Mariana Leka: Prej publikut zgjodha të qëndroj në Shqipëri

Mariana Leka vazhdon të mbetet ndër sopranot më të mira të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Me përkushtimin e saj, ajo i ngjitet skenës për të njëzetë e katërtin vit, tashmë me rolin e Konteshës te “Dasma e Figaros”, rol për të cilin siç shprehet për “Shekulli”-n, është si premierë për të. Ajo ndan me gazetën disa momente të saj, por edhe të vetë shfaqjes që u vu në skenë dje dhe që do të vazhdojë gjithashtu në datat 17, 19 dhe 21 mars.

Znj. Leka kanë kaluar tashmë 24 vite që nga dalja juaj e parë si soliste me rolin e Violetës te “Traviata” e Giuseppe Verdi-t, ndërkohë roli juaj më i fundit është ky i Konteshës Almaviva te “Dasma e Figaros” së Mozart-it, që u prezantua dje e në TKOB. Çfarë ka ndryshuar që nga dalja juaj e parë në skenë?
Mund të them pjekuria dhe përgjegjësia, sepse puna është po ajo që është. Është njësoj. Jam natyrë që punoj shumë dhe kam kërkuar, që në mos të paraqitem më mirë, gjithnjë të mbaj të njëjtin nivel. Sigurisht në fillim ishte ai emocioni i madh, pasi që në fillim interpretoja një rol, i cili në fakt ishte kryerol i operës. Ishte bukur. Duke qenë se ishte roli i parë si soliste emocioni ishte i pamasë. Ato hezitimet sesi do dal, a do t’ia arrij mirë. Ndjeja që ishte një ndërmarrje e madhe. Por me kalimin e kohës, kuptohet vjen edhe ajo siguria, qetësia e daljes në skenë dhe gjithçka bëhet më e natyrshme. Pastaj rolin e Violetës e kam kënduar me qindra herë më mbrapa (qesh). Sa për shfaqjen e djeshme, mund të them se në fakt unë kam kënduar te “Dasma e Figaros” përpara 13 vitesh, por kam kënduar në një rol tjetër, jo në rolin e Konteshës. Më parë kam kënduar në rolin e Suzanës, një rol që është për soprano më “leggero” (kategori e klasifikimit të zërit soprano). Ndërsa roli i Konteshës, është më ndryshe. Kërkon një natyrë dhe karakter tjetër, ndaj si të them, ishte një premierë për mua, meqenëse këndoja një rol të ri. Si rol është një rol shumë i bukur. Kuptohet kërkon impenjim, ka dhe numra vokal të vështirë, por që ka situata shumë të bukura gjatë operës. Një grua që e tradhton burri. Ajo e vuan këtë gjë dhe përfshihet në një lojë që kërkon ta demaskojë atë (qesh).

A ndjeni vështirësi t’i qëndroni po këtyre niveleve pavarësisht kohës që kalon?
Jo, absolutisht, mund të them se përpara se të hyja në provat muzikore, regjisoriale të operës, e kam punuar rolin, për rreth një muaj e gjysmë me pianisten time në studio dhe kur kam dalë në prova, roli ishte i mbaruar.

Keni interpretuar edhe në skenat ndërkombëtare, por pak a shumë Shqipëria ju mbajti këtu…
Ka qenë një zgjedhje e imja. Vetë publiku shqiptar e pëlqen artin dhe vitet e fundit ndjekja ka ardhur duke u rritur. Në sallë vazhdohet të vihet dhe mund të them se vetë kam ndjerë që kam një publik që më ndjek vazhdimisht, një publik që e ndjej kudo, madje dhe përtej shfaqjes, edhe jashtë teatrit. Kudo që shkoj më flasin njerëz që nuk i njoh. Më urojnë, më pyesin se kur do këndoj diçka tjetër. Domethënë kam një ndjesi shumë të mirë.

