“Nuk e ka fajin “Filozofia”, por teksti”

Ditët e fundit një grup pedagogësh dhe studiuesish të filozofisë i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit, që ta rikthejë filozofinë si lëndë me detyrim në gjimnaze. Krahas kësaj është kërkuar që filozofia të jetë edhe provim me detyrim për maturën shtetërore, ndërkohë që nënvizohet nevoja për një tekst të ri. Lidhur me këtë çështje “Shekulli” intervistoi Prof. As. Dr. Aleksandër Kocanin, pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës.Për këtë kërkesë, profesor Kocani u shpreh se kjo nuk është hera e parë që Ministrisë i drejtohet nevoja për ta forcuar lëndën e filozofisë. Ai thotë se kërkesa janë bërë edhe më parë në vitin 2011 dhe 2012-të, kohë kur lënda e filozofisë sapo kishte kaluar nga lëndë me detyrim, në lëndë me zgjedhje. Për profesorin, filozofia është ajo që i bën individët qytetarë. Ndërkohë interesin e ulët, që ka kjo lëndë nga ana e gjimnazistëve, profesori e shpjegon për shkak të tekstit të filozofisë, një tekst, që sipas tij, historikisht ka qenë me defekte dhe aspak i përtypshëm për nxënësit.

Filozofia në gjimnaze
Si fillim mendimi im është ky, që shkolla e mesme ka për objektivë të japë kulturë të përgjithshme. Kulturë në të cilën shtyllë kurrizore janë ato dije, ato shprehi dhe ato vlera, të cilat formojnë qytetarin e ardhshëm. Gjimnazi (jo shkollat profesionale) nuk nxjerr profesionistë, por individë të formuar në mënyrë të përgjithshme. Këtu, në këtë rrafsh vetëm nëpërmjet filozofisë mund të kemi, që këta individë të jenë qytetarë, sepse krahas kulturës së përgjithshme vetëm filozofia u mundëson dhe u lejon individëve të gjykojnë me mendjen e tyre, të kenë qëndrime vetjake, të mos manipulohen nga instancat më të larta, sikurse mund të jetë pushteti. Filozofia na mundëson, që të mos qëndrojmë në mënyrë konformiste ndaj asaj që thuhet nga udhëheqësit. Pra anti-konformizmi i qytetarëve të ardhshëm do të mund të bëjë që të qartësohen një herë e mirë të drejtat dhe detyrat. Vetëm filozofia të çon këtu, te kritika. Pra të mos manipulohesh, një nga problemet më të mëdha që kanë sot shoqëritë kudo, arrihet përmes filozofisë.

Filozofia lëndë me detyrim
Normalisht një kërkesë tejet me vend dhe për t’u përshëndetur. Por kjo nuk është hera e parë që Ministrisë i kërkohet me propozime specifike një ndërhyrje e tillë. Në të paktën dy seminare, në të cilat kam qenë i pranishëm dhe unë, të mbajtura këto nga Departamenti i Filozofisë dhe Departamenti i Shkencave Politike, një në Korçë dhe një tjetër në Tushemisht…, nga këto organizime shkencore është kërkuar një, si të thuash, rregullim dhe rikthim i filozofisë nëpër gjimnaze. Këto kërkesa janë ndërmarrë që pas vitit 2010-të, kur dhe filozofia për gjimnazistët u kthye në lëndë preferenciale. Në njërën prej seminareve mbaj mend që ka qenë i pranishëm edhe Agim Leka, filozof ky, i cili është edhe deputet. Ai ishte ndër ata të cilët morën përsipër që të lobojnë pikërisht për këtë çështje në Komisionin e Arsimit, për idenë se nuk duhet shkuar drejt një lehtësimi, por drejt një forcimi të filozofisë nëpër gjimnaze. Pra kërkesat për filozofinë kanë kohë që janë bërë.

Problemi kryesor i filozofisë, teksti
Sigurisht, teksti ka qenë gjithnjë problematik. Teksti, krahas koncepteve, i referohet edhe historisë së filozofisë, duke e marrë atë që nga fillimi dhe kjo nuk ka qenë formuese për shkollën e mesme. Ky është një debat i kahershëm, që u diskutua shumë, të vihej historia e filozofisë apo filozofia e mirëfilltë. Për mendimin tim duhen konceptet bazë, duhet filozofia. Elementi historik më pas do vjen natyrshëm, sepse duke iu referuar Platonit, Aristotelit, Sokratit e me radhë, historia e tyre do të vijë me shtrirjen e kohës, që kanë të gjithë autorët. Pra nuk duhet që fokusi të jetë te historia. Jo historia si element bazë…, element bazë duhet të jenë konceptet, të cilat japin dhe formimin. Këtu ndodhi dhe problematika më pas. U bë një tekst që i bëri lëmsh të dyja, në fillim historinë e filozofisë dhe nga mesi konceptet e saj. Kjo gjë nuk bëhet. Kjo mendoj se vjen edhe nga problemi që ka patur gjithnjë Ministria, e cila nuk e ka praktikë të pyesë vetë specialistët, ekspertët e filozofisë. Kur pyetet specialisti, merret mendimi i tij, sepse ai e njeh fushën. Ky (profesor) ka qenë në Francë, ai (profesor) tjetri në Itali, ai tjetri… kanë bërë punime shkencore, artikuj…, pra këta e njohin më mirë.

