Dyndje pacientësh, radha te rezonanca kap muajin korrik

Për të kryer një ekzaminim me rezonancë magnetike, pacientëve ambulatorë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) u duhet të presin deri në katër muaj. Radha për të kryer këtë lloj ekzaminimi tashmë ka shkuar deri në korrik. Të shqetësuar, shumica e pacientëve prezent në degën e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FDSKSH) pranë QSUT-ës, tregojnë për “Shekulli”-n se të presësh kaq gjatë për të kryer këtë ekzaminim është një problem më vete. Disa shprehen të mërzitur dhe tejet pesimist, se deri sa të kenë kryer rezonancën shëndeti i tyre, apo i të afërmve, me gjasa do të jetë përkeqësuar.Gjithçka kryhet në degën e FDSKSH-ës, që ndodhet pas godinës së Shërbimit të Kardiologjisë, i ashtuquajturi gjashtëkatësh. Në korridorin e degës shihen gjithmonë njerëz që presin. Ata duhet t’u dorëzojnë dokumentet mjekëve të Fondit në mënyrë që të marrin (planifikimin), datën e caktimit të ekzaminimeve, që u është kërkuar nga mjeku-specialist pas konsultës. Kjo gjë bëhet për çdo ekzaminim, por datat më problematike janë ato të skanerëve, apo më keq të rezonancës magnetike, që kërkojnë deri në katër muaj kohë. “Kush është i fundit në radhë?”, kjo është pyetja e parë që dëgjohet në korridorin e degës. Për të lehtësuar situatën një punonjës kishte shpërndarë, me disa fletushka, numra rendorë në mënyrë që radha të ishte më pak problematike.

Në momentin kur “Shekulli” ishte në ambientet e degës, rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, numri rendor i fundit kishte vajtur te 75-sa. Gjatë qëndrimit atje, “Shekulli” shkëmbeu biseda me pacientët që prisnin në radhë dhe mblodhi opinionet të përgjithshme. “Duhet të presësh tre-katër muaj dhe kur të vjen më pas data, ti ke vdekur tre-katër herë”, tha një zotëri, i cili priste radhën, duke mbajtur në duar numrin rendor 73. Më tutje ishte një zonjë që nuk kishte marrë numër, pasi kishte ardhur më vonë. Ajo vinte për bashkëshortin e saj, të cilit i kishin rekomanduar një skaner. “E kam bashkëshortin me kimioterapi, atje (te Spitali Onkologjik) e kam lënë. Po kryen serumin. E kam pasur për ekzaminim këtu, për rezonancë. Bëmë konsultat në nëntor dhe planifikimi na doli për në fund të janarit.

Kjo gjë nuk priste dhe (ekzaminimin) e bëmë në privat. E kryem brenda atij muaji dhe po atë muaj ai u bë operacion. Nuk priste puna, kishte probleme të rënda në zorrë”, tregoi përvojën e saj zonja, e cila më pas u kërkoi leje të tjerëve në mënyrë që të hynte pa radhë, por kjo gjë nuk u pranua. “Ju lutem mund të futem, sepse kam lënë tim shoq teksa bën kimioterapinë”, arsyetoi ajo, “Na vjen keq zonjë, kemi që në mëngjes dhe po si ju jemi dhe ne”, i thanë. Të gjithë kanë ardhur me rekomandime dhe ka nga ata të cilët nuk e kanë për herë të parë përvojën me rezonancën magnetike. Një vajzë, tek të tridhjetat, i tregoi “Shekulli”-t se iu desh një vit që të kryente dy rezonanca magnetike. “Unë kam kryer dy rezonanca. Për datë, herën e parë, planifikimin e kam bërë diçka rrotull muajit mars (vitin e kaluar), ma lanë për në korrik, pastaj ma çuan në fund të gushtit, sepse gjoja aparatura ishte prishur.

Ndërkohë rezonancën tjetër që kam bërë, pak a shumë e njëjta periudhë pritjeje më ka vajtur. Nga shtatori e tani në mars, që e bëra. Saktësisht më 6 mars. Domethënë kjo gjë shkon nga 3, deri në 6 muaj. Herën e parë, rezonancën e kam bërë te Spitali i Ri (Urgjenca) aty ngjitur me gjashtëkatëshin. Bëhej poshtë, nëntokë. Si procedurë, kohëzgjatja aty brenda ishte për rreth gjysmë ore, por kjo varej nga dyshimet e diagnozës, që nëse dyshohej për më shumë kërkonte më tepër kohë, të paktën kështu më thanë”, tregoi e reja, e cila priste të atin që ishte futur brenda zyrës së ekzaminimeve për të planifikuar një ekzaminim tjetër më të rëndomtë. Nga ana tjetër në radhë ishte dhe një i ri, i cili sikurse tha, ishte infermier i sapo diplomuar dhe kërkonte (me rekomandim mjeku) të planifikonte një ekzaminim rezonance për një familjar. Ai e kishte për herë të parë këtë pritje dhe kur punonjësi i degës i tha se, data e planifikimit mund t’i shkonte për muajin korrik, me shqetësim u shpreh se kjo ishte diçka e tepruar.

