Ndahet nga jeta kryemjeshtri Petro Zheji

Mes duartrokitjesh vlerësimi iu dha dje lamtumira filozofit, linguistit, përkthyesit, mjeshtrit të gjuhës shqipe, Petro Zhejit. Ai u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare. Për më shumë se një orë, prej orës 14:00, miq, të afërm, kolegë, bashkëpunëtorë me të, artistë, por dhe politikanë e qytetarë të thjeshtë, i dhanë lamtumirën e fundit. Homazhet e zhvilluara në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar, ndalën për një kohë katrahurën e trafikut urban të qendrës së Tiranës. Me në sfond një muzikë klasike, të shumtë ishin ata që nderuan figurën e tij dhe ngushëlluan për këtë humbje familjen Zheji. Në anë të trupit të poliglotit qëndronin të pikëlluar të afërmit, me në qendër të birin, Arturin, i cili pas një viti nga ndarja me të ëmën, tanimë u nda edhe nga babai. Në dukje shihej i fortë, por në çdo shtrëngim dore, apo sa herë që i duhej që të çohej në shenjë respekti, nuk mund ta mbante dhimbjen dhe hera-herës përlotej në heshtje. Petro Zheji ishte një figurë që punoi pa reshtur për gjuhën shqipe. Njihte dhe fliste rreth 10 gjuhë të huaja. Përktheu, studioi dhe punoi pa kursim për ta njohur shkencërisht në arenën ndërkombëtare historinë dhe natyrën e gjuhës shqipe. Për këtë punë të pareshtur, në shenjë nderimi e vlerësimi, duartrokitje të shumta e shoqëruan atë për në makinën mortore.


Një ndër ata që e duartrokitën ishte dhe Preç Zogaj, i cili ndau me “Shekulli”-n disa fjalë për Petro Zhejin. “Kam pasur lidhje miqësore me Petron, do thosha gati si një paradoks, në lidhje me miqësinë me Arturin, një lloj lidhjeje gati-gati më e fortë”, thotë Zogaj. “Petroja është një gjeni në shumë pikëpamje, jo vetëm si përkthyes, por edhe si kërkues, si studiues. Ai ka bërë një vepër që është botuar pjesërisht për gjuhën shqipe dhe kjo është diçka që kërkon që atë ta rinjohim. Petro është… është magjepsje”. Duke ndarë si fillim këto fjalë, Zogaj mori kohë dhe tregoi më shumë, jo vetëm për atë çka mendonte personalisht, por edhe për atë çka kishte kuptuar nga puna dhe figura e tij. “Sipas bindjes sime, sot, vdiq një gjeni, i cili përmbledh jo vetëm talentin e jashtëzakonshëm të Petro Zhejit si përkthyes, por mbi të gjitha kërkimet e tij, akoma të panjohura për letërsinë e gjuhës shqipe dhe rëndësinë e gjuhës shqipe në kostelacionin e gjuhëve të mëdha të Botës. Unë kam patur fatin që ta njoh Petron nga afër, paçka diferencës së moshës që kishim. Ishim miq të afërt. Me të dhe Ndoc Gjetjën, Zija Çelën, dhe Rudolf Markun, rrinim shpesh mbrëmjeve. Sidomos me Ndocin dhe Zijain, meqenëse banonin edhe në Tiranë, rrinim shpesh. Rrinim dhe bisedonim për letërsinë e për përkthime të ndryshme. Petroja siç e kam thënë edhe në të kaluarën, është një gjeni i vërtetë. Nuk e harroj dhe s’kam për ta harruar kurrë atë vrullin e tij kur përkthente Borgesin, një poet që akoma s’ishte botuar në shqip, por Petro e kishte gjetur në italisht dhe e përkthente… e përkthente dhe e interpretonte me zë të lartë, sidoqoftë përkthimi për të sado që ishte një gjë jashtëzakonisht e mirë, ishte dhe një angari, sepse mendja i rrinte gjithmonë për ato vegimet e tij për gjuhën, ishte i dashuruar, i lidhur ngushtë me idenë se gjuha shqipe është një gjuhë mëmë që ka ‘inonduar’ gjuhë të tjera dhe sapo u hap Shqipëria, Petro u mor vetëm me këtë gjë.

