A e rrezikojnë tërmetet e Bankers gazsjellësin TAP?

greva-e-banoreve-ne-zharrezQë prej 2 shkurtit nëntë banorë të fshatit Zharrëz në Patos, janë në protestë ekstreme me grevë urie. Kjo është greva e dytë në radhë, pas asaj të muajit dhjetor. Banorët kërkojnë siguri për jetët e tyre, dëmshpërblimin nga pasojat e punimeve të kompanisë “Bankers” dhe garanci se situatat e së kaluarës nuk do të ripërsëriten më.

Por paçka grevës së tyre, ata po përballen me një neglizhencë totale nga shtetarët, të cilët i akuzojnë si të paaftë për ta zgjidhur çështjen. Krahas kësaj neglizhence mungon edhe ndërgjegjësimi qytetar, duke i lënë praktikisht “vetëm” banorët e Zharrëzës.

Mbrëmjen e së premtes disa prej tyre u dërguan në spital, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Mediat e përcollën këtë lajm krejt përciptazi.

Në zonën e Zharrë-Marinzës në Patos banorët janë ankuar prej më shumë se dy vitesh për shpërthime dhe tërmete të vazhdueshme. Më 1 prill të vitit 2015-të, Marinza u kaplua nga shpërthime të forta të cilat nxorrën në sipërfaqe 2 rrëke të mëdha me lëndë argjilore, nafte dhe gazi. Më shumë se 60 familje u shpërngulën nga banesat e tyre me zonën që u konsiderua tërësisht e ndotur.

Specialistë të industrisë së naftës thanë se kjo ngjarje erdhi për shkak të punimeve të pakujdesshme të Bankers në sondat, ku në nëntokë injektohej ujë-teknologjik. Sasitë e mëdha të kësaj lënde u tha se depërtuan duke iu bashkuar ujërave nëntokësore, e më pas puseve të banorëve të zonës.

Kështu katastrofa mjedisore iu faturuan kompanisë “Bankers”, e cila, në Patos-Marinzë, ka eskluzivitetin e kërkimit dhe shfrytëzimit të burimeve të naftës që prej vitit 2004. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) tha asokohe se nisi hetimet e menjëherëshme, ndërsa Ministria e Mjedisit ndaloi shpimin e puseve të reja në zonë, për të paktën 2 vite. Periudhë kjo që u konsiderua e mjaftueshme për të “rehabilituar zonën”.

Por raportime të ndryshme mediatike, njoftuan se “Bankers” i vazhdoi punimet. Madje duke thyer edhe urdhërat e pezullimit. Në vitin që pasoi – 2016 – e njëjta kompani u akuzua se në shfrytëzimin e resurseve të naftës, shkaktonte tërmete të shumta. Kësaj here ishin banorët e fshatit Zharrëz, që u ankuan se dita-ditës po u prisheshin shtëpitë. Thirrjet e tyre kaluan pa vëmendje, apo angazhim publik.

Të gjendur në të tilla kushte, zgjidhja e vetme për banorët u pa greva e urisë. Në dhjetor ata i hynë në grevës së urisë. Grevë që u mbyll në ditën e 7-të, kur morën premtime shpresëdhënëse nga shtetarët se gjërat do të lëviznin duke filluar nga janari i vitit 2017-të. Në fakt një grup pune u tha se u ngrit për të shqyrtuar nga afër situatën dhe për të nxjerrë një plan-veprimi. Por ende nuk dihet publikisht se ç’përfundime nxorri ky grup-pune.

Kështu “viti i ri”erdhi sërish me halle të vjetra. Asgjë nuk u bë për ta zgjidhur njëherë e mirë çështjen. Politikanët e kthyen sërish në temë debati mes palëve, ndërsa opinioni publik u hutua me çështje të tjera, pse jo mbase të gatuara edhe enkas nga mediat tradicionale.

