Arkitektët e rinj propozojnë 26 projekte për të promovuar Shqipërinë

photo 2 (2)Projekt-ideja e Arba Baxhakut për rindërtimin e Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, u vlerësua dje me çmimin e parë në konkursin “Arkitektët e rinj për zhvillimin urban”, konkurs ky i organizuar nga Shoqata e Arkitektëve me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Urban. Nga 26 projekte pjesëmarrëse, u vlerësuan gjashtë prej tyre. Përveç Arbës që u vlerësua me çmimin e parë, u vlerësuan me çmime të dyta e të treta, Hysen Çifliku, Ardit Qereshniku (vendi i dytë), Endri Llubani, Gejsu Selimi dhe Juljana Strataj (vendi i tretë). Konkursi u realizua për arkitektët e rinj deri në 30 vjeç, të cilët jo gjithmonë kanë pasur mundësinë që t’i shpalosin idetë e tyre dhe të gjejnë mbështetje nga aktorë të ndryshëm që merren me zhvillimin urban në Shqipëri. Tanimë pas këtij vlerësimi, ëndrra për secilin nga këta të rinj mbetet realizimi i ideve të tyre. Disa nga fituesit, duke treguar projektet për “Shekulli”-n, u shprehën se konkretizimi i propozimeve të tyre është “lehtë i realizueshëm, pasi materialet e përdorura nuk janë të kushtueshme”.

Në këtë drejtim në fjalën e mbajtur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ministrja Eglantina Gjermenji, u shpreh se “do të kërkohet që këta të rinj, përtej çmimeve të fituara, të mbështeten edhe financiarisht përmes fondeve buxhetore apo në bashkëpunim me donatorët e ndryshëm, në mënyrë që idetë e tyre të realizohen”. Duke qëndruar këtu, natyrisht ajo që e kërkoi më së shumti realizimin e projekt-idesë së saj ishte fituesja, Arba Baxhaku, e cila nuk e fshehu dashurinë dhe dëshirën që gjithçka të mos rrinte thjesht në letër. “Projekti i Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, është një projekt shumë i dashur për mua. Këtë çmim ia dedikoj atyre që më frymëzuan më së shumti për ta realizuar atë, intelektualët e asokohshëm që u munduan ta mbronin nga hedhja në erë me dinamit në maj të 1969”, u shpreh Arba, gjatë marrjes së çmimit të parë.

“Çmimin ua kushtoj dy prej intelektualëve që i qëndruan Kishës së Vaut të Dejës, Aleksandër Meksit dhe Dhorka Dhamot, të cilët i kam njohur personalisht. Prej kësaj Kishe na kanë mbetur shumë pak gurë në tokë dhe me rindërtimin e saj, për mendimin tim realizohet një projekt i shpresës, një projekt që tregon se vetëm me pak gurë dhe një fill të kujtesës, një kujtesë që të gjithë e mbajmë në xhep, pasi kjo Kishë është e stampuar në çdo prerje prej 1000 lekësh të kartëmonedhave tona… Ne mbajmë në xhep pa e ditur, pra gur dhe kujtim dhe unë mendoj se kaq duhet për të rimarrë këtë fill të kujtesës, këtë fillin e trashëgimisë dhe për t’ia dhuruar brezave që vijnë”. Arba, e diplomuar dy vite më parë në Universitetin e Firences në Itali, tregoi se projekti i saj për rindërtimin e Kishës nuk është vetëm një ëndërr, pasi e gjitha mund të realizohet lehtësisht.

“Ky projekt është një projekt shumë i thjeshtë për t’u realizuar, pasi çdo material është i marrë nga shkëmbinjtë aty pranë rrënojave të mbetura të Kishës, të cilat më së shumti janë të mbledhura nga banorët dhe priftërinjtë e zonës. Ndaj them që nuk është thjesht një ëndërr, por diçka që nesër mund të bëhet realitet. Ky projekt mendoj se ndikon shumë edhe në njohjen e vetë zonës, pasi askush nuk shkon të shohë disa rrënoja të mbledhura dhe lidhura nga një gardh. Ky monument mendoj se me atë historinë që mbart përbrenda me këtë projekt mund të kthehet vërtet në një monument të rëndësishëm për të ardhmen”. Për t’u theksuar është fakti që projekti i Arbës u zgjodh unanimisht nga juria e konkursit, e cila përbëhej nga përfaqësuesit e 4 shkollave pjesëmarrëse, nga dy përfaqësues të shoqatës së arkitektëve, një jurist dhe dy përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Urban.

