Me ndryshimet e ligjit, 115 ditë pushim për 2015-ën

Kur festa zyrtare bie në ditët e pushimit javor, dita e hënë është ditë pushimi”, ky është ndryshim i bërë nga Qeveria, që ka hyrë në fuqi pasi është botuar në Fletoren Zyrtare. Por cilat janë datat e festave, të cilat njihen si festa zyrtare dhe sa do të përfitojnë qytetarët në përgjithësi dhe vetë nëpunësit civil në veçanti nga ky ndryshim? “Shekulli” sjell të gjitha datat dhe ditët pushim që përfitohen nga ndryshimi i ligjit. Kështu këtë vit të mbetur kalendarik, nga ky ligj, nëpunësit do të përfitojnë 3 ditë pushim nga ato festa, të cilat qëllojnë të bien në ditë fundjave dhe më parë konsideroheshin, si ditë të humbura (nga pushimi total).Për vitin tjetër kalendarik (viti 2016), në këtë mënyrë do të përfitohen katër ditë. Duhet thënë se gjithsej janë 14 data, që figurojnë në kalendarin e festave zyrtare, prej të cilave 5 janë festa fetare. (Gjithmonë) Potencialisht, deri të martën (1 prill), nëpunësit mundnin të pushonin 118 ditë në vit, (pa lejen e zakonshme) prej të cilave 104 ishin ditë fundjavash. Por numri potencial arrihej rrallë, për të mos thënë kurrë, sepse shpesh festat përkonin në fundjavë dhe kështu, nëpunësit humbisnin ditët e pushimit. Por tani do të ndodhë ndryshe. Me ndryshimet e kryera nëpunësit i rifitojnë ditët e tyre të pushimit.

Brenda vitit 2015 nëpunësve u rikthehen 3 ditë pushimi të festave, që duke përkuar në fundjavë, nuk u llogariteshin në totalin e tyre. “Ditët e Pashkëve” apo dhe “Festat e Nëntorit”, duke përkuar në fundjavë, për këtë vit do të llogariteshin, si ditë të humbura pushimi. Nga ana tjetër, gjithsesi, vitin e ardhshëm nëpunësit nuk do mund t’i plotësojnë numrin prej 118 ditësh pushimi, kjo pasi 1 maji, “Dita Ndërkombëtare e Punonjësve”, do të përkojë me “Ditën e Pashkëve” (ortodokse).

Nëse i marrim një e nga një, viti, si gjithnjë, fillon me dy ditë pushim të parashikuara si festa zyrtare, “Festat e Vitit të Ri”, që përkojnë me datat 1 dhe 2 janar. Për vitin e ardhshëm vlen të përmendet se nga kjo festë do të ripërftohet një ditë pushimi. Data 2 janar e vitit 2016, përkon e shtunë dhe për rrjedhojë, sipas ligjit, nëpunësit do të kenë pushim datën 4 janar, që i takon e hënë. Për festat e 7 dhe 8 Marsit duhet të theksojmë se nuk konsiderohen festa zyrtare, pavarësisht se për një kategori të caktuar nëpunësish, ajo zakonisht merret edhe si ditë pushimi, sikurse janë mësuesit apo femrat.

Pra për këto dy data nëpunësit nuk përfitojnë një ditë pushimi shtesë, sado që ato bien të shtunën apo të dielën. Festa e radhës në kalendarin e festave zyrtare është më 14 Mars, “Dita e Verës”. Ndryshe nga ky vit (2015) ku 14 marsi i takoi të ishte e shtunë, vitin e ardhshëm 14 marsi do të jetë ditë e hënë dhe për rrjedhojë nuk do ketë pse t’i referohet ndryshimit të ligjit. Festa tjetër që vjen për radhë është “Dita e Pashkës”, që këtë vit përkon në të dielën e 5 prillit, për katolikët, dhe në të dielën e 12 prillit për ortodoksët. Kështu do të “kompensohet” me dy të hëna pushim, 6 dhe 13 prilli. E njëjta gjë do të ndodhë edhe vitin e ardhshëm, ku pashkët e katolikëve (datat u ndryshojnë) do të përkojnë (si gjithnjë) ditën e diel, më 27 mars dhe ato ortodokset të dielën e 1 Majit.

Ndaj për rrjedhojë, duke iu referuar ndryshimeve ligjore të këtij viti, ditët e pushimit të humbura, do të shlyhen në ditët e hëna të 28 marsit dhe 2 majit. Më tej, në kalendar, festa e radhës është ajo e “Sulltan Nevruzit” më 22 mars, që vitin e ardhshëm do të jetë e martë. Një maj, “Dita Ndërkombëtare e Punonjësve” këtë vit do të jetë ditë e premte, ndërsa vitin e ardhshëm përkon të jetë në të njëjtën ditë (e diel) me pashkët e ortodoksëve. Kjo do të jetë një ditë e humbur pushimi për nëpunësit civil, pasi për dy festa “kompensohen” vetëm me një të hënë. “Dita Fitër Bajramit” është një tjetër festë fetare, e cila është përfshirë në kalendarin zyrtar.