Pasi pritën 1 muaj. Banorët e Zharrëzës i hynë sërish grevës së urisë. Dhe njëjtë. Edhe kjo protestë e radhës po has sërish në veshë të shurdhët. Mbulimi mediatik ka qenë i përciptë dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve “pro” kësaj çështjeje i cekët.

Ndërkohë në horizont, pak më larg, parashikohet të kalojë edhe projekti i gazsjellësit TAP.

A mund të ndikojnë tërmetet e Bankers te siguria e gazsjellësit TAP?

Në segmentin e 9-të (+181km) gjurma e gazsjellësit Trans-Adriatik kalon në Mbrostar të Fierit. Në këtë pikë parashikohet, një kantier ndërtimi, një kantier për tubacione dhe më tutje në Lumin Seman, një pikë thithëse dhe shkarkimi uji.TAP-MBROSTAR.jpg

Bankers Petrolium në Marinëz, ndodhet larg nga Mbrostari rreth 10 kilometra në “vijë-ajërore” dhe 14-të në rrugë automobilistike. Zharrëza, rreth 2 kilometra më larg.

Projetki “TAP” i ka dorëzuar Qendrës Kombëtare të Licencimit vlerësimet e tij për ndikimin në mjedis dhe shoqëri në janar të vitit 2013-të. Tre muaj më pas ai ka marrë dhe leje mjedisore. Por duhet u nisur nga raportimet, rrethanat mjedisore kanë ndryshuar, sidomos në dy vitet e fundit ku tërmete të shumëta janë shënuar në zonë.

Banorët kanë akuzuar “Bankers”-in si shkaktare të tyre, ndërsa kompania ka mohuar ndikimin e punimeve të saj në lëkundjet sizmike. Përballë këtyre kushteve, a është i nevojshëm një ri-studim tërësor i zonës, për të garantuar më mirë, jo vetëm situatën në Zharrë-Marinëz, por edhe projektin TAP?

Sipas raportit të 8-të Evropian mbi aksidentet në gazsjellës, për periudhën 1970-2010 thuhet se janë regjistruar 1249 aksidente. 48.4% e këtyre aksidenteve kanë ndodhur për shkak të faktorëve të jashtëm dhe 7.4% për shkak të lëkundjeve të tokës.

“Gazsjellësi Trans-Adriatik” (TAP) është një nga projektet më të mëdha në Evropë që prek vendin tonë. Ai parashikon të shtrijë burimin azer të gazit natyror në tregun e Bashkimit Evropian. 870 kilometra tubacione janë planifikuar të lidhen me “Gazsjellësin Trans-Anatolian” që vjen prej burimeve të Shah Denizit në Azerbaxhan. TAP do të shtrihet nga Kipoi në kufirin turko-grek e deri në San Foca të Italisë.

Në Shqipëri tubacionet e këtij gazsjellësi do të përshkrojnë 211 kilometra dhe tashmë që prej 3 korrikut 2015-të, kanë nisur zyrtarisht punimet. Aktualisht punohet në fazën e dytë, ku kompanitë nënkontraktore kanë përfunduar ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme dhe po kalohet në shtrimin e tubacionit. Projekti thuhet se përfundon zyrtarisht në vitin 2019-të.

Nga ky ndërtim, Shqipëria 20 vitet e ardhshme, thuhet se do të përfitojë 1 miliardë euro. Vendit i jepet mundësia edhe për gazifikimin e territorit.

Nëse aktualisht Bankers ka qenë vërtetë shkaktare e tërmeteve në Zharrë-Marinëz të Patosit dhe realisht këto lëkundje e vënë në rrezik gazsjellësin TAP, atëherë Shteti është dyfish i detyruar të veprojë, pasi ky është një investim i huaj, të cilin “e gëzojnë” evropianët.

Mbase zgjidhja për banorët e Patosit, mund të vijë pikërisht nga projekti TAP, i cili mund t’i shtrëngojë shtetarët të veprojnë ndaj Bankers për të garantuar sigurinë.