Fituesit u shpërblyen edhe me para
photo 1 (2)Konkursi kërkonte që pjesëmarrësit të ishin të moshës nga 21-30 vjeç, të ishin të diplomuar në arkitekturë, urbanistikë apo disiplina të lidhura drejtpërdrejtë me to, ose në rastet e punimeve në grup, që të paktën njëri prej tyre të ishte i diplomuar. Tema e konkursit përfshinte projekt-ide dhe propozime inovative të çdo lloji, për promovimin e vlerave urbane dhe arkitektonike të qendrave të banuara në gjithë territorin e Shqipërisë, si dhe nxitjen e veprimtarive turistike. Për fituesit e konkursit ishte parashikuar edhe një shpërblim monetar. Kështu për fituesin ishin akorduar 200 mijë lekë, për dy vendet e dyta 150 mijë lekë, ndërsa për tre vendet e treta 100 mijë lekë.

Hedhje me parashutë nga Shkëmbi i Kavajës
Hedhje me parashutë nga Shkëmbi i Kavajës, apo dhe një ballkon në majën më të lartë të këtij objekti natyror, këtë parashikonte projekt-ideja e Gejsu Selimit, ide e cila u vlerësua me çmimin e tretë. “Rizbulimi, rivitalizimi, ripërdorimi i Shkëmbit të Kavajës” parashikonte një turizëm krejt ndryshe nga çka është mundur të shërbehet deri më sot në zonën bregdetare të Durrësit. “Shkëmbi i Kavajës, është parë si një nga pikat më strategjike të zonës së Gjirit të Durrësit”, thotë Gejsu për “Shekulli”-n.

“Menduam që të përqendroheshim në këtë objekt natyror, pasi e pamë si më pak të shfrytëzuarit në një bregdet goxha të shfrytëzuar sikurse është bregdeti i Durrësit. Ideja ishte të rizbulonim tunelet që gjenden në Shkëmbin e Kavajës.Qëllimi është ripërdorimi i tyre, duke i kthyer në muze, ekspozita, hapësira shfaqjesh vizuale e shumë aktivitete të tjera. Një tjetër ide ishte rikthimi i itinerarit malor në atë zonë. Pra ne menduam ta shfrytëzojmë Shkëmbin e Kavajës për tre aktivitete, ngjitjes në shkëmb, pra alpinizmit, ngjitjes me anë të biçikletave, sikurse dhe hedhjes me parashuta. Në majë pastaj kemi menduar të realizohet një ballkon, ballkon në të cilit mundësohet peizazhi, pamja e gjerë e gjithë Gjirit të Durrësit, një pamje që nuk ke mundësi ta shohësh në ndonjë vend tjetër përveçse te Shkëmbi i Kavajës. Kjo është ndër pikat më të bukura për këtë zonë, më joshëse do thosha unë”. Gejsu u diplomua vitin e kaluar në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës. Ajo tregon se e priti me kënaqësi këtë konkurs pasi ishte diçka që vjen pikërisht pasi ajo ka dalë nga bankat e shkollës.