Kjo ditë, këtë vit do të kremtohet më 17 korrik (e premte), ndërsa vitin e ardhshëm kjo ditë parashikohet të jetë më 7 korrik (e enjte). Po nga besimi mysliman një tjetër festë zyrtare është ajo e “Ditës së Kurban Bajramit”, që këtë vit do të jetë më 24 shtator (e enjte), ndërsa vitin e ardhshëm do të jetë më 13 shtator (e martë). Një tjetër datë e shënuar si festë zyrtare është “Lumturimi i Nënë Terezës”, ndodhur më 19 Tetor. Këtë vit kjo datë përkon e hënë, ndërsa vitin e ardhshëm do të jetë e mërkurë. Duke i ardhur fundit të kalendarit, vazhdojmë me “Ditën e Pavarësisë”, 28 Nëntorin dhe “Ditën e Çlirimit” 29 Nëntorin.

Këto dy data këtë vit (2015) do të jenë ditë e shtunë dhe të diel. Ndryshimet ligjore u rikthejnë nëpunësve vetëm një ditë pushimi, të hënën e 30 nëntorit. Nëse i kalojmë dhjetorit, më datë 8 është “Dita Kombëtare e Rinisë”. Kjo datë këtë vit do jetë e martë, ndërsa vitin tjetër e enjte. Në fund, por jo për nga rëndësia, vjen 25 dhjetori, “Dita e Krishtlindjeve”. Këtë vit Krishtlindjet do të jenë të premten, ndërsa vitin e ardhshëm do të jenë ditën e diel, dhe për këtë e hëna e 26 dhjetorit, për nëpunësit, do të jetë pushim.

Ndryshimi i bërë, është pozitiv, sepse u vjen si lehtësi besimtarëve

Qytetarët, si fillim, duket se do ta ndjejnë për pashkë efektin e ndryshimit të ligjit, për sa i përket ditëve të festave që përkojnë në fundjavë. Besimtarët e krishterë kremtojnë, (katolikët) më 5 dhe (ortodoksët) më 12 prill, “Ringjalljen e Jezusit”, e ashtuquajtur “Dita e Pashkës”, ditë të cilat përkojnë, si ditë të diela. Nga ana e dy besimeve të krishtera ky ndryshim ligjor është përshëndetur, si një ndryshim pozitiv ndaj praktikave fetare.

“Dëshira jonë ka qenë gjithnjë, që të kishte ditë pushimi për ditët e shënuara… Kisha Katolike e përshëndet vendimin për t’i caktuar pushim ditët e fillimit të javës, nëse një datë e shënjuar qëllon të jetë në fundjavë, kjo sepse u shkon në ndihmë edhe besimtarëve. Për shembull në rastet e Pashkëve kur liturgjia vazhdon pas orës 11:00 të mbrëmjes dhe përfundon rreth orës dy pa një çerek… në këto orare besimtarët shpesh nuk mundeshin ta ndiqnin meshën, sepse të nesërmen u takonte të shkonin në punë, ndërkohë që me këtë ndryshim ata do kenë mundësi të jenë me familjen, edhe në të hënën e pashkëve”, tha për “Shekulli”-n Dom Marjan Lumçi.

Të njëjtin qëndrim përshëndetës mbajnë edhe nga Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare. “Ndryshimi i bërë, sidomos për pashkët, është pozitiv, sepse u vjen si lehtësi besimtarëve. Është normale, që edhe Pashkët, si çdo fe tjetër fetare, të ketë një ditë pushimi reale. Mendoj se duhej të ishte bërë që më herët ky ndryshim”, tha për “Shekulli”-n në një lidhje telefonike Thoma Dhimo, zëdhënësi i kishës. Kujtojmë se festa e Pashkëve nuk është në një datë fikse. Ajo ndryshon çdo vit, në varësi të natës kur shfaqet hëna e parë e plotë pas barasnatës, pra ardhjes së pranverës.

Në varësi të saj, vendoset e diela e parë pasuese. Ndërkohë për besimtarët mysliman, të cilët gjithashtu festojnë në data jo fikse, nuk ka patur ndonjë problematikë, kjo pasi datat e tyre kanë qenë të shënuara gjithmonë në kalendarin e festave zyrtare e për rrjedhojë kanë qenë ditë pushimi. “Ditët Bajramit kanë qenë gjithnjë pushim kështu që… nuk është se kemi ndjerë ndonjë problematikë”, tha nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Ali Zaimi teksa komentoi ndryshimin e bërë si pozitiv.

Botuar te “Shekulli” më 3/04/2015

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s