Zhvillimet që shqetësojnë Evropën

Europa e SemureKonfliktet e armatosura janë shqetësimet më kryesore për Botën aktuale. Këto shqetësime, që janë jo të pakta, kanë prekur edhe “Kontinentin e Vjetër“, i cili për shumëkënd mendohej se ishte jashtë rrezes së luftimeve. Ishte menduar se pas përplasjeve botërore, asaj të “Ftohtë” dhe luftërave në shpërbërjen e Jugosllavisë, Evropa tashmë e kishte konsoliduar paqen. Por nuk rezultoi kështu dhe shkaqet janë gjithnjë po ato: problemet politike e ekonomike – që sjellin edhe acarime – terrorizmi, mosakordanca brenda fuqive europiano-perendimore etj.

Pak vite më parë, Evropën filloi ta shqetësonte ajo çka do të ashtuquhej “kriza ukrainase”. Kjo krizë, e cila filloi – në fund të vitit 2013-të – me një akt pezullimi të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit (MSA) nga ana e Presidentit Viktor Yanukovych, u pasua nga një destabilitet politik, që – në vitin 2014-të – nxori në pah përplasjen e “intolerancave[1] sikurse do të thoshte Ramin Jahanbegloo. Perëndimin dhe Lindjen. Intoleranca, të cilat në mungesë të një dialogu të mirë-strukturuar mes dy qytetërimeve, prodhoi atë që ishte parashikuar në fund të viteve ’90-të, nga akademiku me influencë të madhe në politikën amerikane, Samuel P. Huntington, ishte parashikuar si “kriza ukrainase”.

Huntington në librin e tij “Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror” (S.P.Huntington, 1998), analizonte dhe kundërshtonte – sikur e quante ai – “qasjen etatiste” të John J. Mearsheimerit në parashikimet e situatës mes Ukrainës dhe Rusisë. “Ndërsa qasja etatistë nxjerr në dukje mundësinë e luftës ruso-ukrainase, qasja qytetërimore e zvogëlon këtë dhe në vend të saj vë në pah mundësinë e ndarjes më dysh të Ukrainës, ndarje për të cilën faktorët kulturorë do ta bënin dikë të parashikonte se mund të ishte edhe më e dhunshme sesa ndajra e Çekosllovakisë, por shumë më pak e përgjakshme sesa copëtimi i Jugosllavisë.”[2] Huntington parashikoi se “qasja qytetërimore” do të nxiste që Ukraina të mbështetej për të ruajtur unitetin e pavarësinë e saj në çdo rast të jashtëzakonshëm të paraqitjes së rrezikut për t’u copëtuar. Sipas tij kjo qasje do të kërkonte nxitjen e bashkëpunimit mes Rusisë dhe Ukrainës dhe do të përkrahte ndihmën thelbësore ekonomike drejt kësaj të fundit. Huntington e vlerësonte këtë paradigmë “qytetërimore” duke u nisur nga marrëveshja e vitit 1993 ndërmjet Presidentit rus Boris Jelcin dhe Presidentit të Ukrainës Leonid Kravchuk për të rregulluar çështjen e flotës së Detit të Zi e të çështjeve të tjera që shqetësonin të dy vendet.

Rreziku i ndarjes së Ukrainës – sikurse parashikonte Huntington – ndodhi në periudhën shkurt-mars 2014-të, kur përplasjet mes ukrainasve pro-rus dhe atyre pro-Qeverisë së re të vendosur në Kiev – Oleksandr Turchynov e pozicionoi Kievin pro Bashkimit Evropian – morën trajtat e luftës civile në juglindje të vendit. E gjithë kjo situatë prodhoi kushtet politike – më 18 mars – për një aneksim të Krimesë nga ana e Rusisë. Teoricieni i marrëdhënieve ndërkombëtare John J. Mearsheimer, i cili analizohej nga Huntington si me “qasje etatiste” në çështjen e Ukrainës, në shtator të atij viti – 2014 – e përshkroi me kritika të forta kundrejt Shteteve të Bashkuara gjithçka ndodhi në Krime. Sipas tij ndërhyrja e Rusisë në Krime dhe Ukrainë ishte motivuar nga një strategji – sipas tij – me objektiva të papërgjegjshme të NATO-s në Evropën Juglindore. Duke analizuar zgjerimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut me anëtarësime të reja në Evropën Juglindore dhe planin për të përfshirë në të edhe Ukrainën, Mearsheimer argumenton se aneksimi i Krimesë nga Rusia “u ushqye nga shqetësimet e saj se do të humbte aksesin në Detin e Zi përmes bazave detare në Sevastopol, nëse Ukraina do të vazhdonte afrimin e saj drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.”[3]