“Ky konkurs ishte një eksperiencë e paharrueshme dhe shumë e veçantë pasi, përtej vlerësimit, vjen në një moment ku sapo kam dalë nga bankat e shkollës dhe duke pasur parasysh se sa e vështirë është për t’u promovuar në këtë profesion në vendin tonë, e shoh me goxha optimizëm dhe me goxha falënderime këtë mundësi që na u dha të gjithëve”. Më tej Gejsu, njësoj sikurse dhe fituesja e vendit të parë, Arba, thotë se tashmë ëndrra e saj është që projekti të realizohet. “Një nga ëndrrat më të mëdha, realisht përtej fitimit të këtij konkursi, tanimë është konkretizimi i këtij projekti, i cili mendoj se mund të realizohet me një kosto minimale, nëse krahasojmë të ardhurat që mund të nxirren nga përdorimi, vënia në funksion e kësaj ideje. Materialet e përdoruara, si fillim janë materiale që nuk ndikojnë në mjedis, pasi janë struktura ose druri ose hekuri. Duhet thënë se ky projekt ofron një turizëm që nuk është aplikuar ndonjëherë në këtë zonë, pra nuk ka thjesht plazh, por dhe veprimtari të ndryshme turistike, të cilave u është ndjerë goxha mungesa”.

Nëndetëse dhe muze lufte për Orikumin
photo 4Shkrirja e peizazhit natyror me historinë dhe aspektet më karakteristike të zonës së Orikumit ishte projekt-ideja e Endri Llubanit, i cili u vlerësua gjithashtu me çmim. Në qendër të idesë së tij ndër aspektet më goditëse ishte ideja e shndërrimit të një prej nëndetëseve të bazës së Pasha Limanit në një objekt të vizitueshëm për turistët. “Ideja lindi si një iniciativë për të përcaktuar, ose thënë ndryshe për t’i bashkuar në një itinerar të caktuar ideologjinë dhe atraksionet natyrore që ofron kjo zonë, e cila është e pasur me objekte natyrore, me historinë e saj ndër vite, duke filluar që nga lashtësia me pjesën e sitit arkeologjik me qytetin e lashtë të Orikut, e deri te Lufta e Ftohtë apo vetë komunizmi në Shqipëri. Në këtë pjesë historike kemi të përmendur bazën detare të Pasha Limanit, e cila vetë-përfshihet edhe në një ndër filmat kryesorë të kinematografisë së kohës, që është filmi ‘Ballë për Ballë’.

Këtu pikërisht merremi me ideologjinë e kësaj periudhe të përhapur në këtë zonë. Këtu kemi një temë tjetër që na del, kemi nëndetësen. Sigurisht Nëndetësja U-105 nuk ka ekzistuar, por duke e marrë si koncept, si tematikë, nga filmi, skenari i tij, skenar i cili i ka dhënë një lloj mitizimi kësaj historie. Kemi marrë një nga nëndetëset aktuale, që ç’është e vërteta po shkojnë edhe për skrap, kemi menduar që ta ripërdorim një të tillë, duke riparuar pjesërisht me qëllim ekspozimin. Më pas nëse vazhdohet tek itinerari, shkohet te një tip muzeu të luftës që kam menduar të vendoset në një nga godinat e papërdorura që gjenden në zonë. Kam menduar që thjesht me një mbulesë prej druri të rivendoset në punë dhe ta mundësojë këtë godinë apostafat për hapësirë muzeale. Pas këtij muzeu, itinerari fillon e zbutet, njerëzit tanimë prekin historinë e kaluar, me sitet arkeologjike. Më tej është një urë druri, që kalon përmes Lagunës.

E më tej në pjesën e natyrës, në parkun kombëtar”, u shpreh Endri, i diplomuar vitin e kaluar në Fakultetin e Arkitekturës. Endri, njëjtë sikurse edhe kolegë të tij, konkurrentë fitues, ishte i mendimit se projekti i tij ishte lehtësisht i realizueshëm. “Mendoj se projekti është lehtësisht i realizueshëm, duke qenë se përdoren materiale si druri apo hekuri, materiale që mund të gjenden lehtë në zonë. Unë nuk është se kam shtuar ndonjë gjë nga mjediset që gjenden atje (Orikum), por thjesht kam menduar që t’i lidh bashkë me një rrugëtim, një farë programimi ku të jenë të shkrira të gjitha këto atraksione dhe e gjitha mendoj se mund të realizohet lehtësisht”.

Botuar te “Shekulli” më 18/03/2015

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s