëherë e mirë shtrimit nëpër shkallë apo dhe në korridor të atyre që presin për fatet e të afërmve në reanimacion. Ka nevojë për një sistem ngrohje, që t’u mundësojë dhomave të pacientëve temperatura konstante dhe jo t’i detyrojë ata të marrin reflektorë nga shtëpitë e tyre. Deri më tani, me sa ka qenë e mundur, është ndërhyrë “pak këtu” e “pak atje”, por duke mos e larguar dot panoramën e përgjithshme që lë për të dëshiruar. Fatmirësisht ka pasur ndërhyrje në aparatura. Sipas drejtuesve të Spitalit, tanimë fondet janë liruar dhe vetëm për çështje procedurale nuk janë kaluar të gjitha fondet e parashikuara (8 milionë euro) nga qeveria italiane.

Tanimë Spitali i Traumave ka një laborator të ri urgjencash, një skaner të ri dhe është në pritje për një skaneri tjetër. “Deri vonë nuk bënim dot ekzaminime kryesore, sidomos për të dyshuarit për trombozë. Aparatura si skaneri i ri ka lehtësuar mjaft punën”, tregoi një mjek, i cili shtoi se ndërhyrja për këto aparatura nuk duhet të ndalet me kaq, por të vazhdohet me aparatura të tjera, të cilat duhet të plotësojnë të gjithë logjistikën e nevojshme mjekësore. “Duhet dhe një eko e mirë, duhet që të bëhet edhe digjitalizimi i kartelave e kështu me radhë, pra nuk duhet të mbetemi vetëm te një aparaturë, duhet të plotësohet e gjithë gama e tyre”. Ka pasur gjithashtu ndërhyrje dhe tanimë gjendja me ilaçet në këtë spital është përmirësuar. Por këto nuk janë të vetmet elemente thelbësore, të cilat i bëjnë spitalet spitale.

Mungojnë hapësira. Hapësirat mungojnë, qoftë për doktorët, qoftë dhe për vizitorët e pacientëve. Ka mjekë që nuk kanë dhomat e tyre dhe ka gjithmonë njerëz që rrinë në këmbë nëpër korridore. Apo shtrirë dhe ulur nëpër shkallë pranë derës së reanimacionit. Pritja në këtë spital bëhet në këtë mënyrë. Gjendja ka qenë e tillë dhe vazhdon të jetë e tillë, duke krijuar një mërzi konstante, sidomos te stafi mjekësor, i cili nuk mund të ndryshojë gjë. Përveç pacientëve, që ndihen të zhgënjyer nga fakti se stereotipi “ushtaraku është më i miri”, nuk përputhet më me atë çka shohin në ambientet e këtij spitali, edhe vetë mjekët janë të mërzitur ngaqë e gjitha kjo nuk është në dorën e tyre.

“Na është bërë të mos e duam më profesionin tonë, përtej korrupsionit apo dhe pa-aftësisë që ka njollosur bluzat tona të bardha, na duhet të përballemi dhe me të tilla kushte”, shprehen mjekë të spitalit. Ndërkohë pamja konkrete e kësaj situate shihet nga magazina e spitalit, e cila në pamje të parë s’është gjë veçse një hekurishte krevatesh të prishur dhe dollapësh të copëtuar. “Fryma është po ajo që ishte, nuk ka ndryshuar gjë, janë përmirësuar disa elementë, por në thelb spitali është po ai që ka qenë”, thotë një mjek, ndërsa shton se “për t’i ndryshuar gjërat e spitalit të traumave duhet një investim më rrënjësor, nga A-ja te Zh-ja”.

SUT, spital pa web-faqe zyrtare
Spitali Universitar i Traumave përballon një fluks pacientësh që shkon nga 70 deri në 140 raste në ditë. Kapaciteti i saj vjetor shkon deri në 45 mijë trauma të trajtuara. Rëndësia e këtij spitali kuptohet gjithmonë e më shumë në rastet e fatkeqësive natyrore, aksidenteve me një numër të madh personash, apo ngjarjeve më madhore tragjike, sikurse qe shpërthimi i Gërdecit. Në vitin 2012-të, ky spital kaloi në varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë nga Ministria e Mbrojtjes, ndryshimet e varësisë duket se sollën edhe mungesën e investimeve, të cilat edhe në të kaluarën nuk është se kanë qenë të shumta. Ndërkohë ndryshe nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitali Universitar i Traumës, nuk ka qoftë dhe një faqe në rrjetet sociale “Facebook” apo “Twitter”, jo më një web-faqe të sajën në mënyrë që t’i komunikojë më mirë qytetarëve.

Shërbimet mjekësore që mungojnë në Spitalin e Traumave
Spitali Universitar i Traumave u vëzhgua nga “Shekulli” edhe në dhjetor të vitit të kaluar. Në periudhën kur sapo ishin regjistruar ulje të ndjeshme të temperaturave, dhomat e pacientëve nuk kishin ngrohje. Në mënyrë vetjake shumëkush kishte siguruar ngrohëse elektrike. Në korridorin e sallës së reanimacionit, të afërmit kishin siguruar një sobë gazi dhe stola plastikë në mënyrë që të prisnin disi më mirë për shëndetin e të dashurve të tyre. Nga ana tjetër në katin e dytë, te një dhomë pacientësh ndeshëm në një derë në të cilën qe vënë një letër lajmëruese: “Kujdes dera bie”. Ajo qe prishur. Situata e temperaturave të ftohta na u tha se ndihej edhe në sallat e operacioneve, ku nuk sigurohej dot një temperaturë konstante. Përsa i përket reanimacionit, gjendja ishte e vështirë, pasi konstatuam se kishte shumë raste dhe shpesh punohej mbi kapacitetin e mundshëm. “Rastet janë të shumta, rreth 70 në ditë.

Imagjino nga 7 ditë që ka java, në gjashtë ditë reanimacioni qëndron “full” (plot)”, treguan asokohe mjekët. Rreth 40 deri në 42 për qind e rasteve që paraqiten në Spitalin Universitar të Traumave, na u tha se ishin raste me neuro-trauma, ndërkohë që pjesa tjetër ishin trauma lokomotore, trauma në abdomen (bark) apo në toraks (gjoks). Në këtë pikë na u tha gjithashtu se spitali ishte prapa me aparatura, apo me praktika të cilat mund të mundësonin trajtime më të mira. E ashtuquajtura “radiologji-intervencioniste”, për shembull, ishte një nga shërbimet që na u tha se nuk realizohej në këtë spital. Shërbim, i cili mundëson që shumë trauma të organeve të mos operohen, sikurse mund të jetë trauma e mëlçisë, shpretkës e tjerë.

botuar te “Shekulli” më 13/03/2015

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s