“Hera e parë që vij. Interesohem për një të afërm timin. Vetë jam infermier, sapo kam mbaruar ciklin e dytë të studimeve (Master). Dihet që ka vonesa për sa i përket planifikimit. Kur është me planifikim, sigurisht që mund të presë rasti se nuk shihet si urgjent, por kaq gjatë, kjo është e tepruar. Pritja kaq gjatë mundet që të shkaktojë edhe probleme psikologjike, jo vetëm te pacientët, por edhe te ne të afërmit. Kam idenë se në çdo vend ku mund të shkosh, kjo praktikë është, që rastet jo urgjente kanë një periudhë pritjeje, punë javësh, por jo tre-katër muaj”, tregoi infermieri i ri, i cili ndau me “Shekulli”-n, edhe përvojën e tij të punës së praktikës. “Për të shtruarit, nuk ka fare problem. Thotë mjeku sot, sot bëhet. Unë vetë, si infermier, me aq sa kam punuar, me aq sa kam asistuar rezonancat dhe skanerat e di me garanci që nuk ka probleme të tilla për të shtruarit”.

Kostoja e ekzaminimeve
Shërbimet e ekzaminimeve mjekësore mbulohen nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor deri në masën 90 për qind, për të gjithë personat e siguruar. Ndërkohë për fëmijët e moshës 0-12 vjeç, për invalidët e plotë, apo të sëmurët me tuberkuloz shërbimet e ekzaminimeve mbulohen në masën 100 për qind. Nga ekzaminimet unikale terciale mund të përmenden mamografia, litrotripsia, angiografia, koronarogrofia, rezonanca magnetike me dhe pa kontrast, skaneri i kokës apo trupit me kontrast e tjerë. Nga këto ekzaminime ndër më të kushtueshmit klasifikohen koronarografia që ka si kosto çmimin prej 40 000 lekësh, po aq sa angiografia. Ndërkohë që për skanerin kostoja është 12 000 lekë dhe për rezonancën nga 20 000 deri në 35 000. Për të gjitha këto çmime, vetë pacientët paguajnë vetëm 10 për qind të kostos.

Abuzohet me rekomandimet, deri në 30 planifikime në ditë
Duke kërkuar që të sqarojë më mirë situatën “Shekulli” u interesua pranë zyrës së shtypit të Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FDSKSH) dhe zyrës për marrëdhënie me publikun në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT). Duke u pranuar kjo problematikë, nga QSUTja na u tha se përgjegjësia e kësaj qendre spitalore (në këtë çështje) është për pacientët e shtruar dhe jo për ambulatorët (pacientët e konsultave). Për këtë kategori gjendja konsiderohet si urgjente dhe për to ekzaminimet kryhen pa qenë nevoja e pritjeve. Pra aksesi i pacientëve të shtruar ndaj aparaturave, si skaner, rezonancë magnetike etj., është i menjëhershëm. Nga zyra e QSUT-ës, u garantua se procesi i punës kryhet normalisht për këtë kategori pa pasur asnjë problem, ndërsa për sa i përket pacientëve të konsultave për to u tha se përgjigjej Fondi. E kontaktuar nga “Shekulli” edhe vetë FDSKSH-ja e pranoi këtë problematikë.

Zyra e shtypit e Fondit, i tha “Shekulli”- t se përgjithësisht kjo situatë, ku pacientëve ambulatorë u rekomandohen ekzaminime me rezonancë, apo skaner dhe për t’i realizuar ato u duhet një periudhë e gjatë kohore, vjen për shkak të numrit të kufizuar të aparaturave. Në fakt, nëse fokusohemi vetëm te rezonanca magnetike, aktualisht në QSUT gjenden vetëm dy aparatura që e mundësojnë këtë ekzaminim. Si procedurë, për të kryer një ekzaminim të tillë, pacientëve të konsultave u duhet si fillim rekomandimi i mjekut, më pas rekomandimi i mjekut-specialist, më tutje konfirmimi nga mjeku-specialist, konfirmim i kryer pas konsultës në QSUT, edhe ky konfirmim duhet të jetë i firmosur nga shefi i shërbimit mjekësor përkatës. Zyra e shtypit e FDSKSH-ës sqaroi se nuk janë punonjësit e saj, që vendosin se kush rast cilësohet urgjent ose jo, por vetë shefat e shërbimeve përkatëse në QSUT.