Përballë luftës që shoqëroi këtë ndërhyrje të Rusisë, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara u dukën të pafuqishme për të reaguar. Rasti i kësaj pafuqie rikujtoi luftën e Rusisë në Gjeorgji të vitit 2008-të, e cila solli “pavarësimin” e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Rusia edhe asokohe ndërhyri për të shmangur një rritje të influencës së NATO-s në një vend të ish- Bashkimit Sovietik. Vetë presidenti Dimitry Medvedev në vitin 2011-të do të pranonte indirekt se “ndërhyrja në Gjeorgji ndali zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s”[4]. Në analizën e tij post-aneksimit të Krimesë, Mearsheimer thotë se “politika e Shteteve të Bashkuara duhet të tërhiqet dhe ta njohë Ukrainën si një shtet-tampon mes NATO-s dhe Rusisë, e jo ta përthitë atë në NATO”. Në këtë periudhë aftësia dhe fuqia e Shteteve të Bashkuara për të vendosur vetë në gjeopolitikën botërore duket në venitje. Bashkangjitur kësaj Evropa po tregon edhe njëherë se zhgënjen kur vjen puna për të treguar forcën.

Robert Cooper në analizën e tij “Shpërbërja e kombeve: Rend dhe kaos në shekullin e njëzet e një” (R. Cooper, 2003) e përshkruan projektin e Bashkimit Evropian si një projekt që “synonte që politikën e forcës dhe kërcënimin ta bënte të pamundur në Evropë”. Cooper përmend se për njëmijë vjet politika e jashtme e Evropës ka qenë politika e aleancave, konflikteve dhe e përdorimit të forcës. Ai nuk e konsideron si çudi faktin, që njëqind vite pasi sistemi shtetëror evropian prodhoi konfliktet më katastrofike që ka njohur bota, tanimë të vlerësojë më shumë ambientin dhe rrugën brenda kuadrit diplomatik e ligjor, ndërkohë që konfliktet të kërkojë t’i zgjidhë brenda rrugëve paqësore. Kjo politikë e Bashkimit Evropian për t’iu shmangur përdorimit të forcës, normalisht është për t’u vlerësuar, por siç e përmend edhe Cooper, shpesh herë sjell zhgënjime për faktin se disa konflikte nuk mund të mos zgjidhen me përdorimin e forcës. Ai këtu përmend konfliktet në Ballkan teksa thotë se “disa prej politikanëve evropian u panë qartë në ditët e para të konfliktit në Ballkan, kur dukej se besonin se paqja dhe drejtësia mund të arriheshin thjesht duke u kërkuar njerëzve të ishin e të tregoheshin të arsyeshëm”[5].

Pra edhe ngjarjet në Ukrainë ishin treguese të kësaj qasje të pafuqishme të Bashkimit Evropian, i cili duket i përqendruar më tepër në marrëdhëniet ekonomike të ngritura mbi instrumentet e saj tregtare – përmes traktateve të ndryshme që i arrin edhe me shtete jo-anëtare – sesa në ushtrimin e forcës. Cooper bën një lidhje me Shtetet e Bashkuara, të cilat e kanë këtë forcë, teksa thotë se “pas çdo ligji, qëndron i gatshëm një polic, si një mjet i fundit për të ushtruar forcë fizike. Pas çdo kushtetute qëndron një ushtri e gatshme për ta mbrojtur atë. Pas çdo zhvillimi paqësor në Evropë, në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, është NATO dhe fuqia ushtarake amerikane”.

