“Telemjekësia ofron më shumë mundësi për të sëmurët në rrethe”

Të sëmurët nëpër rrethe tanimë mund të marrin të njëjtin shërbim diagnostikimi sikurse të jenë në Tiranë, kjo falë telemjekësisë. Telekonsultat mes mjekëve nëpër rrethe me mjekët në qendrat universitare kanë bërë të mundur, që shumë raste të nisjes së pacientëve për në kryeqytet të kursehen dhe të sëmurët të mjekohen në qytetet e tyre. Duhet thënë se meritë për këtë, krahas telemjekësisë, kanë qenë edhe investimet në spitalet rajonale, apo investimet në aparatura më bashkëkohore.Më 3 prill në Spitalin Universitar të Traumës (SUT), u përurua qendra e më e fundit e telemjekësisë (Qendra e Teletraumës), e cila nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i Projektit për të Integruar Telemjekësinë në sistemin shëndetësor të vendit, projekt ky i filluar që në vitin 2009, por që vitin e fundit ka pasur hapa më konkretë, sidomos në zgjerimin e specialiteteve që mbulohen. Projekti mbështetet nga USAID dhe Ministria e Shëndetësisë dhe zbatohet nga International Virtual e-Hospital Foundation (SHBA).

Nga ana tjetër, Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (KIUShB), kontribuon nëpërmjet rinovimit të mjediseve, në të cilat është i vendosur programi. Për më shumë rreth kësaj çështjeje, për “Shekulli”-n foli koordinatori Arian Boci. “Telemjekësia mundëson uljen e numrit të referimeve të panevojshme në spitalet universitare. Kjo praktikë, jo vetëm që përmirëson cilësinë e shërbimit ndaj pacientit, por gjithashtu ul kostot financiare të këtyre institucioneve.

Të dhënat e vitit 2014 janë premtuese dhe tregojnë një rritje të ndjeshme të numrit të telekonsultave, numri i të cilëve arriti në 608 telekonsulta në rreth 30 specialitete të ndryshme. Ku numrin më të madh e zënë konsultat nga teleradiologjia, tele-neurotrauma dhe telestroke, por nuk mbeten pas dhe shërbime të tjera, si për shembull shërbimi i pediatrisë, neurologjisë, gastrohepatologjisë, traumat abdominale apo dhe pneumologjia.

Nga këto telekonsulta, rreth 70% e tyre kanë marrë trajtim të specializuar në spitalet rajonaleshifër kjo e konsiderueshme, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në sigurimin në kohë të cilësisë ndaj kujdesit shëndetësor të pacientit, por dhe në uljen e kostos financiare të të gjithë sistemit”, tha Boci, koordinator i programit të telemjekësisë.

Në ditët e sotme, telemjekësia është një realitet i prekshëm. Qendra Kombëtare e Telemjekësisë (PITSHE), e cila ndodhet në QSUT, bashkërendon në një lidhje në rrjet me 11 spitale rajonale në rrethe të ndryshme të Shqipërisë dhe katër spitale universitare, siç janë: QSUT, Spitali Universitar i Traumë, Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” (SUOGJ) dhe SU “Shefqet Ndroqi (Senatoriumi). Deri vitet e fundit, për shkak të mungesës së aparaturave, por edhe të stafit të kualifikuar, pacientët dërgoheshin për në Tiranë, për një diagnostikim (apo dhe mjekim), më cilësor.

Por tanimë nëpërmjet telemjekësisë mund të realizohen konsulta të ndryshme mes stafeve të mjekëve në rrethe me ato në Tiranë, duke mundësuar kështu një diagnostikim në kohë reale dhe me cilësi nga specialistët më të mirë. Por përveç këtyre, Boci tha se telemjekësia po jep kontributin e saj edhe në Programin e Edukimit të Vazhdueshëm të mjekëve, përmes ofrimit të trajnimeve virtuale, telekonferencave apo dhe bibliotekës elektronike.

