Klasa inteligjente, nxënësit do të mësojnë me laptopë e tableta

Edi RamaBrenda tre vjetësh 46 000 gjimnazistë do të kenë mundësinë të mësojnë në të ashtuquajturat klasa inteligjente. Ministria e Arsimit dhe e Sportit, prezantoi dje projektin e modernizimit të sistemit arsimor, projekt që parashikon digjitalizimin e mënyrës së mësimdhënies në 360 gjimnaze të vendit. E gjitha brenda tre vjetësh. Thënë ndryshe, mësuesit do të mund të shpjegojnë përmes teknologjisë dhe po përmes saj, nxënësit do të mund të mësojnë më shumë. Pajisje sikurse projektorët interaktiv, të cilët, në një farë mënyre “zhdukin” dërrasën e zezë u prezantuan, si teknologji në pararojë të kohës.
Nxënësit, ashtu edhe mësuesit, për të shkruar, nuk do të përdorin më shkumësin, por penat elektronike. Krahas projektorëve do të ketë tableta dhe laptopë, pajisje të cilat do të lidhen në rrjet me disa sisteme të krijuara posaçërisht për mësimdhënie. Por prej kësaj do të mund të përfitojnë edhe prindërit, të cilët, në kohë reale, përmes regjistrave elektronikë apo dhe testeve elektronike do të kenë mundësi të marrin të dhëna më të sakta për ecurinë e fëmijëve të tyre, qoftë për ndjekjen e orëve të mësimeve, po ashtu edhe për performancën.

Pra një projekt i teknologjisë së lartë, i cili kërkon, që pikë së pari, si fillim ta mësojnë për ta përdorur vetë mësuesit, e më pas ata t’ua ndjellin nxënësve si praktikë mësimi. Në këtë linjë Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vazhduar me trajnimet e mësuesve, ku në total, sikurse tha ministrja Lindita Nikolla, parashikohen të trajnohen 8 000 mësues, prej të cilëve gjysma janë trajnuar tashmë. “Teknologjia është vetëm një instrument, ajo nuk do ta zëvendësojë mësuesin 100 për qind. Mësuesi do të mbetet aktori kryesor i edukimit, por teknologjia do ta bëjë atë më të aftë në procesin e mësimdhënies”, ishte një nga frazat që ministrja Nikolla përdori për të inkurajuar këtë nismë.

Projekti është testuar në 3 gjimnaze
Si fillim komponenti i këtij projekti, sikurse është regjistri elektronik, u testua në tre gjimnaze të vendit, dy ndodheshin në Tiranë dhe një tjetër në Korçë. Por pas gjimnazeve “Sami Frashëri”, “Andon Zako Çajupi” (Tiranë) dhe “Sevasti Qiriazi” tej. Si fillim, do të jenë 60 shkolla dhe më pas, brenda vitit 2018, projekti do të shtrihet në të gjithë vendin. Prej 60 shkollave të para të përzgjedhura, 43 prej tyre janë në zona të mëdha urbane, ndërsa 17 të tjera janë në komuna. Sipas asaj çka parashikon projekti, çdo shkollë do të ketë nga dy laboratorë digjitalë, të cilët do të përfshijnë nga një projektor interaktiv, 40 tableta për nxënësit, 15 tableta për sallën e mësuesve dhe 3 laptopë për mësuesit. Ç’është e vërteta ky projekt nuk është projekti i parë i investimit për të ashtuquajtur “moshë të internetit”.

Interneti nëpër shkolla gjatë viteve 2009-2013
Gjithsej vetëm në periudhën 2009-2013 janë investuar 6.5 milionë dollarë, investime të cilat shkuan më së shumti në krijimin e infrastrukturës sesa në krijimin e praktikave të reja të mësimdhënies dhe nxitjes së dijes. Pjesa më e madhe e këtij investimi shkoi për “hardwere” (pajisje) dhe “softwere” (programe), apo për shërbime interneti në shkolla, pra për futjen fizike të teknologjisë në ambientet e mësimdhënies. Në laboratorët e informatikës së gjimnazeve u sollën kompjuterë dhe programe të ndryshme të tij, por, sikurse u tha gjatë prezantimit të projektit të ri, nuk u investua në trajnimet dhe zhvillimet profesionale të stafit pedagogjik.