Por kjo lidhje tashmë e munguar në krizën në Ukrainë e ka lënë të zbuluar Bashkimin Evropian përballë një ri-zgjimi të konflikteve dhe ideologjive të dikurshme me Lindjen. Politika e Jashtme e Evropës ka çaluar të jetë e unifikuar. Nëse i qëndrojmë tezës së Jahanbegoo, pavarësisht se bota po vjen gjithmonë duke u bërë më intolerante, “janë të gjitha mundësitë për të bashkëjetuar”. Ai thotë  se “mund të nisemi nga premisa se dinjiteti njerëzor është tejet i madh për t’u kapërthyer brendapërbrenda një kulture të vetme” dhe përmes një dialogu ndërkulturor – jashtëzakonisht të domosdoshëm thotë Jahanbegoo – pjesëmarrësit e të cilit “lypset të besojnë se botëkuptimet e gjithkujt janë në gjendje të kuptohen” dhe “nën aftësinë për ta këqyrur vetveten nga perspektiva e tjetrit”[6] mundet që të zgjohet mirëkuptimi mes palëve, jo domosdoshmërisht dakordësia, por të paktën nxitja e vullnetit për të mos përkrahur dhunën dhe për të bashkërenduar drejt prosperitetit. Sipas kësaj teze Evropa ka marrë tiparet e nxitëses së dialogut, por deri më tani ka dështuar, përderisa konflikti në Ukrainë nuk është zgjidhur tërësisht.

Ndërkohë kriza ekonomike vazhdoi të gjenerojë problemet e saj. Në vitin e pestë te recensionit ekonomik – që prej vitit 2009 – shqetësuese për Evropën vazhdoi të ishte gjendja e Greqisë. Në fund të vitit 2014-të, me një papunësi të raportuar në 26.5 për qind[7], por që për herë të parë pas pesë vitesh, parashikimet e Qeverisë – Qeveria e Antonis Samaras – ishin për një rritje pozitive prej 2.9 për qindësh të ekonomisë – projekt-buxheti i vitit 2015-të – gjendja dukej drejt rrugës së duhur për përmirësim. Sipas parashikimeve të Qeverisë[8], brenda vitit 2015-të borxhi publik i Greqisë do të arrihej të ulej në 168 për qind – nga 175 për qind që ishte në vitin 2014-të – ndërkohë që sipas masave të bashkërenduara me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Bashkimit Evropian (BE) – Eurogrupi – shlyerja e këstit të radhës së borxhit prej 240 miliardë eurosh do të kryhej rregullisht vitin e ardhshëm – viti 2015-të.

Për herë të parë, që prej futjes në krizën e borxheve, Greqia mundi t’i rikthehej tregut privat të huave, me Qeverinë që parashikonte të nxirrte në shitje të tjera obligacione. Por gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve. Masat shtrënguese dhe reformat e ndërmarra nga Qeveria Samaras kishin zgjeruar radhët e të pakënaqurve në Greqi – pasi barra më e madhe e efekteve të këtyre masave kishte rënë mbi shtresën e mesme të popullsisë –  çka u reflektua edhe në shtimin e simpatisë për partinë SYRIZA të Alexis Tsipras, ky i fundit i pozicionuar hapur kundër masave shtrënguese të diktuara nga FMN dhe BE. Presioni politik solli një krizë, e cila u pasqyrua me mos-zgjedhjen e Presidentit. Për rrjedhojë Parlamenti vendosi zgjedhje të jashtëzakonshme, zgjedhje që u caktuan të mbahen më 25 janar të vitit 2015-të. Të gjendur përballë mundësisë së një kthese për sa u përket masave shtrënguese ekonomike – politikë e propaganduar nga partia e Tsipras – nga Bashkimi Evropian u deklarua hapur se “cilado të ishte Qeveria e ardhshme ajo duhet t’u përmbahej marrëveshjeve të arritura deri më atë kohë”[9].

Zgjedhjet e jashtëzakonshme u fituan nga Alexis Tsipras dhe, ashtu sikurse pritej, patën ndikimin e tyre në ekonomi. Treguesit e tre-mujorit të parë ishin në vlera negative – -0.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto[10] – krejt ndryshe nga ç’parashikohej nga projekt-buxheti i vitit të kaluar. Përballë kësaj situate të re të Greqisë, Eurogrupi pranoi mundësinë e ridiskutimit të kushteve të pagesës së kësteve me Qeverinë e re, por me afatin e fundit të përmbushjes së transfertave të radhës të paracaktuar në marrëveshje jo më larg se fundi i qershorit. Por ditët kaluan dhe një marrëveshje nuk u arrit deri në fundin e muajit, kur Qeveria Tsipras – sipas Komisionit Evropian[11] – braktisi procesin e negocimeve. Përkundër vazhdimit të bisedimeve, Kryeministri Tsipras deklaroi më 27 Qershor mbajtjen e një referendumi, mbi atë që ai e konsideroi “pranimin ose jo të masave të papërballueshme të planit të kreditimit”[12]. Nga shumë analistë kjo kërkesë e SYRIZA-s u pa si një votë e pastër pro apo kundër daljes nga Eurozona, pasi një refuzim i paketës së kreditimit do të thoshte një faliment për Shtetin e Greqisë e për rrjedhojë emetimin e një paraje tjetër duke u shkëputur kështu nga Banka Qendrore Evropiane.

