Ishulli i Sazanit, simbol i një sistemi ku “të gjithë ishin ushtarë”

SazaniI pagëzuar nga propaganda e regjimit të Enver Hoxhës me emrin “Çelësi i Otrantos”, ishulli i Sazanit – me shumë gjasa – është vendi ku historia e paranojës së atij sistemi mund të tregohet më qartë se kudo në Shqipëri, por…

Historia e Enver Hoxhës tregon se ishulli u çlirua më 22 tetor 1944 – 7 ditë pas çlirimit të Vlorës – dhe kjo datë ngjizi më pas jo vetëm shkollën 8-vjeçare, por të gjithë bazën që do të ndërtohej atje. Zëra të ndryshëm – madje edhe ciceronja e AKB-ës (Agjencia Kombëtare e Bregdetit) – thonë se në të vërtetë partizanët, Sazanin e gjetën të braktisur, gjë e cila e konsideron pjellë të propagandës së Hoxhës “çlirimin me armë” edhe të 5.7 kilometrave katrorë ishulli të Shqipërisë, por kjo është një tjetër histori, fakt është, që ajo çka ngjau me Sazanin, është një dukuri e vërtetë me atë çka ngjau me të gjithë Shqipërinë.

“Çelësi i Otrantos” u ndërtua njëjtë sikurse u ndërtua në të gjithë vendin, me dy histori paralele të cilat u jetuan ndryshe e u treguan krejt ndryshe. Ka persona – gjatë vizitës, vura re që kishte shumë të tillë – që besojnë se në Sazanin e asaj kohe jetuan 10 mijë njerëz. Ka të tjerë që besojnë se në atë bazë jetuan të privilegjuarit e sistemit, të cilët, bashkë me miqtë e tyre, pushonin në hotelet e ishullit dhe bënin plazh në gjirin më të bukur të Shënkollës duke ngrënë portokaj, fiq e madje edhe pjeshka, e gjitha kjo, në një kohë kur Shqipëria “ngordhte për bukë”. Unë nuk besoj kështu, besoj se kjo është vetëm njëra pjesë e historisë, historia e treguar nga propaganda e sistemit. Historia tjetër, ajo e vërteta, ajo e jetuara, do gërmuar dhe medoemos nxjerrë në dritë.

Gjatë vizitës së Sazanit – fatmirësisht për të kuptuar sadopak historinë tjetër – në grupin tonë ishte një mesoburrë nga Lezha, i cili tha se ishulli i kishte marrë rininë. Ai tregoi se kishte kryer ushtrinë në fillim të viteve ’80-të dhe që historia e Sazanit ishte krejt tjetër. Energjia elektrike në ishull, tha se ishte shkëputur në fund të viteve ’70-të, kur lidhja me kabull me anën tjetër të bregut qe prishur. Drita kishte vetëm 4 orë në ditë dhe ajo sigurohej falë gjeneratorëve. E gjithë zona nuk kishte pasur kurrë ujë. Ushtarët laheshin me ujë të kripur. Për të pirë, pihej ujë që vinte me autobote nga Vlora. Asnjëherë 10 mijë persona, pak familje në Sazan, më së shumti familje oficerësh, të cilët nën frikën e çimentos së armatosur të ishullit, mallkonin veten për damkosjen me të tillë fat të të afërmve të tyre.

Ushtarët – pjesa më e madhe beqarë – përjetonin ferrin me aksione në kushte mizerjeje ekstreme, që diktohej nga paranoja e sistemit, i cili tanimë ishull kishte kthyer të gjithë Shqipërinë. Në një “Luftë të Fortë” me Botën, i gjithë vendi ishte bombarduar me bunkerë, ndërkohë që paranoja kishte kapluar edhe njerëzit e thjeshtë, të cilët besonin vërtetë që mund të sulmoheshin, e jo më ushtarët e Sazanit, “Çelësit të Otrantos”.

Në të tilla kushte, hera-herës, ushtarë kishin gjetur vdekjen e tek-tuk kishin mbetur pa-raportuar, ndërkohë që kishte pasur dhe raste vetëvrasjeje – Sazani ka një gjir që quhet “Gjiri i Djallit – ku ishulli, sikurse tha vizitori, bënte të të ikte truri. Dikë e kishte bërë “t’i qëllonte vetes për plot 4 herë”.

Sazani është vendi ku sistemi, për të cilin i gjithë populli punonte dhe nxirrej në aksione ushtarake, mund të tregohet më qartë se kudo në Shqipëri, por për t’u rrëfyer duhen medoemos historitë e njerëzve që e jetuan atë tmerr, godinat e mbetura rrënojë të plaçkitjeve të post-’97-ës nuk kryejnë shumë rol.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s