“Vetëm 9 për qind e gjithë investimit shkoi në këtë drejtim”, tha ministrja Nikolla, e cila shtoi se në këtë periudhë nuk pati një projekt të qartë as për mirëmbajtjen e kësaj infrastrukture, për të cilën u shfaq zero interes. Por ndryshe nga projektet e kaluara, investimi i tanishëm synon një plan konkret të përdorimit të kësaj teknologjie në shkolla. Ministria e Arsimit dhe e Sportit deklaroi se, ka një vizion të qartë për ndërthurjen e kësaj teknologjie me procesin mësimor dhe zgjatjen e përdorimit të kompjuterit, jo vetëm në orën e informatikës, por edhe në lëndë të tjera, kjo pasi synohet të implementohet një mënyrë e re mësimdhënieje.

“Klasa inteligjente në shkollën digjitale”, ky është objektivi që ka vendosur Ministria e Arsimit dhe bashkë me të edhe Qeveria. Ndërkohë gjatë prezantimit u simuluan edhe raste të përdorimit të kësaj teknologjie, përmes programeve të veçanta. Një grup nxënësish morën pjesë në një testim online. Përmes tabletave të tyre ata zgjidhën një provim, që kishte dhe kohëzgjatjen e përcaktuar (2 min). Rezultatet e këtij testi të simuluar u llogaritën në çast. Përmes programit ato u paraqitën edhe në forma statistikore. Pra kjo mënyrë i jep fund edhe korrigjimit subjektiv të mësuesve, apo dhe rastet “të mbajtjes me hatër”.

Çfarë zgjidh klasa inteligjente
Ditari i punës dhe korrigjimi i provimeve janë ndër veprimtaritë dalluese të profesionit të mësuesit. Për to shpeshherë mësuesve u duhet të punojnë edhe jashtë orarit. Ata kalojnë shumë kohë për t’u përgatitur për të nesërmen, apo dhe për nxjerrjen e rezultateve të testimeve të ndryshme. Por teknologjia ka arritur, që t’i lehtësojë dhe t’i minimizojë këto orë pune, të cilat nuk e rrisin performancën në mësimdhënie. Zgjidhja është klasa digjitale. Gjithashtu nxënësit, shpeshherë, janë përballur me lëndë abstrakte, orë jo shumë interaktive, sikurse dhe ndjesi të ndryshme, përsa i përket vlerësimit të mësuesve. Edhe në këtë pikë zgjidhja që ofron teknologjia është klasa digjitale, e cila zgjidh përfundimisht vlerësimin subjektiv dhe e bën më interaktive mësimdhënien.

Digjitalizimi sjell për herë të parë të dhëna objektive
Projekti i digjitalizimit të mësimdhënies realizohet përmes një sistemi, që quhet “Socrates”, të cilin e prezantoi Ornela Koleka, drejtoreshë e Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit në Ministrinë e Arsimit. Ky sistem përmban në vetvete sistemet “classroom management” (menaxhim i klasës), “learning management system” (sistem i menaxhimit të mësimit), dhe “e-register” (regjistri elektronik). Të gjitha këto realizojnë klasën inteligjente. “Me ‘menaxhimin e klasës’ mësuesit do të mund të krijojnë klasa virtuale dhe komunikimi me nxënësit do të mund të jetë edhe jashtë klasave.

Sistemi i ‘menaxhimit të mësimit’ ofron mundësinë e monitorimit dhe planifikimit të procesit të mësimdhënies. Sistemi i ‘regjistrit elektronik’ do të jetë një tjetër risi, që do t’u mundësojë prindërve aksesin direkt te notat e fëmijëve të tyre, dhe ndjekjen e mungesave apo statistikave të sistemeve të tjera. Pra sistemi ‘Socrates’, mundëson për herë të parë një bazë të gjerë të dhënash. Tanimë do të mund të kihet një statistikë objektive për të gjitha shkollat, për të gjithë mësuesit dhe nxënësit në rang vendi”, tha Ornela Koleka.