Referendumi i mbajtur në kushte të rënda financiare – me bankat e bllokuara si pasojë e mungesës së likuididetit – grekët votuan kundër programit të shtrënguar të kreditimit. Me një pjesëmarrje prej 62.5 për qind të elektoratit, 3 milionë e 558 mijë e 450 qytetarë – 61.31 për qind – u shprehën kundër. Pas këtij rezultati Qeveria Tsipras iu kthye bisedimeve me përfaqësues të Eurozonës, në përpjekje për të përfituar fonde nga Banka Qendrore Evropiane. Pas 17 orësh bisedime palët arritën një marrëveshje të përkohshme lidhur me një program të ri – programi i tretë[13] – kreditimi për të shpëtuar Greqinë nga falimenti. Por kjo marrëveshje u pa me shumë kritika nga pjesëtarë të Qeverisë Tsipras, por edhe nga shumë qytetarë, të cilët të ndjerë të tradhtuar filluan ta kërkojnë hapur mos-miratimin e saj në Parlament.

Trazirat dhe përplasjet politike vazhduan në dy seanca maratonë – 11 dhe 23 korrik – ku u diskutuan reformat ekonomike që parashikoheshin nga marrëveshja e arritur me Eurogrupin. E njëjta situatë vazhdoi deri në gusht, kur propozimi për një paketë prej 85 miliardë eurosh[14] – plani i tretë i kreditimit – u miratua në Parlament. Tsipras u përball me një përçarje brenda grupit parlamentar ku 40 deputet të tij votuan kundër, për këtë ai bëri thirrje për një mocion mosbesimi, çka rizgjoi edhe njëherë krizën politike në Greqi.

Gjendja e rëndë e Greqisë ka qenë treguesi i një politike të gabuar në Eurozonë dhe e gjitha ka vënë në diskutim strukturën e Bashkimit Evropian, ku fryma euroskeptike është ndjerë më shumë dy vitet e fundit. Por ky nuk ka qenë shqetësimi i vetëm i Unionit. Një valë e madhe emigrantësh – në kërkim të largimit nga luftërat në Lindjen e Mesme, por edhe të një jete më të mirë – zuri me radhë shtetet e BE-së – por jo vetëm. (Në këtë krizë është përfshirë edhe Shqipëria. Rreth 30 mijë shqiptarë figurojnë si azilkërkues vetëm në Gjermani. Një numër po kaq i konsiderueshëm raportohet të jenë edhe shqiptarë të Kosovës[15]).

Kriza shënoi fillim kur shtete si Greqia – në vitin 2012-të – apo Bullgaria – në vitin 2014-të –ndërtuan mure kufitare për të penguar kalimin e paligjshëm të refugjatëve – kryesisht sirianë – nga Turqia, të cilët që prej fillimit të luftimeve në Siri – viti 2010-të – largohen nga vendi i tyre. Ndërtimi i mureve kufitare u kushtëzoi rrugëtimin drejt vendeve me mirëqenie më të lartë në BE, duke u lënë si alternativë ose kapërcimin dhe përballjen me ndëshkimet e autoriteteve lokale, ose kalimin përmes detit, çka duke u kryer në det të trazuar ka sjellë një numër të lartë viktimash.

Kriza e refugjatëve në thelb është tregues edhe i një dobësie tjetër për sa i përket Politikës së Jashtme të Evropës: vetë lufta në Siri e Irak. Bashkimi Evropian, i cili në kuadër të Procesit të Barcelonës për projektin e “Bashkimit të Mesdheut” ka pasur marrëveshje ekonomike dhe politike me Sirinë[16] deri në vitin 2009, nuk ka ofruar një zgjidhje konkrete për luftimet atje deri më 16 mars të 2015-ës, kur Këshilli miratoi edhe një plan strategjik[17]. Unioni deri në këtë periudhë ishte limituar duke prishur marrëdhëniet bilaterale, duke vendosur embargo, duke kontribuuar në ndihmat humanitare për të shpërngulurit e luftës – 3 miliardë euro – sikurse edhe në shkatërrimin e armëve kimike. Por edhe në strategjinë e miratuar nga Komisioni në tërësi reflektohen të njëjtat hendikape të BE-së, mungesë e aftësive për të vepruar me forcë në zgjidhjen e konflikteve të cilat kanë kaluar në luftë të hapur.