Arratisja e tij, po themi në thonjëza, për të gjetur një vend dhe për t’iu përkushtuar vetëm kërkimeve për gjuhën, një mistikë… më ngjan pak me jetën e Pjetër Bogdanit, i cili gjithë jetës së tij u vërvitë në kërkim të kohës dhe të vendit, për të shkruar veprën e parë madhore në shqip që është ‘Çeta e Profetit’. Ky gjeni që solli në shqip vepra të mëdha… këtu përmendet vazhdimisht volumi i dytë i Don Kishotit, por është ‘Papa Jeshil’ një roman i Asturias që është një dalldi. E vuri në një sprovë të jashtëzakonshme gjuhën shqipe dhe provoi se gjuha shqipe është e aftë të kalojë të gjitha llojet e sprovave apo frymëzimeve letrare. Kështu që ai jetonte prej kohësh i tërhequr në jetën e tij, të them në të vërtetën vdekja e tij qëndron mbi zinë e bashkëkohësve. Kjo në kuptimin se ai nuk është njohur akoma në ato përmasat që ishte realisht, edhe ne që e kemi njohur nga afër nuk e kemi njohur plotësisht… Për të mund të thuhen fjalët që tha Viktor Hygoi në vdekjen e Balzakut se: “Ky nuk është fundi, por fillimi… kjo nuk është errësira, por është drita”. Domethënë në këtë këndvështrim do të ketë një rinjohje të Petros. Vepra e tij do të bëhet e njohur dhe do të zërë një vend shumë të rëndësishëm në shkencën e gjuhës, në shkencën e linguistikës. Prandaj them që Petro është magjepsi nuk është dhimbje për sa i përket bashkëkohësve, është magjepsi”.


Kabo: “Shuhet Perandori i dijes dhe shkencës”
Doktor i shkencave Përparim Kabo e cilësoi një humbje të madhe ndarjen nga jeta të Petro Zhejit, i cili për të, ishte “Bariu i tij i mendjes”. Kabo, i cili vetë ka studiuar për Filozofi, e vlerësoi figurën e tij si një figurë me arsye të thellë dhe një ndër mendjet më universale të kulturës shqiptare. Ai zbuloi edhe dy-tre fjalë të biseduara me të birin, Arturin, të cilit i kishte kërkuar që ta takonte përpara se ai të ndahej nga jeta, por që nuk kishte mundur. Ai kujton disa shprehi të tij dhe në fund premtoi se veprën e Petros do t’ua përcjellë të gjithë studentëve që do të ketë në vazhdimësi. “Shuhet Petro Zheji, mendja më universale në dheun pellazgjiko-iliro-arbëror, dijetari që të habiste filozofikisht me arsyen e thellë, me mendimin e qashtër dhe me thjeshtësinë në komunikim. Mbrëmë bisedoja më të birin, më tha nuk njeh më, atë ditë ishte i kthjellët kur të foli ty dhe ne u gëzuam me botimin tënd që nxori në dritë vlerat e Petros. Jam i larë para Zotit para ndërgjegjes sime dhe Petros së shtrenjtë i thashë, dua ta takoj. Nuk do të njohë mu gjegj, është nisur për atëbotë. Panteoni ynë u zbrazë. Më mbeti në mendje kur më tha… Përparim më ke kuptuar…! Qielli shton nga sot (dje) një Zot të dijes, një gurë të thjeshtë dhe me kuptimmbushur…si thoje Petro nga ajo fjalë shqipe gur-i, lindi gurra-rrjedha, por rrjedh dhe qumështi nanës dhe lindi giri-gjiri, sllavet e morën nga ne dhe krijuan gora-var dhe qytet, dhe anglishtja God…, porse nga fjala gur-i, lindi dhe fjala e bukur shqipe, si-guri, ose siguri… Me siguri Ju do ta habisni dhe qiellin… Të premtoj se veprën tënde, si edhe deri më tani do t’ua rekomandoj studentëve të mi. Lamtumirë Bariu im i mendjes…ike në një ditë me shenjë, sepse në 15 Mars iku dhe Jul Çesari. Ai kishte një perandori shtetërore Ju një perandori të dijes e shkencës. Amin!”, shkroi kështu në profilin e tij në “Facebook” Kabo, i cili e takoi për herë të parë Petro Zhejin, kur ishte 21-vjeç në vitin 1975.