Ndikimi i kësaj qasje për tekstin e filozofisë në humbjen e interesit, apo dhe kënaqësisë së nxënësve karshi lëndës
Mbaj mend, në vitin 2005, mos gabohem… kur kemi bërë një cikël trajnimi për mësuesit e filozofisë, mësuesit na ankoheshin shumë për tekstin. Kam punuar shumë në atë periudhë me të (tekstin) dhe e shihja që kishte probleme. Pjesa e historisë së filozofisë ishte marrë nga Italia, kurse pjesa e koncepteve nga Franca. Kjo pjesë nuk është se ishte e keqe në vetvete, por mënyra e paraqitjes ishte e papërtypshme për nxënësit, kjo sepse atë nuk e përtypnin dot as vetë mësuesit. Domethënë për ta përmbledhur, defekti i filozofisë nuk ka qenë i saj në vetvete, por i mënyrës sesi ka qenë paraqitur te nxënësit, në mënyrë që nuk kuptohej. Po të paraqitej thjeshtë, do ishte shumë herë më ndryshe. Interesi ndaj kësaj lënde do ishte më i madh. Nuk them se nxënësit më pas do ta zgjidhnin vetë filozofinë, por që të paktën nuk do të prireshin që ta shmangnin atë, kjo gjë vlen edhe për vetë mësuesit. Nëse s’kuptohej nga mësuesit, si do kuptohej më pas nga nxënësit?! Pra problematik si fillim mbetet libri.

Kërkesa
Një grup pedagogësh të Filozofisë kanë kërkuar ri-dimensionimin e rolit të filozofisë në arsim, veçanërisht nëpër gjimnaze. Duke i kërkuar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që ta rikthejë Filozofinë si një lëndë e detyrueshme në sistemin parauniversitar dhe që ajo, madje, të jetë pjesë e provimit të “Maturës Shtetërore”. Që prej vitit 2010-të, lënda e filozofisë në shkollat e mesme është kthyer një lëndë preferenciale dhe është vënë re një ulje e ndjeshme e zgjedhjes së kësaj lënde nga nxënësit.

Teksti problematik që në vitin 1994
Profesor Aleksandër Kocani ka qenë ndër personat që morën përsipër krijimin e tekstit të parë për filozofi në gjimnaze. Duke qenë se ishte pjesë e departamentit të filozofisë së asaj kohe, ai tregon për “Shekulli”-n historinë sesi ndodhi që teksti i filozofisë të ishte i një cilësie të ulët, që në fillim. “Fillimisht unë kam qenë në departamentin e Filozofisë, në vitin 1993”, tregon profesor Kocani. “Në këtë periudhë doli problemi sesi duhej ta trajtonim filozofinë nëpër shkollat e mesme. Ideja jonë fillestare ishte që të bazoheshim në një shkollë të huaj. Gjykuam që shkolla e huaj më solide, më universale për sa i përket filozofisë, ishte shkolla franceze, kjo për vetë mënyrën sesi bëhej dhe bëhet nga francezët filozofia, flas për në lice. Kjo shkollë u konsiderua si më e mira nga ato që kishim parë”. Më tej profesori tregon se gjithçka u diktua për keq nga Ministria e asaj kohe, e cila i bëri gjërat me nxitim.

“Kështu nga Ministria e Arsimit u ra dakord dhe u caktua, që ne (grupi i pedagogëve të departamentit) të merrnim një tekst, që gjykohej si më përfaqësues i kësaj shkollë dhe më pas ta përkthenim. Sikurse bëheshin punët e ministrive… mbrapsht! U bë një përkthim, por pa u mbyllur ende mirë, na u tha se libri duhej urgjent, sepse kështu e ashtu… etj. dhe libri vajti i papërpunuar, thjesht me një përkthim, me dorën e parë. Madje ky libër nuk pati mundësi që pas përkthimit të redaktohej, pra doli me probleme, kjo edhe për sa i përket gjuhës shqipe. Kjo gjë ndodhi në vitin 1994”. Profesor i filozofisë, dhe “Metodave të kërkimit sasior dhe cilësor” tregon se libri më pas u ripërpunua, por sërish pati problemet e veta. “Ishte një libër i vogël filozofik i Artan Fugës, që sigurisht në vazhdim, pasi u vu në përdorim, pra pasi doli, u kërkua që të ndryshohej. Normalisht, sepse kishte gabime, kjo nga vetë mënyra sesi u veprua nga Ministria.