Në familjen tuaj nuk ka pasur artistë. Befas del një zë me peshë që i qëndron për vite Teatrit të Operës, si e shpjegoni talentin tuaj?
Besoj fati… a ka qenë e shkruar, a?! Nuk e di. Por mund të them se nëna ime, e cila ka qenë shkodrane, ka pasur një zë shumë të bukur dhe këndonte shumë. Këndonte në shtëpi dhe kishte përveçse një zë të bukur edhe një muzikalitet të lindur dhe them se duhet t’i kem ngjarë asaj. Pastaj, nuk e di, me përkushtimin dhe vendimin tim… Unë mbarova një shkollë tjetër (për Kimi), domethënë nuk isha nisur fare për muzikë, por kur shkova në Akademinë e Arteve, punova shumë dhe nuk është se kisha ndonjë vështirësi për t’i përgatitur pjesët e kërkuara. Si duket talenti brenda meje ma bënte më të lehtë punën për t’u përgatitur.

Po aktualisht në familjen tuaj, nuk e di, djali për shembull, nuk ka ndonjë shkëndijë…
Me të thënë të drejtën ai (djali i saj) ka të dhëna shumë të mira muzikore. Ka vesh, atë veshin ritmik, ka zë. Mirëpo ku di unë, sikur nuk ka pasur dëshirë t’i hynte muzikës edhe kur ishte i vogël. Unë në fakt nuk ia kam imponuar pasi e gjykova që duhet të ishte i lirë të zgjidhte atë që e shihte më të mirë për veten e tij dhe kështu bëri. Ai ka zgjedhur arkitekturën dhe për mua është e rëndësishme që ai të shkoi e të ndihet mirë.

Problem zëri mashkullor, mungojnë tenorët e baritonët
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit (TKOB) vazhdon të ndjejë mungesën e zërave mashkullor. Për këtë shpeshherë ftohen tenorë të huaj. Në shfaqjen e regjisorit Nikolin Gurakuqi, në rolin e Kontit është ftuar tenori bullgar Valeri Turmanov. Ndryshe nga pjesa më e madhe e roleve të tjera, për të (dhe Armando Likajn e Denis Skurën) nuk ka dublant, një praktikë e teatrit për t’u ulur vështirësitë këngëtarëve. Ky fakt tregon edhe njëherë nevojën që ka teatri për zëra burrëror. “Teatri Kombëtar ka pasur gjithnjë probleme për zërin mashkullor. Gjithmonë janë më të vështirë për t’u pikasur zërat e meshkujve në krahasim me ato të femrave, që janë më të shumtë. Është ndjerë gjithmonë mungesa e tenorit, por edhe e zërave të tjerë bass-bariton, të cilët janë në numër gjithnjë të vogël”, shprehet sopranoja Mariana Leka. “Kjo gjendje mbase vjen, jo se gjendja e artit në tërësi është e vështirë, por që nuk është e lehtë të bëhesh tenor. Prurjet. Brezi i ri, duhet të punojë dhe t’i përkushtohet më shumë këtij profesioni, i cili nuk mund të bëhet në një kohë të shkurtër. Do një përgatitje të mirë dhe që të vijë një këngëtar e të bëhet i mirë, duhet të rritet në skenë, duhet të vijë gradualisht dhe shpeshherë është e vështirë, sidomos me zërat e meshkujve, që sapo të dalin nga shkolla të përfshihen menjëherë në role të mëdha, që kanë si volum muzikor edhe peshë të karakterit të roleve. TKOB vepron me dublantë për rolet e shfaqjeve, në mënyrë që t’u paraprihet rasteve të paparashikuara si dhe për t’ua bërë disi më të lehtë këngëtarëve. “Kjo gjë është diçka normale. Në këtë mënyrë u ulen vështirësitë e këngëtarëve. Ata kështu nuk këndojnë për natë. Unë për shembull do të jem dy net. Është edhe e domosdoshme që një shfaqje operistike të ketë dy kaste, pasi nëse një solist mund të sëmuret, kjo gjë, pra fakti i praktikës së dublantëve, u paraprin të paparashikueshmes”, thotë sopranoja, e cila thekson se kjo praktikë nuk ndikon absolutisht në nivelin e shfaqjes, pasi këngëtarët e përzgjedhur janë gjithnjë më të mirët dhe nuk i sjellin një ndryshim nivelit të performancës.