“Që prej vitit 2010- të, është zbatuar me sukses programi në distancë i edukimit mjekësorë në vazhdim. Leksioni i parë, pra ai inaugurues, u mbajt nga Prof. Mentor Petrela, shef i Shërbimit të Neurokirurgjisë dhe një ndër pionierët dhe mbështetësit kryesorë ndër vite i telemjekësisë. Për të nderuar kontributin e tij në fushën e telemjekësisë, PITSHE organizon serinë vjetore të leksioneve të Tele-Neuroshkencës, ku ndër vite profesorë të nderuar nga vende të ndryshme të botës, sikurse Prof. Rifat Latifi (USA), Prof. Henri Marsh (Angli), Prof. Engelbert Knosp (Austri) kanë mbajtur kumtesa të ndryshme shkencore.

Këtë vit, në leksionin e tele-neuroshkencës, i mbajtur në muajin mars, e nderoi me pjesëmarrjen e tij akademiku Ronald Merrell nga SHBA”, thotë Boci. Ndërkohë objektivi final i Programit (PITSHE) është arritja e pranisë në të gjitha spitalet e vendit. Pra rrjeti i krijuar synohet të integrohet me sistemin e kujdesit shëndetësor dhe kështu të mundësohet prania në çdo spital kombëtar dhe rajonal.Kjo platformë e krijuar më pas do të kontribuojë në transformimin e sistemit të shëndetësisë, pasi duke përdorur telemjekësinë dhe platformën elektronike do të mbështetet më shumë aktiviteti klinik, edukativ dhe kërkimor.

Ecuria e deritanishme Boci, shpjegon se Programi i Telemjekësisë ka arritur deri më tani të vërë me sukses në praktikë tre komponentë, sikurse janë telemjekësia klinike, programi i edukimit virtual dhe biblioteka elektronike. “Telemjekësia klinike, ofron shërbimet mjekësore kuruese dhe diagnostike në distancë, ndërsa programi i edukimit virtual u jep mundësinë mjekëve, infermierëve dhe studentëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe Infermierisë që të marrin pjesë në evente të ndryshme, që i ndihmojnë ata në përmirësimin e aftësive profesionale.

Nga ana tjetër duhet thënë se, në këtë pikë kemi ecur edhe me bibliotekën elektronike virtuale, e cila promovon Programin e Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor, duke mundësuar aksesin në bibliotekat on-line, si HINARI (Program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka mbi 13 000 gazeta shkencore, 29 000 libra në formë elektronike, të gjitha këto në 30 gjuhë) apo PubMed (që përmban më shumë se 24 milionë citime literaturash  për mjekësi)”.
Pajisjet e ekzaminimeve traumatologjike
Çfarë është bërë deri më sot
përballjes me rastet e aksidenteve, të cilat shkaktojnë edhe urgjencat më të shpeshta të traumave në SUT, kanë qenë gjithnjë të shumta. Një ndër problematikat më të diskutuara gjerësisht ka qenë transferimi i pacientëve me trauma, lëvizja e tyre drejt qendrave shëndetësore dhe më pas drejt qendrës kombëtare të traumave. Gjithnjë është vënë në dukje fakti i mungesës së edukimit të infermierëve dhe stafit të ndërhyrjes së shpejtë. Në këtë linjë, me mbështetjen e USAID, ka ecur programi i kujdesit në distancë për pacientët e traumatizuar.

Krijimi dhe vendosja në funksionim e këtij programi ishte ndër qëllimet më kryesore përfaqësuesve të USAID, sidomos gjatë periudhës tetor 2011-shtator 2013, kur u bënë dhe hapat e parë. Në linjë të këtij zhvillimi u ngrit Qendra e Teletraumës, e cila është përfshirë në programin e rinovimit nga ana e Korpusit të Inxhinierëve të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për vitin 2014.