 

Nga SHBA-të vjen shembulli konkret se ç’bën Perëndimi kur i cënohet mjedisi.

bakken_mapQë prej vitit që shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një projekt naftësjellësi është bërë stërmbullar i një përplasje të fortë mes shoqatave mjedisore dhe shtetit federal. “Dakota Access Pipeline” (DAP) është një projekt 3.8 miliardë dollarësh që në SHBA ka nisur të ndërtohet që prej vitit 2014-të. Ai parshikon 1886 kilometër tubacion nëntokësor që kalon përmes katër shtetesh (Dakotë e Veriut, Dakotë e Jugut, Ajoua dhe Ilinois) dhe që kërkon të dërgojë naftë nga Dakota e Veriut në rafineritë e Ilinoisit. Sipas planeve të ndërtimit, projekti duhej të mbaronte me fillimin e vitit 2017-të, por gjërat nuk shkuan mirë dhe ende nuk dihet se kur do të përfundojë, pasi kundërshtimet e ashpëra të qytetarëve amerikanë e kanë vënë atë në pikëpyetje.

Ç’është e vërteta projekti “DAP” u kundërshtua që në fillim nga një numër i madh shoqatash mjedisore për shkak se, sipas tyre, studimet nuk ishin bindëse mbi ndikimin që do të kishin punimet dhe ndërhyrjet mbi natyrë. Shqetësimi kryesor ishte sidomos mbi resurset ujore sikurse “Liqeni Oahe” (në Dakotën e Jugut, krijuar nga diga Oahe mbi Lumin Misuri, një nga 4 rezervuaret më të mëdha në SHBA), që shfrytëzohet edhe për ujë të pijshëm. Çështja u bë edhe më komplekse kur në gushtin e vitit 2016-të një numër i grupeve të autoktonëve (indigjenëve) amerikanë nisi një lëvizje të quajtur “ReZpect Our Water” dhe nën hashtagun “NoDAPL” nisën protesta masive.

Në Ajoua dhe Dakotën e Jugut, janë disa nga të paktat tribu të mbetura nga amerikanët autoktonë. Thirrjet e tyre i përngjitën çështjes mjedisore edhe një çështje tjetër, trazimin, sipas tyre, të bestytnive mbi varre dhe vende arkeologjike të shenjta, e për rrjedhojë cënimin e identitetit dhe trashëgimisë kulturore nga Projekti DAP. Çështa kështu u ndërkombëtarizua. Të gjendur përpara një turme masive që shtohej dita ditës, firmat kontraktore i kërkuan ndihmë Shtetit, pasi siguria e punimeve u kanos.

Në tre muajt në vazhdim gjërat dolën nga kontrolli. Shpesh forcat e policisë u detyruan të përplaseshin me turmat, që bëheshin agresive. Dhuna herë-pas-here u bë kryefjalë e raportimeve mediatike, të cilat i kaluan kufijtë e SHBA-ve. Nën këtë trysni, punimet u bënë të pamundura për t’u vazhduar. Administrata e Presidentit Barack Obama, bëri thirrje për rishqyrtim të studimeve mbi ndikimin mjedisor dhe në muajin dhjetor u vendos pezullimi i punimeve. Nga inxhinierët e Ushtrisë Amerikane u kërkua që Projekti DAP të shqyrtonte alternativa të tjera zgjidhjeje. Në këtë periudhë, deri në kufirin mes Dakotës së Jugut dhe Dakotës së Veriut, nga kompanitë e nënkontraktuara u tha se qe përfunduar 87% e projektit.

Ndryshimi i Presidencës, solli edhe ndryshime për sa i përket qasjes mjedisore nga ana e Shtetit amerikan. Në fund të muajit janar, Presidenti Donald Tramp urdhëroi rinisjen e Projektit DAP me “kushte të ri-negociueshme”. Grupet indigjene dhe shoqatat mjedisore kanë bërë sërish thirrje për protesta, duke premtuar se çështja nuk do të kalojë lehtë as kësaj radhe.

Çështja në fjalë është një shembulli më i mirë i mundshëm se si trajtohen situata të tilla në Perëndim.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s