Ekspertizë e huaj për projektligjin e Arsimit të Lartë

Më 25 mars Ministria e Arsimit dhe Sportit, i kaloi Qeverisë projektligjin për “Arsimin e Lartë”, por ai nuk u miratua. Përballë kritikave të vazhdueshme, që vinin nga pedagogë dhe drejtues universitetesh, sikurse edhe përballë protestave të studentëve, duket se Këshilli i Ministrave zgjodhi ta shtyjë miratimin e këtij projektligji. Së fundmi, duket se ky projektligj do t’i kalojë një filtri ekspertize ndërkombëtare. Ideja u bë publike nga vetë Ministrja Lindita Nikolla, një javë përpara se ky projektligj t’i çohej Qeverisë, por në një bisedë telefonike që “Shekulli” pati me dekanin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, profesoreshën Klodeta Dibra, mësuam se si ide është propozuar nga vetë Universiteti i Tiranës (UT), kjo si një mënyrë për të rregulluar aspektet juridike dhe për të garantuar paanshmërinë politike të vetë draftit.

Burime treguan për “Shekulli”-n se, së fundmi po punohet për përkthimin e draftit dhe dërgimi i tij, për shqyrtim, nga një grup ekspertësh. Ndërsa Prof. Klodeta Dibra, duke thënë se ideja e ekspertizës ndërkombëtare ka dalë nga UT-ja, u shpreh se grupi i ekspertëve që është kërkuar është ai i “Shoqatës Evropiane të Ligjit, Arsimit dhe Politikës”, organizëm i cili pati shprehur rezerva edhe për ligjin aktual të arsimit të lartë, ligj i propozuar në vitin 2007 dhe i miratuar në vitin 2009. “Idenë e ekspertizës ndërkombëtare e kemi kërkuar ne si Universitet i Tiranës, e ka kërkuar Rektori (Prof. Dr. Dhori Kule), që përpara se të kalojë në Parlament ky ligj…, për aq kohë sa duam të bëjmë ligje me standarde…, të mund të kalojë në një filtër të shoqatës evropiane të ligjit dhe arsimit, të cilët, duhet thënë se i kanë bërë një oponencë ligjit të vitit 2007. Nëse kjo gjë do të merret parasysh do të jetë një gjë shumë e mirë, sepse ata kanë një tjetër standard të gjykimit, apo të vlerësimit të ligjeve dhe sigurisht janë të paanshëm politikisht”, u shpreh profesoreshë Klodeta Dibra.

Teksa ka kaluar një javë që kur projektligji i është dërguar Qeverisë, “Shekulli” u interesua pranë Ministrisë së Arsimit, për të mësuar nëse deri më tani drafti i propozuar është shqyrtuar nga ekspertiza ndërkombëtare, por nuk mori përgjigje. Gazeta provoi të kontaktonte zëvendësministrin e Arsimit, Arbjan Maznikun, por ai nuk u përgjigj. Ndërkohë burime thanë për “Shekulli”-n se “i njëjti organizëm ndërkombëtar, ligjit të vitit 2007 për arsimin, i cili u amendua në vitin 2009, i nxori problemin, që të gjitha organizmat e arsimit të lartë, të cilat shpalleshin të pavarura, në të vërtetë nuk ishin të pavarura”.

Më tej i njëjti burim tha se, për projektligjin aktual nuk janë parashikuar aktet nënligjore, çka do të thotë se ai nuk do të hyjë në fuqi menjëherë, e gjithë kjo shpjegohet të ketë ardhur nga fakti se hartuesit e draftit nuk kanë pasur formim të mjaftueshëm legjislativ. “Duke pasur respekt për profesorët që janë marrë me hartimin e draftit, duhet thënë se ata nuk kanë patur formim juridik, nuk kanë kulturë legjislative, të teknikës legjislative. Një ligj hyn në fuqi kur është i pajisur me aktet nënligjore, për shembull, u tha se ligji për statusin e nëpunësit civil nuk zbatohet dot, sepse nuk ka aktet nënligjore të saj, tani edhe ligji për arsimin e lartë nuk i ka aktet nënligjore, vetë në këtë ligj thuhet se aktet nënligjore ngarkohen të bëhen dhe lihet një afat prej gjashtë muajsh. Praktikisht ligji do të dalë në fletoren zyrtare, por nuk do të aplikohet dot, sepse nuk janë miratuar aktet nënligjore. Do të jetë një ligj në letër, por jo i implementuar, do presim edhe gjashtë muaj të tjera”.