Për ndryshimet dhe rregullimin e pjesëve, si fillim punuam tre veta, Artan Fuga, unë dhe Gjergj Sinani e më vonë për tekstin punoi vetëm Gjergji, i cili e njeh shkollën franceze të filozofisë. Për tekstin normalisht duhej investuar më shumë, sepse nuk kishte të bënte vetëm me një klasë, por me gjimnazet e gjithë Republikës së Shqipërisë”. Profesori thotë se për ta bërë më tërheqëse lëndën e filozofisë, nuk duhet bërë thjesht me detyrim, por i duhet vazhduar këtij ripërpunimi të tekstit që nisi që në vitin 1994. Madje profesori thotë se sipas tij, duhet mbajtur e njëjta shkollë filozofike, por thjesht libri të bëhet më i thjeshtë. “Nga pikëpamja e përmbajtjes, sërish ngul këmbë që të merret një tekst francez, kjo sepse mendoj që shkolla franceze është një shkollë e fortë, e cila bën një lidhje të fortë mes literaturës dhe problemeve të kohës. Por mendoj se libri duhet të jetë më i thjeshtë, kjo më pas do ta bënte lëndën më tërheqëse dhe më preferenciale për nxënësit”.

Studentët e Filozofisë: Nuk ka treg pune për këtë lëndë
“Shekulli” intervistoi tre studente të diplomuara për Filozofi në Fakultetin e Shkencave Sociale, Alma Nikollin, Arjeta Tomën dhe Elsa Vorfin, të cilat vazhdojnë studimet në ciklin e dytë “Master”, për komunikim në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës. Të tria vajzat thonë se “në gjimnaz filozofia ka patur shumë ngarkesë, madje dhe mësuesit nuk kanë qenë shumë të përgatitur”. Ato janë të mendimit se lënda e filozofisë nuk duhet të jetë lëndë me detyrim dhe as provim i detyrueshëm. “Libri ka patur shumë informacion dhe gjithçka sillej e ngjeshur. Mbaj mend ka në një pjesë ka qenë si temë: “Vdekja” dhe ka qenë rreth një faqe e gjysmë, aty kishte gjithë ato terma, që sado që t’i lexoje prapë se prapë e kishe të vështirë t’i kuptoje”, tregon Alma, e cila thotë se libri ishte lëmsh.

“Nga kjo është krijuar ajo ideja që filozofia është një lëndë e vështirë, një lëndë abstrakte dhe të gjithë e shmangin, ndaj dhe kur është lëndë me zgjedhje nxënësit nuk e zgjedhin më, por unë them se nëse e thjeshtojnë librin, nëse i përshtatin temat atëherë kjo lëndë do të jetë ashtu sikurse presim të gjithë, ajo lënda zhvilluese e mendimit dhe nuk do të paragjykohet më”.

Ndërkohë Elsa tregon se: “Në gjimnaz libri i filozofisë ka qenë kot fare”. “Gjërat në atë libër jepeshin gjysma-gjysma”, thotë Elsa, e cila shprehet se filozofia nuk duhet të jetë me detyrim, por me zgjedhje. “Mendoj se filozofia duhet të jetë me zgjedhje. Ajo nuk të jep dije, të cilat ti mundesh t’i vesh në praktikë, e them këtë duke e vënë në krahasim me lëndët e tjera ekzakte, të cilat janë më të domosdoshme. Por duhet të them që edhe pse me zgjedhje, kjo lëndë duhet ta ketë tekstin me një cilësi më të mirë, sepse gjithnjë ka qenë me një cilësi të dobët. Nga ana tjetër duhet që mësuesit të jenë të kualifikuar për ta dhënë këtë lëndë dhe jo të jenë të një fushe tjetër dhe, si të thuash, pa qenë vetë të përgatitur. Kjo është shumë gabim, sepse edhe në këtë mënyrë ka ndodhur që filozofia të jetë thjesht recitime dhe jo tamam pështjellim i mendimeve”. Edhe Arjeta, mendon kështu.

“Filozofia duhet të jetë me zgjedhje, sepse mendoj se kjo është edhe me prirje, ka nxënës që nuk i kanë prirje lëndët sociale. Këtu duhet që edhe mësuesit që e japin këtë lëndë në gjimnaze të jenë të fushës dhe jo tjetër për tjetër”. Ndërsa për të qenë si provim me detyrim, njëzëri vajzat thonë se: “Nuk ka si të jetë provim me detyrim një lëndë që jepet vetëm një semestër apo një vit”. Vajzat tregojnë edhe një aspekt tjetër problematik me filozofinë: Tregun e punës, ku për filozofinë nuk ka shumë vend. Duke e përjetuar tani pas studimeve, Arjeta thotë se kur zgjodhi të studiojë për Filozofi, sepse nuk kishte shumë informacion për tregun e punës.

Botuar te “Shekulli” me 29/03/2015

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s