“Dasma e Figaros” e risjellë në ditët e sotme
Regjisori Nikolin Gurakuqi e ka risjellë “Dasmën e Figaros” me një stil të ditëve të sotme. Opera komike është e ndarë në 4 akte, ajo u kompozua nga Wolfgang Amadeus Mozart më 1786, duke u bazuar te “libretto”- ja (skenar operistik) e Lorenzo Da Ponte (poet venecian), i cili vetë bazohej te komedia e Pierre Beaumarchais (dramaturg francez). Në qendër është fabula e diferencave klasore ku klasa e lartë abuzon me pushtetin, duke shfrytëzuar dobësitë njerëzore të shtresave më të ulëta. “Me sa di unë kur e ka kompozuar në atë kohë Mozart-i, kjo vepër e Beaumarchais, ka qenë ndaluar nga Perandori austriak, pasi në këtë vepër shtresat e larta shikonin imoralitetin e tyre. Ndaj Mozart-i për t’i mbushur mendjen Perandorit, i bëri disa ndryshime në mënyrë që ta zbuste këtë perceptim që kishin ata dhe më pas Perandori e pranoi që ajo të vihej në skenë”, tregon sopranoja Mariana Leka, e cila thotë se kështu është vepruar edhe nga regjisori Nikolin Gurakuqi, duke iu ndryshuar disa aspekte, por pa ju larguar fabulës së saj. “Regjisori e ka sjellë në kohën tonë. Konti në këtë rast është një Ministër, Suzana është sekretarja, njëfarë ndihmëse e gruas së tij dhe të tjerët janë gjithashtu vartës të këtij pushtetar, e kështu me këtë rend vazhdohet e njëjta lojë që është përcjellë nga Mozart. Ai (Ministri- Konti) tradhton gruan dhe gruaja (Kontesha) lufton për ta pasur për vete. Pra nuk ndryshon asgjë, përveç ambientit, skenës, kostumeve, që kuptohet, janë të kohës së sotme. Skenat janë zyra e tij (Ministrit) dhe shtëpia e gruas (Konteshës). Këto ndryshime në njëfarë mënyre e kanë bërë disi më interesante veprën, edhe disi më të lehtë për t’u perceptuar nga publiku. Duhet të them se fabula është e njëjta dhe është ende koherente edhe ditët e sotme”. Opera komike “Dasma e Figaros” do të shfaqet edhe 3 net të tjera. Më datë 17; 19 dhe 21 mars në orën 19:00. Në role: Valeri Turmanov (Konti); Mariana Leka dhe Ulpiana Aliaj (Kontesha); Oriana Kurteshi dhe Eriona Gjyzeli (Suzana); Armando Likaj (Figaro); Vikena Kamenica (Kerubino); Sonila Baboci (Marçelina); Roel Llupo dhe Ergys Mita (Bazilio); Sidrit Bejleri dhe Ogert Islami (Bartolo); Denis Skura (Don Kurcio); Rezarta Qevani dhe Erinda Agolli (Barbarina); Ogert Islami dhe Genc Vozga (Antonio).

Biografia
Mariana Leka u lind në Shkodër, më 27 nëntor 1961. Zëri i saj u rrit dhe u shkollua (për Kimi) në Fushë-Arrëz. Me ëndrrën për t’u bërë soliste iu fut Akademisë së Arteve nën mbikëqyrjen e sopranos “Artiste e Merituar” Edit Mihalit. Fillimisht ishte në kor e më vonë, në vitin 1991, spikati si soliste. Studioi gjithashtu për muzikë në Akademinë e Mantovas (Itali) nën udhëheqjen e sopranos Katia Ricciarellit. Që nga ajo kohë ka interpretuar më shumë se 30 role operistike. Është vlerësuar me shumë çmime sikurse “Çmimi i parë” në konkursin ndërkombëtar të Operës Italiane (1996), apo “Çmimi i parë Marije Kraja” në Festivalin Operistik Shqiptar (1999). Gjithashtu ajo është vlerësuar si “Qytetare Nderi” e Pukës.

Botuer te “Shekulli” më 16/03/2015

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s