Projektligji për “arsimin e lartë” është kritikuar për transparencën, cenimin e autonomisë së universiteteve, rritjen e tarifave studentore, por sidomos për idenë e financimit me fonde publike të universiteteve jopublike. Profesor Artan Fuga në një reagim publik të 25 marsit, përmes profilit të tij “Facebook” i paralelizonte pasojat e këtij projektligji me ligjin 7501, ligj që, sipas profesorit, u miratua dhe shkatërroi bujqësinë edhe pse efektet e tij u thanë që 20 vite me parë.

Ndërkohë edhe pse ditët kanë kaluar nuk dihet sesa janë reflektuar propozimet e universitarëve. Kujtojmë se më 30 janar Senati Akademik i Universitetit të Tiranës, pasi shqyrtoi qëndrimet e strukturave universitare të saj, në nivel departamentesh, këshillash të fakulteteve dhe studentëve, për draftin, rikonfirmoi qëndrimet e tyre me një qëndrim më të përbashkët, duke i drejtuar grupit të punës kërkesat dhe rekomandimet e tij.

Opinioni publik, por jo vetëm, vazhdon ta shohë këtë projektligj me sy kritik. Nën moton “Reforma nuk kalon!”, grupe studentore vazhdojnë ta kundërshtojnë atë. Ndërkohë për sa i përket autonomisë një pedagog, i cili nuk donte të shprehej publikisht, tha se: “E njëjta gjë ka mbetur, thuhet se Universiteti do bëhet i pavarur, por buxhetin e përcakton po Shteti, propozimin e bën Ministria dhe emërimet i bën Kryeministri. Ku është i pavarësia këtu?!”.

“Nuk besoj se do ketë më dëgjesa publike”
Duke folur për “Shekulli”-n Prof. Dr. Klodeta Dibra, dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës nuk besonte se do të kishte më dëgjesa apo takime me Ministrinë. Për sa i përket autonomisë ajo ishte e mendimit se gjithçka çalon te zbatimi i ligjeve dhe jo te formulimi i tyre. “Për sa kohë që këtë muaj (mars) u bë një dëgjesë publike dhe pas kësaj dëgjese u bë një takim pune me titullarë të fakulteteve publike dhe jopublike me Ministrinë e Arsimit…, nuk besoj se do të bëhen më dëgjesa publike, apo diskutime, kjo sepse varianti i sjellë në këtë dëgjesë, le të themi, ishte varianti i parafundit, kjo përpara se komisioni t’i japë dorën e fundit”, u shpreh profesoreshë Dibra në një komunikim telefonik me “Shekulli”-n, duke shtuar se “nuk ishte në dijeni sesa ishin marrë në konsideratë propozimet e bëra nga fakultetet”.

Më tej, Dibra foli edhe për autonominë e universiteteve, autonomi që sipas saj, theksohet edhe nga ligji aktual, por që nuk është konkretizuar kurrë. “E keqja e ligjeve nuk është se çfarë shkruhet në to, por sesa zbatohen. Kjo sepse autonominë na e jepte edhe ligji i vitit 2007, por autonomia nuk na u dha asnjëherë. Kështu që nuk është problemi te vetë shprehja e ligjit, sesa te fakti se sa do na jepet kjo autonomi. Kjo sepse mund të dalin bishta nga prapa, ligje paralele, sikurse është ai i financave, që ty (si universitet) të pengon të përdorësh shumën e të ardhurave të tua”.

Për sa u përket rekomandimeve të bëra nga universitetet, Klodeta Dibra shprehet se nuk mund ta thotë sesa janë marrë parasysh nga komisioni që është marrë me projektligjin. “Ne (fakultetet) oponencën tonë, në përgjithësi, e kemi bërë për kapituj të ndryshëm që ka projektligji. Nuk mund të them ‘e hedh poshtë atë ligj’, sepse këtë gjë mund ta bëjë vetëm Parlamenti, mund të them vetëm se ne e kemi diskutuar, debatuar dhe më pas kemi propozuar sugjerimet dhe rekomandimet tona, sesa do merren parasysh këto propozime nga grupi i punës, nga komisioni që është ngritur, këtë nuk di ta them”.

Botuar te “Shekulli” me 31/03/2015

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s