E gjithë kjo panoramë e shqetësimeve që kanë karakterizuar Evropën së fundmi janë sinjal i qartë i “diçkasë që nuk po funksionon” përbrenda Unionit.


[1] Ramin Jahanbegloo (2007): Përplasja e intolerancave. Përkthyer nga Aleksandër Furxhi. IDK-Instituti i Dialogut dhe Komunikimit. Tiranë.

[2] Samuel P. Huntington (1998): Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror. Përkthyer nga Xhevat Lloshi. Logos-A 2009. Tiranë. fq.32

[3] John J. Mearsheimer: Why the Ukraine Crisis is the West’s Fault. The Liberal Delution That Provoked Putin. Foreign Affairs. Ora 16:49. 11.09.2015 https://www.foreignaffairs.com/articles/russia-fsu/2014-08-18/why-ukraine-crisis-west-s-fault

[4] ANTARA News/Reuters: Russia says Georgia war stopped NATO expansion. Antara News. Ora 17:00. 11.09.2015 http://www.antaranews.com/en/news/77826/russia-says-georgia-war-stopped-nato-expansion

[5] Robert Cooper (2003): Shpërbërja e kombeve: Rend dhe kaos në shekullin e njëzet e një. Prkthyer nga: Ilir Gjoni. Botimet Dudaj, 2010. Tiranë. fq. 209

[6] Ramin Jahanbegloo (2007): Përplasja e intolerancave. Përkthyer nga Aleksandër Furxhi. IDK-Instituti i Dialogut dhe Komunikimit. Tiranë. fq.21

[7] European Economic Forecast Spring 2015: Greece Economic and Financial Affairs. European Commission Economic and Financial Affairs. Ora 19:15. 13.09.2015 http://ec.europa.eu/economy_finance/eu/forecasts/2015_spring/el.html

[8] NewsBomb: Greek economy to grow by 2.9 pct in 2015, draft budget‏. Ora 19:34. 13.09.2015 http://www.newsbomb.gr/en/story/503449/greek-economy-to-grow-by-29-pct-in-2015–draft-budget%E2%80%8F#ixzz3my7DkiDs

[9] BBC: Germany’s Schaeuble warns over reform. Ora 20:32. 14.09.2015 http://www.bbc.com/news/world-europe-30629269

[10] Kathimerini: ELSAT confirms return to recession. Ora 20:45. 14.09.2015  http://www.ekathimerini.com/197416/article/ekathimerini/business/elstat-confirms-return-to-recession

[11] European Commission: Information from the European Commission on the latest draft proposals in context of negotiations with Greece. Ora 21:09. 14.09.2015 http://europa.eu/rapid/press-release_IP-15-5270_en.htm

[12] BBC: Greece debt crisis: Tsipras announces bailout referendum. Ora 21:15. 14.09.2015
http://www.bbc.com/news/world-europe-33296839

[13] Euroactiv: Eurozone reaches laborious tentative deal on Greece. Ora 22:30 14.09.2015 http://www.euractiv.com/sections/euro-finance/eurozone-reaches-laborious-tentative-deal-greece-316250

[14] BBC: Greece crisis: MPs back 85bn euros bailout in marathon debate. 23:12. 14.09.2015. http://www.bbc.com/news/world-europe-33925781

[15] BBC: Migrant crisis: Explaning the exodus from the Balkans. 23:44. 14.09.2015 http://www.bbc.com/news/world-europe-34173252

[16] European Union External Ation: Delegation of the European Union to Syria. 00:08 15.09.2015 http://eeas.europa.eu/delegations/syria/eu_syria/political_relations/agreements/index_en.htm

[17] European Commission: Elements for an EU regional strategy for Syria and Iraq as well as the Da’esh threat. 00:10 15.09.2015 http://ec.europa.eu/echo/files/news/20150206_JOIN_en.pdf

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s