Duhet thënë se në 5 vitet e fundit USAID, në bashkëpunim me këtë Korpus dhe me autoritetet shqiptare, ka punuar për të ngritur dhe përmirësuar qendrat e telemjekësisë në të gjithë vendin. Kështu me po të njëjtin bashkëpunim u realizua analiza e situatës së traumës dhe sistemit të traumës në Shqipëri, hartim i draftit të protokolleve klinike për menaxhimin e traumës dhe hartimi i draftit të udhëzuesit për transfermimin e pacientëve me traumë.

Në sajë të kësaj mbështetjeje, Programi i Teletraumës, ishte programi i parë që mori zhvillim të plotë dhe të qëndrueshëm në kuadrin e telemjekësisë klinike. Drejtori për Programet e Zhvillimit të USAID-it në Shqipëri, Marc Ellingstad, i cili ishte prezent gjatë përurimit të qendrës më të fundit të telemjekësisë, tha se “fokusi në përmirësimin në Shqipëri të kujdesit ndaj pacientit të traumës është për t’u përgëzuar. Ka ende shumë punë për t’u bërë, por këto shenja përparimi tregojnë se jemi duke ecur në drejtimin e duhur”.

Kërkesa e SUT për Departament Traumash
Gazeta “Shekulli” e ka trajtuar edhe më parë në artikujt e saj nevojën për specializime të profilizuara drejt traumatologjisë për stafin e Spitalit Universitar të Traumës (SUT), por kjo nevojë duket se është kthyer në kërkesë konkrete. Drejtori i Spitalit, Gjovalin Bushi deklaroi se i është kërkuar në mënyrë urgjente drejtuesve të Universitetit të Mjekësisë krijimi i Departamentit të Traumës.

Por pas kësaj deklarate pasoi lutja e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, që duke respektuar lirinë akademike të mos jepen urdhra, por të punohet bashkarisht që ky specializim të hapet në tetor. Në fillim Bushi, drejtori i Spitalit, përmendi gjendjen që SUT kishte një vit më parë, duke nënvizuar faktin se spitali kishte 1 milion euro borxhe. Ai tha se: “Farmacia kishte mungesë medikamentesh dhe materialesh mjekësore, urgjenca nuk kishte laborator për ekzaminimet, të gjitha bëheshin privatisht, skaneri nuk punonte për shkak të dëmtimit të llambës, reanimacioni vuante nga mungesa e materialeve mjekësore”. Probleme të cilat gjetën zgjidhje falë donacioneve dhe ndërhyrjes së Ministrisë.

Pasi përmendi rregullimin e skanerit, planifikimin e blerjes dhe vënies në punë të skanerit të ri, rregullimin e problematikës së ilaçeve, vënien në punë të laboratorit të ri të ekzaminimeve, zëvendësimin e të gjithë krevateve të reanimacionit, vendosjen e monitorëve dhe aparaturave respiratore, drejtori Gjovalin Bushi deklaroi: “I është kërkuar Rektoratit dhe Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, krijimi urgjent i Departamentit të Traumës”, fjali kjo që nuk kaloi lehtë nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili gjatë fjalës së tij tha:

“Gjovalini, duke qenë se drejton një spital traume, lëshoi një si kërkesë urgjente për Universitetin Mjekësor, por të lutem, dua mirëkuptimin tënd, që t’ia lemë lirinë akademike të Universitetit Mjekësor dhe të mos i japim urdhër “urgjent” për departamentin e traumës, por që të punojmë bashkarisht. Unë kam komunikuar edhe me rektorin dhe me dekanin, që në tetor ne, kur të hapim specializimet e reja, të mund të hapim edhe specializimin e traumës. Besoj se, po të punojmë të gjithë bashkë, është një afat optimal i pranueshëm. Ka ardhur momenti, që edhe ne të fillojmë ta zhvillojmë këtë lloj specialiteti, sepse na duhet”.

Botuar te “Shekulli” më 7/04/2015

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s