E pyetur nga “Shekulli” nëse është parashikuar diçka edhe për nxënësit me aftësi të kufizuara, ajo tha se në këtë linjë po punohet me Ministrinë e Inovacionit dhe Administratës Publike për të vënë në punë një sistem paralel, i cili do të mund të punojë posaçërisht për ta dhe do të lidhet me sistemin qendror. Si do të funksionojë Mësuesi do të ketë një laptop, ndërsa nxënësit do të kenë tableta.

Ndërkohë në vend të dërrasës së zezë do të ketë projektorë interaktiv, të cilët kanë funksione të dyfishta, jo vetëm projektojnë pamje, por projektojnë edhe shkrimin e shkruar përmes penave elektronike. Thelbi i klasës inteligjente është aplikacioni i administrimit të orës së mësimit. Mësuesi me këtë sistem të thjeshtë, si fillim, mund të kontrollojë dhe të administrojë të gjithë tabletat e nxënësve.

Me anë të disa funksioneve të këtij aplikacioni është e mundur, që të shpërndahen materiale interaktive, të bëhen anketa e testime dhe rezultatet të merren shumë shpejtë. Pra mësuesi i klasës inteligjente do të mund ta marrë bilancin e shpjegimit të mësimit shumë herë më shpejt, duke kryer pyetje pas çdo shpjegimi. Kështu nxënësve do t’u duhet të përgatiten sistematikisht dhe ora e mësimit do t’u duket më interaktive. Të dhënat e përftuara më pas ruhen dhe në formë elektronike mund t’u dërgohen jo vetëm strukturave arsimore, por edhe prindërve.

“Mësuesit e kanë të vështirë ta thithin botën e teknologjisë”
Një transformim radikal në qasjen ndaj shkollës”, kështu e nisi dje fjalimin e tij Kryeministri Edi Rama, teksa përshëndeti nisjen e projektit të prezantuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit për digjitalizimin e shkollave. Duke e përshëndetur këtë nismë që tanimë është në hapa konkretë, Kryeministri rikujtoi se kur u propozua në fillim ajo u shoqërua me shumë skepticizëm. “Kujtoj se kur ne e propozuam këtë ide në kuadrin e ideve të reja për shkollën, pati shumë njerëz që e panë me shumë skepticizëm, pati të tjerë që nuk ngurruan të shprehin cinizmin e zakonshëm në këto raste.

Por ja ku jemi sot, përpara një fakti të kryer, që puna ka filluar konkretisht”, tha Rama. Më tej Kryeministri tregoi me humor se për herë të parë problemi i nxënies së dijeve nuk janë nxënësit, por mësuesit. Ai e vlerësoi si sfidë trajnimin e tyre dhe vënien në shërbim të këtij procesi. “Këtu ka një problem kryesor, që për herë të parë nuk janë nxënësit halli, por janë mësuesit.

Sepse, nxënësit e kanë shumë më të thjeshtë që ta thithin të gjithë botën e teknologjisë së re, ndërkohë që mësuesit e kanë më të vështirë dhe trajnimi i mësuesve në këtë proces është një sfidë e madhe, ashtu sikundër dhe vënia e mësuesve në dispozicion të këtij procesi me dije të plota është një sfidë e madhe”.

Rama vazhdoi duke thënë se e rëndësishme nuk është sesa investohet në teknologji, por sesa këto investime lidhen me dijen dhe me aftësitë për të përdorur teknologjinë. Më tej shtoi se, ky projekt do të bëjë të mundur që të gjithë nxënësit e gjimnazeve të vendit të mos kenë më kufi ndarës mes zonash më të mirëqena dhe zonash më të varfra, sepse të gjithë do të jenë të barabartë përpara burimeve dhe mundësive të dijes.

Kryeministri u shpreh krenar që, dje, nisi këtë fazë, që ai e cilëson historike. “Jam i bindur që me përfundimin e këtij projekti në tre vitet e ardhshme, ne do të kemi mundësinë të themi se jemi në kushtet e një transformimi të pandodhur më parë, përmes të cilit pa asnjë dyshim do të kemi mundësi të shohim më tutje dhe të sjellim transformime, që sot mbase as që mund t’i imagjinojmë”, tha me bindje Rama.

Botuar te “Shekulli” me 8/04/2015

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s