“Kush vendos nëse rasti është urgjent apo jo, nuk është dega e FDSKSH-ës, por vetë shefat e shërbimeve përkatës. Ndërsa rastet e planifikuara, që sipas shefave të shërbimeve nuk janë në kushte emergjente, planifikohen nga dega e FSDKSH-ës pranë QSUT-ës, sipas radhës”, shprehet për “Shekulli”-n përfaqësuesja e zyrës së shtypit të FDSKSH-ës, Etjola Kola. Ndërkohë duket se këtë problematikë, përgjithësisht, e krijojnë mjekët e familjes, nga të cilët vihet re se abuzojnë me rekomandimet e tyre. Burime i thanë “Shekulli”-t se: “Mjekët e familjes abuzojnë, duke i rënë shkurt e duke u thënë pacientëve, afërsisht për çdo problem, se kanë nevojë për skaner apo rezonancë magnetike”. Kjo praktikë, e ulët profesionalisht, ka çuar që në ambientet e QSUTës të shtohen kërkesat (edhe pse me rekomandime) për ekzaminime të kushtueshme, sikurse janë skaneri apo rezonanca magnetike, kostoja e të cilave 90 për qind mbulohet nga Fondi. Kujtojmë se për një ekzaminim me skaner kostoja llogaritet të jetë 12 500 lekë, ndërsa për ekzaminimet me rezonancë magnetike kostoja është 35 000 lekë me kontrast dhe 20 000 për pa kontrast.

Pak aparatura rezonance, shërbimi i kufizuar
Si fillim duhet shpjeguar se rezonanca magnetike është një procedurë ekzaminimi, e cila rekomandohet kur metodat e tjera janë të pamjaftueshme për të përcaktuar me siguri diagnozën. Ajo klasifikohet si ekzaminim imazherik jo-invaziv dhe pa dhimbje. Aparatura e rezonancës përdor fushë magnetike dhe me anë të valëve të saj elektromagnetike arrin të prodhojë pamje të detajuara të pjesëve të trupit, si organe, kocka, apo inde dhe pjesë të tjera të brendshme.

Pamjet e përftuara nga kjo aparaturë i mundësojnë stafit mjekësor një vëzhgim më të detajuar e për rrjedhojë edhe një vlerësim më të mirë për sëmundjet apo gjendjet e pjesëve të caktuara të trupit, si për shembull gjymtyrët, apo kockat. Ekzaminimet me anë të rezonancës magnetike aktualisht i ofrojnë, përveç Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), edhe spitalet rajonale të Vlorës, Shkodrës dhe Durrësit, apo dhe spitalet jo-publike. Në këto rrethe ky shërbim është menduar të ofrohet pasi prej vitesh ka pasur raste që pacientët dërgoheshin në QSUT vetëm për shkak të problemeve lidhur me diagnostikimin. Pra për mundësi diagnostikimi më të mira, pacientët dërgoheshin në Tiranë. Kjo gjë shkaktonte dhe dyndje të mëdha. Por megjithatë numri i rezonancave magnetike, që gjenden aktualisht në spitalet e vendit nuk mbulon plotësisht nevojat.

Ky fakt u pranua edhe nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili gjatë analizës vjetore të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, mbajtur më 11 shkurt, tha: “Vërtet që në Shqipëri, duhet ta pranojmë, nuk kemi një numër të mjaftueshëm për banorë të skanerave, rezonancave, por edhe përdorimi i tyre duhet të jetë me efektivitet, duhet të ketë protokolle. Nuk kemi bërë ende një analizë se sa me efektivitet i rekomandojmë këto ekzaminime dhe pastaj sesi i ndjekim në vijimësi”, deklaroi një muaj më parë ministri Beqaj. Nga ana tjetër, duhet që këto aparatura të jenë gjithnjë nën kujdesin teknik, pasi herë pas-here raportohet se ndonjë prej tyre prishet dhe kështu gjendja të përkeqësohet akoma dhe më tepër.

Botuar te “Shekulli” me 25/03/2015

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s