A do të lindë një tjetër Petro Zheji?
“Petro Zheji, ky njeri shenjtërisht i përkushtuar ndaj gjuhës shqipe e kulturës së kombit tonë, i rrëshqiti kufijve të tokës për të prekur fytyrën e Zotit, që ai e besonte aq shumë. Zoti, mori në gjirin e tij gjënë më të vyer të atdheut tonë. Vetvetiu më lindin disa pyetje. A ishte epoka jonë e denjë për atë gjeni? A kishim koshiencën e duhur për të kuptuar se sa fatlum ishim? A do të lind përsëri toka jonë një njeri që do t’i ngjas atij? A do të ketë pasardhës Petro Zheji? Përgjigjja e këtyre pyetjeve do të ishte mënyra më e denjë për t’i thënë atij lamtumirë. E unë që po i them këto fjalë jam nga ata fatlumët që më ka prekur dora e tij e më ka përkëdhelur shikimi i tij hyjnor”, shprehet Kiço Londo.

Veprimtaria e poliglotit Petro Zheji
Petro Zheji u lind më 16 tetor 1929 në Gjirokastër, por u arsimua dhe zhvilloi aktivitetin e tij akademik në kryeqytet, pasi studioi për Gjuhë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në fillim të viteve ’40 familja e tij u përndoq nga regjimi komunist, pasi i ati, Spiro kishte qenë major-kolonel në kohën e Mbretërisë, për këtë regjimi i asokohe i konfiskoi pronat që kishte familja e tij në Tiranë. Njohja dhe zotërimi i gjuhëve të huaja, Petros iu dallua si talent më vete, qysh në moshë të re. Pas studimeve ai njihte me themel gjuhën shqipe, njihte dhe zotëronte rrjedhshëm deri në rrënjë të saj gjuhën italiane, gjuhën frënge, gjuhën angleze, spanjolle, gjermane, ruse, njihte po kështu hebraishten, sanskritishten e vjetër sikurse greqishten (e vjetër) dhe latinishten. Dhjetë gjuhë të huaja. Përtej zotërimit të tyre Petro Zheji dalloi për një njohje të thellë të kulturave që përcillnin këto gjuhë, për historikun e tyre. Ai kishte kuptuar me themel etimologjinë e secilës prej këtyre gjuhëve dhe anën mitike që mbartin në vetvete. Pasi kreu studimet punoi në këtë drejtim pranë ndërmarrjes së botimit “8 Nëntori”, njëherazi edhe si përkthyes pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”.

Pasi kishte realizuar disi veten, u njoh dhe u martua me aktoren nga Gjakova, Besa Imami. Besa në vitin 1961 i dha jetë djalit të tij, Arturit. Por pas rreth 15 vitesh martesë, Petro dhe Besa u ndanë. Vitet ’90 i dhanë mundësi Petro Zhejit që të gjente kushte më të mira për t’iu dhënë pasionit dhe përkushtimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në veprimtarinë e tij fillimi daton vitin 1958 me përkthimin e vëllimit të parë të romanit “Bruski” të Fedor Paferov, një punim i realizuar ky së bashku me Gjergjin (i vëllai, gjithashtu një letrar i madh). Më tej pasuan një sërë përkthimesh të tjera si: “Vuajtjet e djaloshit Verter” (nga Gëte), “Sojliu mendjemprehtë – Don Kishoti i Mançës” (nga Servantes), “Nipi i Ramonit” (nga Didero); “Njeriu i padukshëm” (nga Herbert Uells), “Vitet e zemërimit” (nga Shtajnbek), “Zoti President” dhe “Papa jeshil” (nga Asturias) e shumë vepra të tjera. Ndërkohë pas një pune të vazhdueshme dhe të pandërprerë, Petro Zheji solli studimin e tij “Shqipja dhe Sanskritishtja” (dy vëllime), një monument të vërtetë përsa i përket mendimit shkencor akademik.
Kreu i Qeverisë, Edi Rama
“Ustai i pashoq i gjuhës që e bëri Don Kishotin të fliste shqip, sikur të ishte lindur anëve tona”

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta
“Mendimtar dhe krijues i niveleve evropiane, që nga koha kur Shqipëria ishte një ishull i izoluar në mes të Evropës”

Kreu Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha
“Humbje e parikuperueshme për familjen, por edhe për letrat e për intelektualët shqiptarë”

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro
“Me të nuk mund të ndahemi dot. Është monument kulture nga ata që nuk vdesin kurrë”

Botuar te “Shekulli” më 16/03/2015

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s